Demokratët kërkojnë heqjen e mandatit të kreut të Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, si i përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore në Itali.
Grupi Parlamentari i PDsë, i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, i dërgoi dje Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë për verifikimin e figurës së kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshit. Sipas Grupit të PD-së, ai rezulton i përfshirë dhe i dënuar për trafik të qenieve njerëzore dhe prostitucion në Itali. Kërkesa është firmosur nga një grup prej 15 deputetësh ku i kërkohet organit të akuzës të ndjekë procedurat sipas ligjit të dekriminalizimit.
“PD, kërkesë Prokurorisë së Përgjithshme: Të hetohet kryebashkikaku i Divjakës. I dënuar për trafik të qenieve njerëzore dhe prostitucion në Itali. Deputetët e Partisë Demokratike, kërkesë Prokurorit të Përgjithshëm, për zbatimin e ligjit të dekriminalizimit/ Kryetari i Bashkisë Divjakë, i dënuar për trafik të qenieve njerëzore. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar sot (dje) Prokurorit të Përgjithshëm hetimin e Fredi Kokoneshit, kryetarit të Bashkisë Divjakë, për shkak se rezulton i përfshirë dhe i dënuar për trafik të qënieve njerëzore në Itali.
15 deputetë të PD i kërkojnë organit të prokurorisë që të ndjek procedurat sipas ligjit të dekriminalizimit”, thuhet në kërkesën e PD-së. Sipas demokratëve, nga të dhënat të bëra publike më parë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Fredi Kokoneshi ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik. “Nga të dhënat të bëra publike më parë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se subjekti Fredi Kokoneshi ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik. “Kryetari i Bashkisë Divjakë ka kryer trafik të qenieve njerëzore dhe veprimtari të paligjshme të lidhura me prostitucionin në Milano dhe për pasojë, ai ka qenë i arrestuar nga Policia italiane dhe i dënuar me burg”, thuhet në kërkesën e firmosur nga 15 deputetë.
Mes deputetëve që kanë firmosur janë: Ervin salianji, Agron Gjekmarkaj, Orjola Pampuri, Andia Ulliri, Tomor Alizoti, Enkeljed Alibeaj, Grida Duma, Flutura Acka, Dasnor Sula etj. Fredi Kokoneshi reagoi për akuzat nga ana e partisë demokratike. Ai deklaroi se këto janë akuza të përsëritura, të njëjta me të vitit 2018. Kryebashkiaku socialist akuzoi deputetin Gazment Bardhi se po e shantazhin, pasi po i verifikohet prona e një resorti në Divjakë, ku sipas Kokoneshit, është strehë për demokratin. Por i menjëhershëm ishte reagimi i deputeti të PD-së, Gazmend Bardhit. Ai shprehet se deklarata e Kokoneshit është e njëjtë me atë të Agim Kajmakut dhe Valdrin Pjetrit. Sipas Bardhit, ligji i dekriminalizimit është prioritet dhe Grupi Parlamentar i PD-së është i vendosur për të pastruar politikën nga rekordet kriminale. Pak javë më parë kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, denoncoi në polici se ishte dhunuar fizikisht nga një 32- vjeçar, i identifikuar si Dritan Sterkaj.
Reagimi, Kokoneshi: Bardhi po më shantazhon, po i verifikoj resortin
Kryetari i Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi, reagoi dje pas akuzave për trafikim të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni nga 15 deputetë të PD-së. Kokoneshi mohoi akuzat teksa deklaroi se për të njëjtat shpifje është hetuar edhe në vitin 2019 dhe ka rezultuar i pastër. Në një reagim Kokoneshi thotë se këto janë akuza të përsëritura të vitit 2018. Ai shprehet se në një vendim të Prokurorisë në vitin 2019, figura e tij rezulton e pastër. Kryebashkiaku socialist ka akuzuar deputetin Gazment Bardhi se po e shantazhon, pasi po i verifikohet prona e një resorti në Divjakë, ku sipas Kokoneshit, është strehë për demokratin.
“Akuza të përsëritura. Të njëjta më të vitit 2018. Ka një vendim të prokurorisë 15 korrik 2019 ku figura ime është e pastër, pas kontrolleve brenda dhe jashtë shtetit. Akuzat për shkak të një anëtari të Këshillit Kombëtar të PD-së, Dritan Stërkaj. Resorti i tij, ‘Divjaka resort’, strehë e Gazmend Bardhit. Ashtu siç i kam kallëzuar në Prokurori, do t’i kallëzoj sërish. Gaz Bardhi do të më shantazhojë, sepse po verifikoj pronat e ‘Divjaka resort’”, tha kryebashkiaku.
Por, deputeti i PD-së, Bardhi, në kundërpërgjigjen e tij shkruan se deklarata e Kokoneshit është e njëjtë me atë të Agim Kajmakut dhe Valdrin Pjetrit. “Lexova një reagim të një trafikanti qeniesh njerëzore të denoncuar nga vetë PS dhe m’u kujtua Valdrin Pjetri dhe Agim Kajmaku në akuzat ndaj meje. Ishte e njëjta gjuhë dhe të njëjtat argumente. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është prioritet dhe Grupi Parlamentar i PD-së ka qenë dhe do mbetet i vendosur për të pastruar politikën nga personat me rekorde kriminale. Trafikantët dhe të korruptuarit duhet të jenë në burg dhe jo në krye të institucioneve”, shkruan Bardhi.
Nga VALENTINA MADANI/
http://www.panorama.com.al/fredi-kokoneshi-i-denuar-per-prostitucion-pd-kerkese-prokurorise-hiqi-mandatin-kryetari-i-bashkise-se-divjakes-mohon-akuzat-bardhi-po-me-shantazhon/