Devijim nga parimet e dekriminalizimit? Mungesë transparence dhe praktika abuzive që pamundësojnë zbatimin integral të ligjit? Ligji i dekriminalizimit detyron të gjitha institucionet shtetërore dhe publike të aplikojnë deklarim paraprak për kandidatët për poste drejtuese. Ligji nuk kërkon verifikim të thelluar për të gjithë zyrtarët, duke nënkuptuar verifikime të thelluara për rastet e dyshuara dhe rastet e denoncuara ose me të dhëna problematike në formular. Thelbi i ligjit është integriteti i zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar.
Në kundërshtim me këtë parim, praktika e deritanishme tregon se një pjesë e institucioneve me vetëdije nuk kërkojnë verifikime të të dhënave dhe nuk i publikojnë formularët e dekriminalizimit, duke lejuar që individë me rekorde kriminale ose penale të vijojnë të promovohen në poste drejtuese. Mbi këtë bazë, kur ka denoncime dhe dalin të dhëna kritike për zyrtarët në media, atëherë institucioni reagon duke u justifikuar me deklarimet paraprake dhe përgjegjësinë personale.
Në fakt, koncepti i dekriminalizimit dhe integritetit kërkon shumë më tepër sesa kaq: çdo institucion përgjegjës duhet të bëjë publike formularët e dekriminalizimit për çdo zyrtar të zgjedhur dhe të emëruar (sidomos ata që vijnë nga procese dhe procedura konkurruese) dhe në rast të të dhënave kritike nga media, publiku, personat përgjegjës të verifikimit paraprak, etj, duhet të kërkojnë hetim të thelluar nga seksioni përkatës në Prokurorinë e Përgjithshme. Të dhënat nga Prokuroria tregojnë se rastet e hetimit të thelluar janë minimale në raport me ndjeshmërinë, denoncimet dhe gjendjen faktike në institucione. Ilustrimi? Vetëm një kërkesë verifikimi nga disa mijëra zyrtarë në institucionet universitare, akademike dhe të kërkimit shkencor?!
Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësinë të aplikojnë standarde të tilla për të gjithë zyrtarët e zgjedhur dhe emëruar prej tij, por edhe për të ndjekur aplikimin e standardeve të ligjit edhe për institucionet që janë krijuar me ligj ose që raportojnë në Kuvend. Presidenti duhet të bëjë të njëjtën gjë për institucionet që janë emërtesë direkte ose dekretimi prej tij, qeveria për institucionet ekzekutive, ministritë e linjës për institucionet e varësisë, etj.
Nga monitorimi i Institutit të Studimeve Politike (ISP) rezulton se mbi 90% e rasteve dhe institucioneve nuk publikojnë të dhëna mbi formularët e dekriminalizimit, si dhe për pasojë, nuk ka hetim të thelluar të tyre, duke devijuar konceptin, pritshmëritë dhe nevojën jetike të vendit për politikë, politikanë, zyrtarë dhe vendimmarrje të pastër dhe me integritet.
ISP