Zgjedhjet lokale 2019 nuk përbëjnë lajm vetëm për shkak të natyrës së tyre, – pa parti dhe kandidatë të tjerë potencialë rivalë dhe me mosnjohje nga partitë e opozitës dhe Presidenti i Republikës, por edhe për shkak të debatit mbi kandidatët e subjektit të vetëm në garë. Pas zgjedhjeve opozita publikoi dokumente kompromentuese për tre kryetarë bashkie tashmë të shpallur zyrtarisht fitues, – kryetari i bashkisë në Shkodër (Valdrin Pjetri), kryetari i bashkisë në Vorë (Agim Kajmaku) dhe kryetari i bashkisë Vau i Dejës (Mark Babani). Opozita pretendoi se të tre kandidatët janë në kundërshtim me ligjin 138/2015 dhe kërkuan dorëheqjen dhe hetimin e tyre.
Për rastin e bashkisë Shkodër pretendimet e opozitës u provuan, kandidati fitues kishte rekorde negative dënimi në Itali dhe për pasojë, ai dha dorëheqje përpara marrjes së detyrës. Për kryetarin e bashkisë Vorë përsëri pretendimet e opozitës u provuan, ai rezultoi se ka qenë nën hetim e gjykim në Greqi, fakt të padeklaruar në formularin e dekriminalizimit. Vetë kryetari i bashkisë publikoi vendimin e ri të gjykatës greke që mbyll procesin ndaj tij, duke pranuar ekzistencën e procesit dhe kështu edhe akuzat e opozitës. Ai nuk ka dhënë dorëheqje nga posti, ndërkohë që vijojnë hetimet nga Prokuroria. Edhe në rastin e Vaut të Dejës vijojnë hetimet nga prokuroria lidhur me pretendimin se ka qenë i ndaluar dhe dënuar në Itali, fakt i papërfshirë në formularin e vetëdeklarimit.
Të tre kryetarët e bashkisë refuzuan fillimisht akuzat dhe u morën në mbrojtje politike nga subjekti i tyre politik, Partia Socialiste. Pas dorëheqjes së kryetarit të bashkisë Shkodër sjellja politike ndryshoi dhe tashmë subjekti politik ka deklaruar se është në pritje të vendimit të Prokurorisë për hetimet.
Rasti i kryetarëve të rinj të bashkisë, të cilët rezultojnë (deri tani 100% dy prej tyre) në papajtueshmëri me standardet e ligjit të dekriminalizimit, krijon debat dhe merr vëmendje për dy aspekte: nga mbështetja politike që vijojnë të marrin kandidatë të tillë edhe në një proces formal votimi, ku përzgjedhja e kandidatit mund të bëhej lehtësisht mbi CV dhe meritat profesionale e etike, dhe e dyta, kurajo e individëve me rekorde kriminale ose të dhëna ndaluese në raport me ligjin, për të kandiduar për të pasur ndikime në vendimmarrjet e larta politike.