Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në mbledhjen e datës 12.02.2020 shqyrtoi projektvendimin:
“Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z. Mirush Osman Dema (Troci), anëtar i këshillit të Bashkisë Kamëz, në zbatim të ligjit nr.138/2015 ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. KQZ vendosi të shpallë të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit të këshilltarit të bashkisë Kamëz, z. Mirush Osman Dema (Troci).
Prokuroria e Përgjithshme i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i heqë mandatin këshilltarit bashkiak të Kamzës, Mirush Dema.
Pas një verifikimi të thelluar të 28-vjeçarit, prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Xholi, ka dalë në përfundimin se subjekti në fjalë është në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit si anëtar i Këshillit Bashkiak në Kamzë.
Nga verifikimet e kryera, Dema rezulton se është dënuar në Zvicër, pasi i ka dhënë disa doza heroinë një punonjësi policie atje. Në Zvicër, Dema është dënuar me gjeneralitetet Mirush Troca.
Por në formularin e vetëdeklarimit, ai ka sqaruar se më herët ka mbajtur mbiemrin Troca dhe më pas e ka kthyer në Dema, pasi është martuar.
“Interpol Bern/ Zvicër ka njoftuar se shtetasi Mirush Troci, i pajisur me pasaportë shqiptare e vlefshme deri më 24.04.2021, është ndaluar për herë të parë nga autoritetet zvicerane në datën 27.11.2014, ku ka rezultuar se nuk ishte pajisur me leje qëndrimi zvicerane.
Ndërkohë, në datën 3.12.2014, ai është arrestuar në Gjenevë, Zvicër, pasi i kishte ofruar një punonjësi policie 4 qese me heroinë. Në lidhje me këtë çështje, ai është proceduar penalisht, si dhe është dënuar me 60 ditë gjobë”, thuhet në dokumentin e Prokurorisë së Përgjithshme, që i është dërguar KQZ-së. Po në Gjenevë, Dema është dënuar dhe për dhunim banese, pasi ka hyrë pa leje në një bodrum. Ndërkohë më herët, këshilltari bashkiak i Kamzës është kapur dhe dëbuar nga Suedia.
Të mërkurën pritet që të mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të vendosur për mandatin Mirush Demës./Gazeta Liberale