Demokracia funksionale, së paku në dy dekadat e fundit ka një shfaqje të dukshme krize, e cila reflekton në pjesëmarrjen gjithnjë e më të ulët të qytetarëve në zgjedhje dhe në proceset e tjera të vendimmarrjes. Tërheqja e qytetarëve nga angazhimi politik e shoqëruar me pavendosmëri dhe refuzim të pjesëmarrës në votime, nuk lidhet me “lodhjen” nga demokracia, por me zhgënjimin që ata kanë tek një prej institucioneve kryesore të përfaqësimit të interesave të tyre – tek partitë politike!
Partitë politike, si i vetmi mekanizëm që përcjell vullnetin e qytetarëve tek institucionet qeverisëse dhe përfaqësuese, prej kohësh kanë nisur të shfaqin probleme të brendshme, të cilat reflektojnë direkt ose indirekt tek perceptimi që kanë qytetarët për demokracinë funksionale. Por, siç dihet, pavarësisht këtyre problemeve që shfaqin forcat e ndryshme politike, ato mbeten i vetmi mekanizëm që nëpërmjet procesit zgjedhor, siguron përcjelljen e vullnetit të qytetarëve tek institucionet shtetërore. Në tërësinë e tyre, partitë politike kanë ardhur duke e tkurrur numrin e anëtarëve të tyre dhe sidomos të atyre që paguajnë kuotat. Në vendet me demokraci të re, siç është Shqipëria, ende kemi në këmbë parti tradicionale të fuqishme, të cilat u kanë bërë ballë tendencave sporadike dhe periferike për t’i sfiduar; nismat e grupimeve të reja politike apo partive të ndryshme, nuk kanë mundur të godasin ballas partitë e mëdha, të themeluara, kryesisht në vitin 1990 e më pas. Por këto parti, si edhe në shumë vende të tjera, kanë brenda tyre një erozion të vazhdueshëm, që po i largon gjithnjë e më shumë prej votuesve. Nga njëra palë zgjedhjesh tek tjetra, shohim se si rritet mazhoranca e popullit abstenues. Ngurtësia e ligjit për partitë politike dhe disa probleme që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nuk krijojnë kushte që vota e lirë të sjellë në pushtet (në përfaqësim) forca apo grupime të reja politike.
Nëse në Shqipëri, do të vijohet të pranohet si “legjitim dhe demokratik” përfaqësimi mazhoritar i bazuar tek një minorancë votash, atëherë, i bie që demokracinë e lexojmë thjeshtë si ligj teorik. Pra, kësisoj, edhe nëse në një zonë zgjedhore dalin, p.sh, gjithsej tre veta, dhe dy votojnë njërin kandidatin X, “ligjërisht” dhe teorikisht, ky kandidat ka “fituar” me dy të tretat e votave. Por, sot, ka ardhur koha që të pyesim seriozisht; sa është përqindja e atyre që nuk përfshihen në votëbesimin e organeve të reja, pra në zgjedhjen e deputetëve apo qeveritarëve lokalë? Nëse ne, për inerci vazhdojmë të “ndërtojmë” një demokraci të tillë jo përfaqësuese, atëherë, duhet të presim si kundër-reagim një demokraci jofunksionale, një autokraci.
Shumica e disa vendeve në Evropë, por edhe në Amerikën Latine dhe vende të Afrikës, kanë provuar t’u hapin shtegun lëvizjeve populiste. Ato janë parë fillimisht si një mekanizëm “demokratik” për të tejkaluar modelin e partive të vjetra. Por pas shumë eksperimenteve, populizmi ka dëshmuar se nuk ka baza të qëndrueshme që lidhen me konsolidimin e demokracisë. Dhe njerëzit i janë rikthyer nevojës për të përmirësuar, modernizuar, rithemeluar dhe riorganizuar partitë tradicionale. Natyrisht, që nga viti 1990, në disa vende të Evropës kemi parti tradicionale, kryesisht konservatore, të cilat janë shuar, si pasojë e kostove që kanë paguar në reformat e ndërmarra apo, në vijim të qasjes në qeverisje, kanë shkrirë kufijtë ideologjikë me kundërshtarët e tyre. Besoj të gjithë e kujtojnë platformën “Blair” për “rrugën e tretë”. Kjo në fakt ishte një përpjekje për të shpëtuar partitë politike nga falimentimi ideologjik.
