Instituti i Studimeve Politike (ISP) shpreh keqardhjen që mazhoranca qeverisëse, Partia Socialiste, nuk arriti të dëshmojë një vullnet të qartë politik për distancim nga deputetë të përfshirë indirekt në listën e sanksioneve ekonomike nga qeveria e SHBA.
Një ish deputet u përfshi në sanksione me akuzën se është i lidhur me krimin e organizuar dhe se ka ushtruar ndikim të paligjshëm për të emëruar zyrtarë publikë në Elbasan dhe në Tiranë. Dy anëtarë të familjes së tij janë zgjedhur deputet në listën shumëemërore të Partisë Socialiste, njëri në Tiranë dhe tjetri në Elbasan.
PS ka premtuar se do të zbatojë standarde etike dhe se do të distancohet nga çdo individ që është në shkelje të ligjit të dekriminalizimit dhe non grata, por në rastin e parë të përballjes me një praktikë të tillë ajo nuk u distancua, duke e konsideruar si përgjegjësi personale të dy deputetëve. Në këtë rast, standardet e Kodit të Etikës nuk u aplikuan.
Qëndrime të tilla konformiste, të shfaqura tashmë në disa parti politike, japin sinjale negative lidhur me jetësimin e dekriminalizimit dhe integritetit në politikë dhe dobësojnë sistemin e llogaridhënies, përfaqësimit dhe të shtetit të së drejtës.
ISP është duke zbatuar nismën “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga fondacioni amerikan, NED National Endowment for Democracy, projekt, i cili përfshin monitorimin e jetësimit të dekriminalizimit dhe të integritetit në partitë politike, në parlament dhe në institucionet kryesore kushtetuese.