Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi, nga radhët e juristëve joprokurorë. Mandati i anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë eshtë 5-vjeçar; mbarimi i mandatit deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ushtron këto funksione:
a) i propozon Kuvendit kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm;
b) vendos për masat disiplinore ndaj prokurorëve të të gjitha niveleve;
c) miraton rregullat për etikën e prokurorëve dhe mbikëqyr respektimin e tyre;
d) emëron, vlerëson, ngre në detyrë dhe transferon prokurorët e të gjitha niveleve;
e) informon publikun dhe Kuvendin mbi gjendjen e prokurorisë;
f) propozon dhe administron buxhetin e tij.