Ndërsa Shqipëria i afrohet një dekade nga miratimi i ligjit të dekriminalizmit, sfidat e pastrimit të politikës nga personat me të shkuar kriminale dhe korruptive kanë ndryshuar natyrë dhe formë. Forcimi i institucioneve të drejtësisë, respektivisht Vetingut (vlerësimi i pastërtisë së figurës dhe integritetit profesional të prokurorëve dhe gjyqtarëve) si dhe funksionaliteti i plotë i SPAK (Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) ka ekspozuar gjithnjë e më shumë përfshirjen e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë në korrupsion dhe lidhjen e funksionarëve të policisë së shtetit dhe politikës me krimin e organizuar. Ligji i dekriminalizimit, SPAK dhe Vetingu përbëjnë një kornizë institucionale dhe ligjore gjithëpërfshirëse që po godet pandëshkueshmërinë dhe krimin e organizuar – duke dhënë shenja të forta për pastrimin e politikës dhe shtetit nga individët me rekorde korruptive dhe kriminale.
Por progresi në këtë drejtim po has rezistencë nga klasa politike dhe elita e vjetër ekzekutive në institucionet përfaqësuese, kushtetuese dhe ato të krijuara me ligj. Teksa afrohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2025, retorika politike dhe publike rreth dekriminalizimit po bëhet gjithnjë e më e ashpër dhe polarizuese. Pavarësisht sukseseve të organeve të reja të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, shkëputja e shtetit nga ndikimi i individëve me rekorde korruptive dhe kriminale mbetet sfidë për institucionet e brishta demokratike të Shqipërisë. Siç shihet në analizën më poshtë, retorika politike është ashpërsuar ndaj organeve të drejtësisë – dhe janë ndërmarrë dhe po ndërmerren akte konkrete që synojnë minimin dhe reduktimin e fuqisë së tyre goditëse ndaj pandëshkueshmërisë – dhe për rrjedhojë të fushës së veprimit të ligjit të dekriminalizimit.
Mungesa e konsolidimit të kulturës demokratike në partitë politike rrezikon që pavarësisht progresit që është shënuar në jetësimin e parimeve të dekriminalizimit, me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare do të rritet ndikimi informal nga individë me rekorde kriminale në proceset politike të vendit. Kultura e përhapur e nepotizmit dhe klientelizimit në emërimin apo promovimin e lidhjeve familjare apo të interesit në institucionet kushtetuese, administratën publike dhe agjencitë shtetërore përbën një pengesë tjetër ndaj jetësimin gjithëpërfshirës dhe transformues të ligjit të dekriminalizimit. Mbingarkesa e dosjeve për t’u shqyrtuar nga organet e drejtësisë, mungesa e burimeve të mjaftueshme njerëzore dhe financiare mund të reduktojnë kapacitetin institucional në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Kombinimi i të gjithë faktorëve sugjeron se me gjithë forcimin e kornizës institucionale dhe ligjore kundër depërtimit apo qëndrimit në poste publike të individëve me lidhje korruptive dhe kriminale, sfida për politikë, institucione dhe administratë profesionale dhe me integritet mbetet aktuale për Shqipërinë. Goditja e kulturës së pandëshkueshmërisë dhe krimit të organizuar është domosdoshmëri për pastrimin e institucioneve të shtetit nga eksponentë të përfshirë në korrupsion dhe dekurajon përfshirjen e individëve me rekorde kriminale në jetën publike dhe abuzimin me pushtetin. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit përbën një hap radikal, por që rezultoi i pamjaftueshëm në vetvete. Forcimi i organeve të drejtësisë dhe parimeve të shtetit ligjor janë një garanci e shtuar në jetësimin gjithëpërfshirës të parimeve të dekriminalizimit, dhe për rrjedhim të forcimit të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në Shqipëri.
Disa nga vlerësimet e gjetjeve kryesore të raportit:
I. Gjatë periudhës së parë të vitit 2024 jetësimi në mënyrë gjithëpërfshirëse i parimeve të dekriminalizimit është paraprirë dhe ndihmuar nga intensifikimi i luftës kundër korrupsionit në nivele të larta dhe krimit të organizuar. Forcimi i mëtejshëm i organeve të reja të drejtësisë po ndihmon në shkëputjen e lidhjeve të aktorëve me rekorde korruptive dhe kriminale nga jeta politike dhe institucionale e Shqipërisë.
