Roli i Kuvendit
Kuvendi është organi që legjitimizohet nga vullneti popullor, nëpërmjet zgjedhjeve, ai gëzon një pozitë të fortë në sistemin shtetëror dhe kjo shprehet qartë në Kushtetutën e Shqipërisë. Përveç kësaj Kuvendi gëzon një të drejtë kontrolli mbi organe dhe institucione të tjera kushtetuese apo të krijuara me ligj (funksioni kontrollues), duke i ndaluar në këtë mënyrë këto organe të ndërmarrin, në mënyrë të pavarur, vendime në kundërshtim me vullnetin popullor. Të gjithë anëtarët e Parlamentit kanë përgjegjësinë të përfaqësojnë opinionin e zgjedhësve të tyre gjatë debateve të ndryshme parlamentare në mënyrë të tillë që të shprehin, sa të jetë e mundur, çfarë kërkon shumica e zgjedhësve, që përfaqësohet nga mazhoranca parlamentare.
Struktura dhe organizimi i Kuvendit
Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga 140 deputetë. Ai zgjidhet për një periudhë 4 vjeçare. Kuvendi i Shqipërisë është i përbërë nga një dhomë e vetme dhe anëtarët e tij zgjidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kuvendi i zhvillon punimet e tij vjetore në dy sesione. Ai e organizon veprimtarinë e tij nëpërmjet një akti normativ, që është Rregullorja e Kuvendit, e cila varet drejtpërdrejt vetëm prej normave kushtetuese dhe miratohet me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit (neni 75/2 i Kushtetutës).
Detyrat e Kuvendit
- Funksioni legjislativ
- Funksioni elektoral (për të zgjedhur)
- Funksioni kontrollues