Shqipëria është në prag të votimeve të 14 Majit për pushtetin e ri lokal dhe, në përgjithësi, beteja politike po zhvillohet mes partive dhe aktorëve të vjetër, tradicional. Ndaj dhe kemi pak a shumë të njëjtin model të garës elektorale (mbivendosje e qendrës së partisë mbi degën lokale dhe mbivendosje të figurës së liderit mbi profilin e kandidatëve për kryetar bashkie). Duket se të gjitha palët, në thelb shprehin nevojën për “mbijetesë”; mazhoranca kërkon rikonfirmim të fitores pa garë të vitit 2019 dhe krijimin e parakushteve për të fituar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025; opozita e grupuar në koalicionin “Bashkë Fitojmë”, kërkon vota për mbijetesën e saj politike pas datës 15 maj për t’u konsideruar si “opozita reale” e certifikuar nga vota popullore; partia tradicionale Demokratike (PD), me gjithë kaosin e saj të brendshëm, kërkon që nëpërmjet votave të 14 majit të certifikojë legjitimitetin që i ka dhënë gjykata dhe shumë pak janë ato subjekte, që kërkojnë apo që mund të hyjnë në fushën e lojës.
Ajo që bie në sy gjatë zhvillimit të kësaj fushate është mungesa e llogaridhënies, e dominuar nga premtimet dhe retorika denigruese kundër rivalëve politikë. Llogaridhënia nga partitë politikë, duhej të ishte një nga shtyllat kryesore morale të funksionimit të tyre. Mirëpo, është krijuar një traditë aspak demokratike, që askush në këtë vend, përfshi partitë politike, nuk e njeh dhe nuk e ushtron llogaridhënien, si koncept të marrëdhënies me qytetarët. Në mungesë të saj, kanë hyrë në lojë mekanizma të tjerë të pisët, siç është blerja e votës, intimidimin për të deformuar vullnetin e lirë të zgjedhësve, përdorimi i aseteve shtetërore por edhe private, marrja e buxhetit të fushatës nga burime të zeza, involvimi i kontingjenteve lokale kriminale, me influencë kërcënimi tek votuesit, injorimi i llogaridhënies buxhetore pas fushatës, mungesa e transparencës në ndarjen e buxheteve për zonat dhe kandidatët, injorimi i propozimeve (kandidaturat) që sjellin qytetarët dhe grupet e ndryshme të interesit, pandërshkueshmëria ndaj figurave të njohura politike të akuzuara publikisht për korrupsion në shkallë të gjerë, dekurajimin e drejtësisë për të dënuar çdo rast korruptiv apo abuziv që lidhet me zgjedhjet, etj.
Për fat të keq, raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet në Shqipëri (kryesisht ato të OSBE-ODIHR) duken si kopje të njëra – tjetrës, duke shprehur të njëjtat probleme dhe rekomandime. Ne kemi zgjedhje “në tërësi të pranueshme” dhe asnjëherë nuk kemi dhënë një shembull pozitiv për t’u marrë nga të tjerët, përfshi Kosovën, Maqedoninë e Veriut apo Malin e Zi. Kjo vjen për arsye se partitë politike në Shqipëri, janë më shumë parti qeverisëse, sesa parti që ngrihen mbi baza të qarta ideologjike dhe programore. Ngjashmëria në objektiva dhe mungesa e një dallimi ideologjik, ka bërë që edhe programet elektorale të tyre të duken të ngjashme. Kjo ka sjellë vështirësi tek zgjedhësit, për të bërë dallimin dhe kori i atyre që thonë se “këta janë njësoj të gjithë”, të rritet e të rritet vazhdimisht. Sot beteja politike duket më shumë e personalizuar mes liderëve të njohur, sesa një ballafaqim alternativash për funksionimin e qeverisjes dhe demokracisë lokale.
Për aq kohë sa partitë tona politike tradicionale, kanë si synim kryesor pushtetin, elementët demokratik të shtetfunksionimit, do të lihen anash. Mungesa e demokracisë brenda-partiake, reflekton në shkallë të gjerë, kur këto parti marrin pushtetin. Prandaj, në çdo kohë, jo vetëm në proces zgjedhjesh, shtrohet nevoja për një politikë të pastër dhe me integritet, për një politikë të dekriminalizuar dhe që mbështet drejtësinë brenda saj dhe institucionet e drejtësisë jashtë saj. Pa paragjykuar rezultatet e zgjedhjeve të 14 majit, uroj dhe shpresoj, që çdo parti politike të marrë mësimet e duhura, për të ndryshuar kursin e marrëdhënies me publikun, duke nisur nga llogaridhënia!
Sa më demokratike dhe me integritet do të jenë partitë tona politike, aq më funksionale dhe e vërtetë do të jetë demokracia jonë! Pas zgjedhjeve, aktorët kryesorë, duhet të kenë vullnetin të ndryshojnë ligjin për partitë politike, duke prekur edhe Kushtetutën, me qëllim, që politika të mos jetë monopol i dy tre partive apo tre katër individëve, por të hapet porta për prurje të reja, që e shëndoshin demokracinë dhe rikthejnë besimin e qytetarëve tek politika dhe partitë politike!
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).