Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka filluar funksionimin në bazë të ligjit nr. 9049, date 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publike“.
“Inspektorati i Lartë” nën përgjegjësinë e Inspektorit të Përgjithshëm, administron deklarimin e pasurisë, të detyrimeve financiare, ushtron kontroll të drejtpërdrejtë, mbledh të dhëna, kryen hetime dhe kërkime administrative rreth deklarimeve të personave që mbartin detyrimin ligjor për deklarim të interesave private.
ILDKPKI bashkëpunon me organet e auditimit dhe me strukturat e tjera përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik.
ILDKPKI në bazë të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 është Autoriteti Qendror Përgjegjës për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
Kompetencat e ILDKPKI-së u shtuan me hyrjen në fuqi të ligjit nr.9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”. Konkretisht, Inspektorati i Lartë drejton dhe përmirëson politikat e parandalimit dhe shmangies së konfliktit të interesave; ofron asistencë teknike për këshillimin dhe mbështetjen e nismave ligjore e nënligjore të ndërmarra nga institucionet publike për parandalimin e konfliktit të interesave; monitoron, kontrollon dhe vlerëson zbatimin e këtij ligji etj. (neni 41 e 42 i ligjit).