Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të premten më 24 janar vendimin ndaj kryetarit socialist të Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, si dhe për tre personat e tjerë të pandehur në këtë proces, të cilët u deklaruan të gjithë fajtorë. Gjykata ka vendosur ta dënojmë Memollën me 1 vit burg, të njëjtën masë që kërkoi edhe SPAK. Akuza për të cilën u deklarua fajtor Memolla parashikon dënimin nga 1 deri në 5 vjet burg, megjithatë, si Prokuroria e Posaçme ashtu dhe gjykata respektive çmuan ta penalizojnë me minimumin e dënimit.
Në nëntor të vitit 2023, Prokuroria e Posaçme dërgoi për gjykim kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla dhe tre persona të tjerë të akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe falsifikim dokumentesh. Sipas SPAK, Memolla ka ndikuar tek elektricisti Blerim Xhamani, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022. Po ashtu, Memolla ka komunikuar me Xhamanin për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të votës.
Xhamani u mor i pandehur për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe veprën penale “falsifikim i dokumenteve”. Sipas SPAK, ai së bashku me të pandehurin Isuf Tosku, falsifikuan të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë abonentit debitor. Ndërsa i pandehuri Ndriçim Tafxhafa, u akuzua se i premtoi një shtetaseje për shlyerje të detyrimeve ndaj OSHEE dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor të një kandidati në ato zgjedhje të pjesshme lokale.
Edhe ndaj Xhamanit dhe Tafxhafës u vendos dënimi me nga 1 vit burg. Isuf Tosku u dënua me 8 muaj burgim, por u pezullua ekzekutimi dhe ai u vendos në shërbim prove nga gjykata për 1 vit e 4 muaj.
Dënimet minimale për krimet zgjedhore kanë shqetësuar përfaqësuesit e shoqërisë civile që monitorojnë zgjedhjet. Pas pretencës së prokurorisë për 1 vit burg, Organizata Qëndresa Qytetare i cilësoi krimet zgjedhore si “prova e zjarrit për SPAK për 2025”, duke evidentuar se përdorimi i burimeve publike për mbështetje politike gjatë fushatave elektorale ndalohet me ligj, por se zbatimi i këtij ligji mbetet sfidë.
SPAK mbrojti përmes një përgjigje me shkrim dënimin e kërkuar në rastin e Memollës, duke u shprehur se “në rastin konkret është në analizë dhe në përputhje të plotë me rrethanat e faktit penal…”.
Kryebashkiaku i Rrogozhinës dënohet me 1 vit burg për korrupsion në zgjedhje