Në Prokurorinë e Përgjithshme, në bazë të kërkesës së ardhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është regjistruar një proces verifikimi i thelluar për subjektin e vetëdeklaruar Rezart Xhelal Tusha me nr. 49, viti 2021, bazuar në ligjin nr. 238/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Në kuadër të verifikimeve të kryera, rezulton se organet gjyqësore zvicerane, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë, kanë refuzuar t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për dhënien e ndihmës së ndërsjellë juridike, për shkak se informacioni nuk është kërkuar në kuadër të një procesi penal ndaj subjektit në fjalë. Në vijim të sa më sipër, duke synuar përdorimin e të gjitha mjeteve të mundshme ligjore për administrimin e informacionit që i shërben këtij procesi, Sektori i Dekriminalizimit ka vijuar të kryejë veprime të tjera për verifikimin e plotë të subjektit të vetëdeklaruar. Pas përfundimit të tyre, rezultatet e verifikimeve do t’i dërgohen KQZ-së.
Partia Socialiste i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të çrregjistrojë nga lista kandidatin e Sali Berishës për Bashkinë e Shijakut, Rezart Tusha. Ky i fundit rezulton se në vitin 1997 është dëbuar nga Zvicra, pasi u kap me një sasi prej rreth 41 gram heroinë. Vetë Tusha, në formularin e vetëdeklarimit gjatë kandidimit për deputet në vitin 2021, kishte deklaruar vetëm dëbimin nga Zvicra, por pa thënë se ishte kapur me sasi droge. Për Tushën madje ekziston edhe një dokument që ia ndalon hyrjen në Zvicër dhe Lihtenshtejn për pesë vite. Tusha u arrestua gjatë një operacioni anti drogë të koduar “Hydra”.
Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Shijakun, Rezeart Tusha ka reaguar pas kërkesës së Partisë Socialiste për çrregjistrimin e tij për shkak të një dënimi në Zvicër. Tusha tha se nga Zvicra ka vetëm kundravajtje për shkak se ka shkelur lejen e qëndrimit, por sipas pretendimeve, ai është kapur me 42 gram heroinë në vitin 1997 dhe pas dëbimit i është ndaluar hyrja për pesë vite. Tusha i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se gjithçka bëhet nga frika e humbjes në zgjedhjet e 14 majit. “Mediat pranë pushtetit me porosi qeveritare kanë nisur sulme ndaj meje me shpifje e shtrembërime, se i ka kapur paniku për 14 majin. Përpjekjet për të më skualifikuar mua si kandidat të koalicionit Bashkë Fitojmë, bëhet e se dinë çfarë i prek në Shijak në këto zgjedhje. KQZ më ka regjistruar në zgjedhjet e 14 majit, ku kam deklaruar se kam një kundravajtje në Zvicër, për shkelje të lejes së qëndrimir. Kur u ngrit pretendimi për dënim, KQZ e çoi në Prokurori dhe mora dritën jeshile të kandidimit. Përpjekje amorale e qeverisë për të më skualifikuar. E kanë të kotë, do më kenë në 14 maj.”, deklaroi Tusha.