Si sot një javë më parë Tomas Muler, lojtari i famshëm i Gjermanisë dhe Bajernit të Mynihut- përjetoi tre ngjarje, njëra prej të cilëve i erdhi si dhuratë e hidhur për ditëlindje.
Më 13 shtator, ditën e lindjes, ndërkohë që ishte në fushën e futbollit duke ndihmuar shokët e ekipit në ndeshjen kundër Barcelonës për Ligën e Kampionëve, shtëpia e tij po grabitej. Grabitësit morën bizhuteri, sende me vlerë dhe para në vlerën e 6-të shifrave. Sapo lajmi u bë publik, në Tiranë, ish ministri Drejtësisë Y.M shkroi në profilin e tij në facebook.“Hajdutin e shtëpisë së Thomas Müller mbrëmë, teksa ky luante kundër Barcelonës, besoj do ta emërojmë drejtor ujsjellësi diku së shpejti…”
Për ata që nuk janë familjarë, me historinë e “skifterave” në Europë që bëhen drejtorë në Shqipëri, ironia ka lidhje me grabitjen e shtëpisë para 9 vitesh të Karim Benzema sulmuesit të Realit të Madridit nga një shtetas shqiptar që në Shqipëri ishte drejtor ujësjellësi. Prej 9 vitesh qëndronte në fuqi vendimi i gjykatës në Spanjë për arrestimin e grabitësit dhe po prej 9 vitesh personi ishte në post publik, megjithëse i denoncuar nga opozita më 2019! Denoncimi nga opozita ishte për “grabitjen e shtëpisë së yllit të Realit të Madridit.” Ish drejtori “skifter” u arrestua vetëm në maj të këtij viti pas nënshkrimit të marrëveshjes së ekstradimit mes Shqipërisë dhe Spanjës.
Historia e “skifterëve” që kthehen në drejtorë është vetëm maja e ajsbergut. Problemi i personave me rekorde kriminale nuk kufizohet vetëm në nivelet e dyta të administratës si rasti i skifterit të Benzemas, por është i shtrirë në pushtet lokal dhe qendror, në bashki, në qarqe, në institucione qëndrore, në nivele të mesme dhe të larta të administratës dhe edhe në Parlament.
Për të adresuar problemin me “zyrtarët me të shkuar problematike”, 7 vjet më parë në dhjetor të 2015, Parlamenti miratoi ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funksion publik”. Aq shtrëngues u bë ligji sa i ndalon kandidimin personave që me kryerjen e veprimeve apo mos veprimeve kanë shkelur së paku një prej … 60 neneve të Kodit Penal!
Në rrjetën e “dekriminalizimit” ranë deputetë, kandidatë për deputetë, kryebashkiakë, këshilltarë dhe mbi 100 zyrtarë të tjerë. Megjithëse ligji është i rreptë, dhe rastet e largimit nga funksionet janë publike të shumta dhe të bujshme, sipas një zyrtari të Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë këtyre viteve numri i personave që kanë probleme me të shkuarën dhe që tentojnë kandidimin për poste publike në vend që të vinte në ulje është në rritje.
Edhe pas 7 vitesh Komisioni Qendror i Zgjedhjeve apo Prokuroria kanë nën hetim kandidatë që garuan në zgjedhjet e fundit lokale. Individë, të përjashtuar nga funksionet publike nga ligji i dekriminalizimit në pamundësi për të garuar vetë kanë provuar, jo pa sukses, kandidimin e fëmijëve, të afërmve apo të personave që i kanë nën kontroll. Si rregull dhe traditë zgjidhjen e një problemi që nuk e zgjidh ligji e kërkojmë te ashpërsimi i mëtejshëm i ligjit. Pavarësisht se rrjeta e dekriminalizimit është tejet e imët, një “rrjetë” më efektive do të ishin vetë partitë politike. Nëse do të funksiononte skaneri i partive politike, ndoshta nuk do të ishte nevoja që Parlamenti të miratonte më 2015-të ligjin “për integritetin…”. Përfaqësuesit politikë shfajësohen për kandidatët me njolla me justifikimin: “nuk e dinim”, “nuk e njihnim”, “përgjegjësia është individuale”.
