Në librin “Political Parties Shape Democracy” Wilhelm Hofmeister argumenton se partitë politike formësojnë demokracinë, dhe se demokracia pa parti politike është pothuajse e pamundur në ditët tona. Kjo marrëdhënie ndërvarësie mes partive politike dhe demokracisë ka qenë përcaktuese për triumfin ose dështimin e demokracisë liberale gjatë dy shekujve të fundit.
Marrëdhënia difektoze mes partive politike dhe demokracisë në Shqipëri e ka detyruar vendin të shkelë në shtigje të pashkelura më parë. Si pasojë zgjedhjes, emërimit dhe promovimit në funksione të larta publike të personave me rekorde kriminale, nën presionin e SHBA dhe BE, Shqipëria u detyrua të miratojë në vitin 2015 ligjin “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, i njohur ndryshe si ligji i dekriminalizimit.
Si pasojë e veprimit të ligjit janë larguar nga funksionet publike deputetë, kryebashkiakë dhe disa dhjetëra dhe qindra këshilltarë lokal dhe funksionarë të administratës publike. Megjithatë, sipas një studimi të fundit të Institutit të Studimeve Politike (ISP) më shumë se dy të tretat e qytetarëve mendojnë se personat e inkriminuar, të larguar nga dekriminalizimi, vijojnë të kenë ndikim direkt ose indirekt në politikë dhe në vendimmarrje. Kjo ka ulur besimin e qytetarëve tek procesi i dekriminalizimit dhe partitë politike.
(De)demokratizmi i Partive
Për nga tipologjia e tranzicionit politik, mund të thuhet se Shqipëria ka kaluar nëpër tre faza pas rënies së regjimit totalitar komunist.
Vitet 90-të janë karakterizuar nga hapja dhe demokratizimi i ngadaltë i shoqërisë dhe partive politike. Megjithëse problematike, jeta politike brenda partive ishte e gjallë dhe plot debate mes grupeve të ndryshme. Sistemi i karrierës brenda partive ishte më i rregulluar dhe bazohej në disa vlera universale si profili intelektual dhe profesional, kontributi në parti dhe artikulimi publik.
Ndërkohë, gjatë fazës së dytë në vitet 2000 Shqipëria arriti njëfarë pjekurie politike. Gjatë këtyre viteve u realizuan rrotacione të buta të pushtetit, Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Associmit me BE-në, u anëtarësua në NATO dhe aplikoi për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Pjekuria relative politike e Shqipërisë gjatë kësaj periudhe reflektohet edhe në indekset ndërkombëtare. Megjithëse Freedom House e rendiste Shqipërinë mes vendeve me demokraci hibride, nga viti në vit duket se kishte progres të lehtë drejt konsolidimit demokratik.
Por, pas vitit 2010 Shqipëria i është bashkuar trendit global të de-demokratizimit. Sipas Freedom House, ndryshe nga vitet 2000, për herë të parë në disa dekada numri i vendeve që kanë pësuar rënie në indeksin e demokratizimit e ka kaluar numrin e vendeve që kanë shënuar përmirësim. Në vitin 2020 Shqipëria shënoi për herë të parë në disa vite rënie në indeksin e Freedom House. Veçanërisht besimi i publikut tek elitat dhe partitë politike ka qenë në rënie të vazhdueshme gjatë dekadës së fundit. Korrupsioni, klientelizmi dhe ngjizja e politikës me krimin e organizuar renditen si arsyet kryesore të humbjes së besimit të qytetareve tek partitë politike.
Sipas ISP qytetarët mendojnë se lidhjet personale politike, roli i tyre në fushatën politike, korrupsioni i lartë dhe sistemi klientelist i karrierës janë arsyet kryesore që personat e inkriminuar marrin postet politike dhe funksione zyrtare. Sipas perceptimin publik, individët e inkriminuar nuk duan poste politike dhe zyrtare për pasurim financiar, por për të fituar imunitet e status social, pra për të legalizuar pasurinë, ndikimin dhe biografinë e tyre. Ndërkohë partitë politikë duket së janë mbështetur gjithnjë e më shumë tek të fortët për intimidimin e qytetarëve dhe blerjen e votës. Sipas raporti të OSBE/ODIHR praktika e blerjes së votës ishte një nga problemet kryesore në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Kështu, nga njëlloj autoritarizmi konkurrues ku zgjedhjet prodhonin rrotacion politik dhe ndryshim brenda partive, gjatë dekadës së fundit sistemi politik në Shqipëri ka marrë trajtat e një regjimi autoritar ku partitë politike mbajnë përgjegjësinë kryesore pasi ato janë aktorët kryesor të lojës demokratike. Inkriminimi i tyre, rrënimi i sistemit të karrierës dhe llogaridhënies ka degraduar debatin e brendshëm dhe gërryer praktikat e mira demokratike. Zgjedhjet e fundit me kandidat rival për liderin e Partisë Socialiste janë mbajtur në vitin 2009, ndërsa Partia Demokratike ka dështuar në qarkullimin e elitave politike dhe në krijimin e një lidershipi të ri. Për më tepër, në verën e këtij viti Lëvizja Socialiste për Integrim ndryshoi emrin e partisë pa një debat të brendshëm.
Ligji i dekriminalizimit ka qenë një bazë e mire për pastrimin e partive politike nga personat me të shkuar kriminale, por partitë nuk kanë hequr dorë nga promovimi i personave me rekorde kriminale. Menjëherë pas zgjedhjeve vendore të vitit 2019 disa kryebashkiakë të kandiduar nga Partia Socialiste ranë në rrjetën e dekriminalizimit.
De-demokratizimi dhe simbioza e politikës me krimin ka prodhuar krizë përfaqësimi dhe diskurs apolitik. Shumica e qytetarëve ndihen të papërfaqësuar nga partitë politike. Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje dhe distancimi i të rinjve nga politika janë ndër treguesit kryesor të apatisë së përgjithshme ndaj politikës. Kriza e përfaqësimit ka ardhur edhe si rezultat i prevalimit të ‘politikës’ me të cilën studiuesja e teorisë së demokracisë, Chantal Mouffe, kupton dimensionin e brendshëm antagonist të raporteve njerëzore mbi ‘politikat’, tërësinë e praktikave, diskurseve dhe institucioneve që synojnë krijimin e kushteve për bashkekzistencë paqësore mes sistemeve të ndryshme të vlerave dhe koncepteve mbi atë se çfarë është e mirë apo e moralshme në një shoqëri pluraliste. Hapësirën e ‘politikave’ në jetën publike e ka zënë diskursi apolitik i cili nuk ka synuar mobilizimin e qytetarëve rreth alternativave reale, të majta apo të djathta, por rreth konstruktimit imagjinar të kundërshtarit politik si ‘armik’.
Në një kontekst të tillë ku pandërshkueshmëria, kriza e përfaqësimit dhe diskursi apoliktik ka zënë vend në Shqipëri, duket se qytetarët e kanë gjetur zgjidhjen tek largimi nga vendi. Prandaj, është koha për reformë të thellë të partive politike, respektimin e standardeve të integritetit dhe pastërtisë së figurës për personat e zgjedhur ose të emëruar që ushtrojnë funksione publike. Përndryshe de-demokratizimi dhe kriminalizimi i partive politike do të vijojë të prodhojë kriza politike dhe sociale me pasoja afatgjata për Shqipërinë.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).