Këshilli i Lartë Gjyqësor realizon funksionin dhe misionin e tij nëpërmjet mbledhjes plenare dhe Komisioneve. Komisionet e Këshillit organizohen në të përhershme dhe të përkohshme. Disa nga funksionet kryesore të Këshillit të Lartë Gjyqësor janë miratimi dhe zbatimi i planit strategjik për sistemin e gjyqësor dhe raportimi para Kuvendit mbi gjendjen e tij. Ai është përgjegjës për miratimin e standardeve të etikës gjyqësore, rregullave të sjelljes të gjyqtarëve dhe mbikëqyr respektimin e tyre. Këshilli emëron gjyqtarët dhe është përgjegjës për zhvillimin e karrierës dhe disiplinën. Ai i propozon Presidentit të Republikës, kandidatët për Gjykatën e Lartë. Këshilli kujdeset për mirëfunksionimin e shërbimeve të administrimit gjyqësor dhe burimeve njerëzore në gjykata. Ai harton buxhetin vjetor dhe është përgjegjës për mbikëqyrjen e shpenzimeve. Këshilli në ushtrim të funksioneve nxjerr akte, të cilat botohen në këtë faqe interneti në rubrikën Vendime sipas llojit të aktit.