Por nëse lista e kandidatëve si për zgjedhjet lokale- ashtu edhe për zgjedhjet parlamentare, nuk dorëzohet në minutën e fundit të afatit ligjor në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por bëhet publike në kohë, edhe nëse partitë “nuk dinë gjë” vetë publiku mund të japë një ndihmë për organet ligjzbatuese. Në të njëjtën kohë transparenca në kohë e listave do të shtonte ngurrimin për të kandiduar tek individët që e dinë se çfarë kanë bërë në të shkuarën e tyre. Mund të bësh ligjin më të mirë në botë, mund të parashikosh sanksione nga më të ashprat mund të marrësh ekspertizën më të mirë ndërkombëtare, por nuk merr kurrë rezultatin e synuar nëse mungon vullneti politik për të adresuar në rrënjë problemin e (de)kriminalizimit. Më shumë se pjesë e zgjidhjes, partitë janë pjesë e problemit. Por jo të vetmit.
Fakti që në Shqipëri, të akuzuarit në vende të BE-së për vrasje, trafik droge, grabitje shtëpish kanë mundur të “konvertohen” në deputetë, kryetarë bashkie apo drejtor ujësjellësish kërkon analizë dhe përgjegjësi jo vetëm te partitë politike, te liderët e tyre apo institucionet si prokuroria. Fenomeni nuk është vetëm politik, por edhe social.
Përtej ligjit dhe mungesës së vullnetit politik të partive, problemi qëndron edhe tek modelet e suksesit që shfaqen në shoqëri dhe te mënyra se si media portretizon “njerëzit e fortë”, të ashtuquajturit “biznesmenë” apo “njerëz me ndikim”.
Lajmet nga kronika e zezë ku njoftohen vrasje për “larje hesapesh” shoqërohen me epitetin “biznesmenë”. Personat që angazhohen në “shit-blerje” të votave, paraqiten si njerëz me ndikim dhe kur ndodh ndalimi apo arrestimi i një “drejtori” media lokale e paraqet si njeri për të cilin komuniteti ka respekt se ka ndihmuar “njerëzit në nevojë”.
Për hir të votave partitë kanë mbyllur herë njërin sy dhe herë tjetrin dhe në çdo rast kanë mbyllur gojën. Heshtja ndaj individëve me probleme apo problemeve të dukshme gjithmonë është pasur me një faturë të lartë. Në mesin e viteve 90, për hir të votave (o)pozita heshti për fenomenin masiv të fajdeve nga frika se fajdet ishin shumë popullore. Edhe sot, pas 25 vitesh vijojmë të paguajmë “faturën” që pasoi heshtjen nga fajdet. Në 2016 u hesht për kanabizimin- se “lufta ndaj kanabisit” nuk të sjell vota. Pasojat e kanabizimit i shohim sot dhe do t’i shohim edhe nesër.
Është kthyer në mit “aftësia” që disa individë kanë për të “mbledhur” vota. Vota e dhënë ndaj këtyre individëve përkthehet në pushtet dhe piramida e pushtetit të tyre nis me Parlamentin e Shqipërisë, vijon me kryetarë bashkie dhe drejtorë të rëndësishëm në Institucione Qendrore dhe përfundon me drejtorë ujësjellësish. Çfarë pune prish një drejtor ujësjellësi? Në dukje asnjë punë, por sa herë ka lajme kur grabiten yjet e futbollit (Karim Benzema, Tomas Muller, Leo Messi etj), pyetja në Tiranë është: kush do të jetë “drejtori i ardhshëm i ujësjellësit”.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).
https://abcnews.al/karim-benzema-tomas-muller-dhe-skifteret-qe-behen-drejtore/