Ligjërimi mbi dekriminalizimin? Të gjithë akuzojnë të gjithë për korrupsion dhe lidhje me krimin. Politikanë përgjegjës nën hetim? Politikanë “non grata”? Parti me elementë e tipare korrupsioni apo inkriminimi? Standardet e karrierës politike dhe standardet e integritetit? A kanë reflektuar partitë tona politike mbi parimet e integritetit dhe të dekriminalizimit 6 vjet pas miratimit të ligjit që e bëri Shqipërinë vendin e vetëm në kontinent me koncept të dekriminalizimit në Kushtetutë dhe ligjet organike?
Për të pasur panoramë të plotë të gjendjes dhe ligjërimit politik e publik mbi këto tematika nuk mjafton vetëm analiza e qëndrimeve të partive politike dhe politikanëve të vecantë, por edhe monitorim i raportimeve në mediat kryesore, trendet e raportimit dhe vendi që zënë lajme të tilla në hirearkinë e lajmeve ditore politike.
Stafi i Instituti i Studimeve Politike (ISP) kreu monitorimin e ligjërimit politik të reflektuar në raportimet e medias gjatë periudhës tetor-dhjetor 2021, si pjesë e projektit “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy).
GJETJET KRYESORE TË MONITORIMIT
- Temat e dekriminalizimit, integritetit në politikë, politikanëve non grata dhe akuzave për lidhje të politikës me krimin apo të përfshirjes në korrupsion, kanë qenë temat dominuese të raportimeve mediatike mbi zhvillimet politike në peirudhën tetor-dhjetor 2021. Vendimi i SHBA lidhur me z. Berisha dhe ndikimet e vendimit të PD për pezullimin e tij nga grupi parlamentar, zhvillimet pasuese përfshirë debatet mbi demokracinë e brendshme dhe organizimet e takimeve publike të quajtur “foltore”, ishin kryetema e katër muajve të fundit.
- Debati politik dhe ligjërimi publik mbi këtë rast dhe pasojat e tij në skenën politike treguan se ndonëse dekriminalizimi dhe integriteti në politikë kanë qenë kryetemë në 5-6 vitet e fundit, de facto partitë kishin evituar debatet reale dhe aplikimin e standardeve të dekriminalizimit dhe të integritetit në strukturat e tyre drejtuese. Kriza në PD tregoi se asnjëherë nuk ka pasur një qasje të qartë dhe reale me parimet e dekriminalizimit dhe se vetë kjo parti ka dështuar të aplikojë standarde meritokracie, transparence dhe llogaridhënie, pavarësisht deklarimeve afirmative publiek.
- Debati tregoi gjithashtu se edhe partitë e tjera kryesore politike, përfshirë PS në qeveri dhe LSI në opozitë, më shumë e përdorin retorikën e dekriminalizimit dhe të integritetit në politikë në funksion të konsumit ditor politik sesa kanë një sistem apo qasje të ndryshme nga PD lidhur me këto cështje. PS nuk arriti të shmangë asnjë figurë të saj drejtuese të përfshirë në akte kriminale, nën hetim për korrpsion apo pjesë e listës amerikane “non grata”, ndërkohë që LSI iu kundërvu presionit perëndimor, duke e konsideruar cdo formë penaliteti si akt politik pro qeverisë.
- Zhvillimet e 4 muajve të fundit treguan gjithashtu se retorika mbi strukturat etike dhe të verifikimeve paraprake në partitë politike, – retorika e fushatës elektorale të PD për aplikimin e sistemit të primareve në përzgjedhjen e kandidatëve apo për aplikimin e sistemit të vetdeklarimit dhe konkurrimit në përzgjedhjen e kandidatëve në PS, ishte fiktive, e pabazuar dhe e mbështetur më shumë në motive propagande sesa të ekzistencës dhe funksionimit të tyre.
- Mediat i dhanë jehonë deklarimeve të palës amerikane dhe europiane lidhur me rëndësinë e dekriminalizimit të politikës dhe të qëndrimeve kritike ndaj personave të përfshirë në listat “non grata”, por nga ana tjetër, mediat u reshtuan në favor të qqëndrimeve politike të palëve, pa arritur të krijojë një sistem presioni të së mirës dhe interesit publik ndaj partive politike, sjelljes, kandidatëve dhe krizave të brendshme të tyre. Mediat më shumë u vetshndërruan në shtojca të tribunave politike të palëve rivale në PD dhe më pas, palëve rivale në skenën politike, sesa informuan publikun dhe ndikuan në krijimin e një mjedisi dekurajues për politikanët e inkriminuar ose të korruptuar.
- Një gjetje tjetër e rëndësishme është se media dhe ligjërimi politik e publik morën të mirëqenë cdo raportim apo sinjal për të dhëna korruptive të ndonjë politikani, pa hyrë në verifikime paraprake të saktësisë të të dhënave, duke treguar se media e politika më shumë u kujdesën të “ushqejnë publikun” me akuza ndaj politikavëne të kundërt, sesa për të respektuar parimet etike të informimit dhe parimet etike të komunikimit politik dhe publik. Rasti “Hoti” ishte tipik, kur një deputete u vu në qëndër të akuzave, raportimeve dhe sulmeve politike denigruese, sic rezultoi, pa pasur një bazë reale të dhënash faktike.
- Një tipar tjetër i dukshëm i retorikës politike dhe publike, dhe bashkë me to, edhe i raportimeve mediatike, ishte tendenca e zyrtarëve përgjegjës në qeverisje për ta përdorur dekriminalizimin dhe nevojën e integritetit në politikë si mjet politik për të denigruar dhe atakuar rivalët politikë, gjë që në cdo rast krijon paqartësi në publik , sjell politizim të debatit dhe pamundëson shanset për një hetim serioz të fakteve, të dhënave dhe përgjegjësive të të akuzuarve apo të akuzuesve.
Raporti i plote mund te lexohet ose shkarkohet ketu:
Raport Monitorimi – ligjerimi politik dhe publik mbi dekriminalizimin dhe integritetin