II. Si rrallë herë në historinë post-komuniste të Shqipërisë, ish-presidentë dhe ish-kryeministra janë proceduar apo po hetohen nga SPAK për përfshirje në korrupsion. Një ish-ministër është referuar në GJKKO për gjykim, kryebashkiaku i Kuçovës, Rrogozhinës, Tiranës, Roskovecit, Himarës, Matit, Durrësit, etj, janë nën hetime zyrtare ose në proces vlerësimi nga SPAK, drejtues dhe ish-drejtues në Bashkinë Tiranë, agjencitë shtetërore, Policinë e Shtetit, Bankës së Shqipërisë, prokurorë dhe gjyqtarë janë proceduar për vepra korruptive apo shkelje të tjera ligjore
III. Edhe pse me burime të kufizuara njerëzore dhe financiare, strukturat anti-korrupsion dhe kundër krimit të organizuar kanë goditur grupe kriminale me influencë në jetën ekonomike dhe politike të vendit. Janë arrestuar apo shpallur në kërkim individë të krimit të organizuar dhe janë konfiskuar pasuri të paligjshme duke goditur infrastruktura kriminale në vend. Disa grupe kriminale u goditën duke arrestuar dhe shpallur në kërkim dhjetëra drejtues dhe anëtarë, ndërsa hetimet nxorën në dritë lidhjet e ngushta të tre ish-deputetëve me krimin e organizuar.
IV. Institucionet e drejtësisë kanë thelluar luftën kundër kulturës së pandëshkueshërisë në nivele të larta, e cila po ndihmon në shkëputjen e lidhjeve të individëve me rekorde korruptive nga vendimmarrja publike e Shqipërisë. Progresi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ka forcuar dhe zgjeruar hapësirën vepruese dhe parandaluese të ligjit të dekriminalizimit. Vendosja nën hetim e zyrtarëve të lartë dhe ekspozimi i individëve të përfshirë në aktivitete kriminale po këput lidhjet e individëve me probleme ligjore me institucionet e shtetit dhe dekurajon përfshirjen e drejtpërdrejtë të rrjeteve kriminale në jetën politike dhe publike të vendit.
V. Thellimi i luftës së organeve të drejtësisë ndaj korrupsionit në nivele të larta ka ashpërsuar retorikën e aktorëve politik kundër institucioneve të drejtësisë. Zyrtarë të lartë publik kanë sulmuar punën e SPAK, ndërsa miratimi i një amnistie penale nga Kuvendi minoi progresin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Tentativa e aktorëve politik për të bërë ndryshime ligjore në reformën në drejtësi pa u konsultuar me institucionet e drejtësisë dhe në kundërshtim me praktikat e mira ndërkombëtare rrezikon të reduktojë fushën e veprimit të drejtësisë kundër korrupsionit dhe krimit. Kjo do të sjellë rrjedhimisht gërryerjen e zbatimit integral të ligjit të dekriminalizimit.
VI. Kultura e brishtë demokratike në partitë politike, nepotizmi dhe klientelizmi në institucionet shtetërore është një faktor shtesë pengues i zbatimit të klauzolave ligjore parandaluese të parashikuara në ligjin e dekriminalizimit. Ndërsa Shqipëria bëhet gati të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2025, rreziku i influencës informale në proceset politike dhe vendimmarrjen publike të aktorëve me rekorde korruptive dhe kriminale do të rritet.
VII. Mungesa e burimeve njerëzore dhe financiare, bashkëpunimi i dobët ndër-institucional dhe rezistenca ndaj veprimtarisë së organeve të drejtësisë ndaj korrupsionit në nivele të larta vendosin në rrezik progresin e arritur deri tani me dekriminalizimin e shtetit dhe jetës politike.
VIII. Ndërsa korniza institucionale në sistemin e drejtësisë dhe parimet radikale në ligjin e dekriminalizimit po japin efekte pozitive, është jetike që aktorët e shëndoshë politik, shoqëria civile dhe faktori ndërkombëtarë të mbrojnë dhe forcojnë pavarësinë dhe kapacitetet e sistemit të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke monitoruar KQZ dhe fushatën elektorale, si pjesë të angazhimit në projektin “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy). Pikëpamjet e shprehura në raport janë përgjegjësi e ISP-së.
Raporti i plote jepet permes kontaktit ne adresen e ISP contactaips@isp.com.al.