Statistikat dhe studimet? Shumica absolute e qytetarëve mbështetësin nevojën jetike për politikë dhe politikanë të pastër. Pa zyrtarë të pastër, transparencë dhe llogaridhënie është utopike të pritet progres dhe standarde të shtetit të së drejtës. Gjithashtu mbi 80% mendojnë se korrupsioni mbetet kërcënim dhe dekriminalizimi duhet të thellohet edhe në partitë politike. 10 vjet nga miratimi i ligjit të dekriminalizimit ende individë me rekorde kriminale vijojnë të kenë rol në politikë, vendimmarrje dhe institucione.
Cili është perceptimi i të rinjve mbi këto të dhëna dhe impakti që ka promovimi, emërimi apo zgjedhja e zyrtarëve të korruptua apo inkriminuar? Sa flitet në shkollë, publik, aktivitete, familje dhe në mjedise të tjera mbi parimet e integritetit në përfaqësim? Sa e rëndësishme është transparenca dhe llogaridhënie nga të zgjedhurit dhe të emëruarit? A ndikojnë rekordet e dekriminalizimit në perceptimin që kemi për zyrtarët dhe vendimmarrësit? Dekriminalizimi, llogaridhënie, reagimi publik, roli qytetar dhe sfidat rinore edhe në kontekstin e procesit zgjedhor të sapo përfunduar.
Këto dhe tematika të tjera plotësuese, në këndvështrimin e brezit më të ri, u diskutuan në takimin që Instituti i Studimeve Politike (ISP) zhvilloi me një grup gjimnazistësh në qytetin e Kukësit. Ekspertët e ISP-së paraqitën vlerësimet e tyre, gjetjet dhe rekomandimet në kuadër të monitorimit të integritetit dhe dekriminalizimit, si dhe patën një bashkëbisedim produktiv me të rinjtë.
Aktiviteti ishte pjesë e projektit në zbatim “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, të cilin Instituti i Studimeve Politike (ISP) po e zbaton me mbështetjen financiare të National Endowment for Democracy (NED).