Me hyrjen në fuqi të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” Departamenti i Administratës Publike është organi përgjegjës për marrjen në dorëzim, administrimin dhe përpunimin e formularëve të vetëdeklarimit për nëpunësit në shërbimin civil dhe shërbimin diplomatik, si dhe drejtuesit e çdo niveli në administratën publike të nivelit qendror dhe vendor që nuk përfshihen në shërbimin civil.
Qëllimi i këtij ligji është garantimi i besimit të publikut në funksionimin e administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to, apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët përfshihen në sferën e ndalimeve të parashikuara nga ligji nr.138/2015, i ndryshuar.
Në zbatim të këtyre parashikimeve ligjore, DAP administroi rreth 24.000 formularë vetëdeklarimi, të dorëzuar nga subjektet vetëdeklarues, brenda datës 04/05/2016. Gjithashtu, në funskion të detyrimeve të tij gjatë vitit 2016, DAP bëri:
• Regjistrimin e formularëve me numër unik identifikimi;
• Ruajtjen e formularëve në mënyrë elektronike;
• Publikimin e formularëve në portalin e-Albania;
• Marrjen e informacionit pranë Zyrës së Gjendjes Gjyqësore dhe Zyrës së Gjendjes Civile, lidhur me të dhënat e deklaruara në formularë nga subjektet vetëdeklarues;
• Publikimin e rezultateve të verifikimit të përfunduar.
Gjatë vitit 2016, Departamenti i Administratës Publike ka kryer verifikimin paraprak të të dhënave të deklaruara në formularin e vetëdeklarimit nga subjektet vetëdeklarues me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile si edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe ka vijuar të kërkojë pranë Prokurorisë të Përgjithshme verifikimin e plotë të subjekteve sipas procedurave të parashikuara në vendimin nr.17/2016 të Kuvendit të Republikës së
Shqipërisë.
Konkretisht në përfundim të këtyre procedurave, në fund të vitit 2016 rezultonin 78 subjekte vetëdeklarues të konstatuar në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik, siç paraqitet edhe në tabelën më poshtë. Nga 78 subjekte vetëdeklaruese që rezultojnë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik, 27 prej tyre janë konstatuar nga organi përgjegjës DAP në zbatim të procedurave të parashikuara në Kreun V, të Vendimit nr.17/2016 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ndërsa 51 subjekte vetëdeklaruese janë konstatuar nga Prokuroria e Përgjithshme me vendimin “Për miratimin e rezultateve të verifikimit, në zbatim të ligjit nr.138/2015”, në vijim të kërkesës për verifikim të plotë të përcjellë nga Departamenti i Administratës Publike. Duhet theksuar këtu, se numri i subjekteve aktualisht të konstatuar në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit publik, do të ndryshojë në varësi të përfundimit të rezultateve të verifikimit që do të përcillen pranë DAP nga Prokuroria e Përgjithshme.
Raporti i plote gjendet ne link
http://dap.gov.al/publikime/raporte-vjetore