Stafi i Instituti i Studimeve Politike (ISP) kreu monitorimin e ligjërimit politik të reflektuar në raportimet e medias gjatë periudhës prill – maj 2022, si pjesë e projektit “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy).
Monitorimi u shtri në të gjitha mediat kryesore televizive (TCH, Klan TV, Vizion Plus, News 24, Ora News, A2, Abcnews, etj), kryesisht në qëndrimet editoriale dhe në lajmet kryesore të ditës. Gjithashtu u monitoruan portalet kryesore, si dhe mediat e shkruara Panorama, Gazeta Shqiptare, Shekulli dhe Dita.
Gjetjet kryesore të raportit monitorues (II, 2022)
Raporti për dekriminalizimin dhe Integritetin në Politikë për periudhën prill-maj 2022 nxjerr në pah diferencën midis bazës ligjore, deklarimeve publike të institucioneve dhe të politikës, si dhe nivelit ende kritik të zbatimit integral të ligjit dhe të reformimit real të institucioneve përfaqësuese.
Ligjërimi publik dhe politik mbi dekriminalizimin dhe standarde të munguara të integritetit në vendimmarrje, ka vijuar të jetë temë dominuese në raportimet mediatike dhe një tregues sa i brishtësisë së institucioneve aq edhe i ndikimit të lartë i lidhjeve informale midis krimit e politikës, i nivelit të lartë të korrupsionit, si dhe i pritshmërive më të larta sesa mundësitë për vendosjen e drejtësisë dhe fundin e pandëshkueshmërisë.
Partitë politike e kanë shfrytëzuar ligjin për dekriminalizimin për të akuzuar njëra tjetrën për individët me rekorde kriminale, por në të njëjtën kohë partitë kanë bërë shumë pak për të larguar nga radhët e tyre individët që kanë rekorde kriminale. Partitë politike nuk i kanë reflektuar parimet e ligjit të dekriminalizimit në statutet e tyre dhe aktet e tjera rregullatore brenda partive dhe nuk kanë krijuar një sistem të qartë e efikas parandalimi. Ky veprim i qëllimshëm, u jep të drejtë individëve me rekorde kriminale të vijojnë të ruajnë postet në asambletë kombëtare, degët lokale dhe në drejtimin politik të partisë, pra të influencojnë indirekt edhe në jetën politike.
Relativizimi i reformës në drejtësi dhe procesi i dekriminalizimit është kthyer në një debat edhe mes qeverisë, opozitës dhe faktorit ndërkombëtar. Deklaratat e qeverisë, opozitës, presidentit dhe vetë SPAK morën vëmendje maksimale gjatë dy muajve të monitorimit. (Shih deklarimet e detajuara në raportin e plotë bashkëngjitur).
Temë tjetër dominuese në media ishte interpretimi i ndryshëm i prioriteteve ndaj dekriminalizimit nga partitë politike dhe vlerësimet e ndryshme për të njëjtat raste. Mediat i dhanë jehonë deklarimeve të palës amerikane dhe evropiane lidhur me rëndësinë e dekriminalizimit të politikës dhe të qëndrimeve kritike ndaj personave të përfshirë në listat “non grata”, por nga ana tjetër, mediat u rreshtuan në favor të qëndrimeve politike të palëve, pa arritur të krijojë një sistem presioni të së mirës dhe interesit publik ndaj partive politike, sjelljes, kandidatëve dhe krizave të brendshme të tyre.
Gjetjet kryesore të plota mund të lexohen këtu:
Raporti II 2022 Ligjerimi politik dhe publik mbi integritetin dhe dekriminalizimin