ÇFARË DIMË PËR KRIMINALIZIMIN?
Sot dimë 4 gjëra për kriminalizimin e shoqërisë dhe institucioneve politike shqiptare.
Së pari, dimë që për HERE TË PARË ndotja dhe depërtimi i shoqërisë dhe institucioneve politike nga individë me sfond kriminal ndodhi me zgjedhjet parlamentare të 1997.
Së dyti, dimë që gjatë 25 viteve te fundit, DINAMIKA dhe simbioza e shoqërisë politike me botën e kriminalitetit ka shfaqur dy tipare kryesore: 1) rritje të numrit të rasteve, dhe 2) rritje të sofistikimit të mënyrave të pranisë së individëve me sfond kriminal në shoqërinë dhe institucionet politike.
Në fillim, individët me sfond kriminal numëroheshin me gishta, vinin nga burgje shqiptare, dhe ishin pa ndonjë shportë serioze burimesh financiare. Në vitet më pas, individët me sfond kriminal që hynë në politikë ishin më të sofistikuar në statusin e tyre. Ata varionin dhe përfshinin nga shefa policie të kthyer në biznesmenë, në individë me ndikim të fortë socio-psikologjik në komunitete apo rajone gjeografike të caktuara, deri tek biznesmenë burimi i të ardhurave të të cilëve ishin trafiqet (prostitucion, armë, drogë), fondet publike në nivelin e pushtetit qendror dhe lokal, apo aktivitete të tjera të ilegale dhe të paligjshme (kumar, baste, evazion fiskal në dogana). Nëse në vitet e para, sfondi kriminal i individëve lidhej me realitete tërësisht shqiptare, në vitet e mëvonshme historiku i aktiviteteve kriminale të individëve kishte dimensione “ndërkombëtare”.
Së treti, dimë që kriminalizimi 25-vjeçar i shoqërisë dhe institucioneve politike shqiptare nuk është as rastësor, as një aberrancë e përkohshme nga normaliteti demokratik, por ishte rezultat i një sërë PARAKUSHTESH dhe FAKTORËSH stimulues.
Padyshim, kultura politike e gjymtë e trashëguar nga regjimi 50-vjeçar i Enver Hoxhës, mungesa e një tradite apo trajnimi demokratik, jetëshkurtësia e modelit të politikanit me bindje dhe vizionar, varësia e aktivitetit ekonomik dhe bizneseve në vullnetin subjektiv dhe pushtetin e politikaneve, ishin disa nga parakushtet që ishin më se të mjaftueshme që shoqëria dhe institucionet plitike shqiptare të ecnin drejt kriminalizimit. Por faktorët reale që nxitën dhe përshpejtuan kriminalizimin ishin në fakt të natyrës “demokratike”: 1) nevoja për të realizuar rotacionin politik, 2) nevoja për të thyer dominimin e një force politike në bastionet e së majtës apo së djathtës, dhe 3) nevoja për të patur sa më shumë vota, si e vetmja mënyrë për të marrë pushtetin.
Së katërti, dimë që IMPAKTI i kriminalizimit ka qenë i tmerrshëm në dy dimensione: 1) Sferat ku u shtri, dhe 2) Funksionimin e shëndetshëm demokratik të institucioneve dhe sjelljen e aktorëve politikë.
Kriminalizimi nuk kurseu asnjë sferë.
- në Qeverisje ai preku Legjislativin, Gjyqësorin, Pushtetin Qendror, dhe Pushtetin Lokal;
- në Administratë Publike preku ministritë dhe agjenci publike si Policia, Doganat, Drejtoritë Rajonale, Tatimet, Kadastër;
- në Shoqërinë Civike preku Median dhe Universitetet.
- tek Aktorët dhe Proceset Politike preku Partitë, Zgjedhjet, deri dhe Qytetarin si rrënja katrore e shoqërisë.
Efektet e kriminalizimi ishin negative, dëmet rezultuan afat-gjata.
- Për Legjislativin dëmi që solli mbushja me “të fortët” e parave të pista ishte në 1) Përfaqësim, dhe 2) Ligj-bërje. “Përfaqësuesit” në parlament nuk ishin më produkt i votës së lirë por i fuqisë blerëse dhe ndikuese të individëve të caktuar. Parlamenti, nga një vend debati dhe serioziteti u kthye në një teatër të injorancës, kulisave, dhe retorikës “më-njeh-kush-jam, të-njohin-kush-je”. Vetë ligjet u hartuan në funksion të të fortëve dhe interesave të tyre.
- Në Gjyqësor, kriminalizimi solli 1) Mungesën e Drejtësisë, dhe 2) Korruptimin e Drejtësisë. Gjykatat, nga një vend i “peshores se drejtësisë” u kthye në vendin ku i shërbehej “prurësit më të parë, më të fuqishëm financiarisht”. Korruptimi i Gjyqtarëve, blerja e drejtësisë, justifikoi Vetingun. Dhe ky proces spastrues, megjithë problemet e veta, tregoi se një numër i madh i njerëzve të drejtësisë, përtej problemeve me profesionalizmin, kishin grumbulluar pasuri të pamundshme për tu justifikuar.
- Në Ekzekutiv, kriminalizimi ndyu 1) Vendim-Marrjen, 2) Politikat Publike, dhe 3) Paranë Publike. Vendim-Marrja, nuk ka reflektuar hierarkinë e kompetencave, studimet shkencore dhe sugjerimet e tyre, debatin dhe konsensusin institucional, por u barazua me preferencat individuale të kryeministrit te radhës. Politikat publike nuk kanë qenë në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarit dhe hapjes së mundësive për zhvillim por kanë avancuar interesat e një grushti personash të njohur si “oligarkë”. Reformat kanë qenë ose të gabuara, ose gjysmake, ose fare. Aksesi në Paranë Publike u bë selektiv dhe klientelist. Destinimi i saj reflektonte lidhjen mes interesave të pushtetarit për vota dhe etjes së oligarkëve për pasurim galopant dhe të sigurt. PPP-të janë shembulli më i fundit ilustrues sesi Paraja Publike në vend të shkonte në funksion të reformave thelbësore, reale, efektive që të përmirësonin cilësinë e jetës, u fut në xhepat e oligarkëve në shërbim të pushtetit të ditës.
- Në Pushtetin Lokal, kriminalizimit goditi 1) Qeverisjen Transparente, 2) Administratën Lokale, dhe 3) Fondet Buxhetore. Kryetarët e Bashkive nuk kanë dhënë kurrë llogari kujt për vendimet që kanë marrë. Vetë Bashkitë u kthyen në fole punësimi të militantëve partiake dhe individëve të sponsorizuar nga “të fortët” e komunitetit. Ndërsa fondet e Bashkive janë shpenzuar më së shumti në ato drejtime ku ka patur dhe kanë qenë në shërbime të interesave të grupeve të caktuara.
- Në Administratën Publike kriminalizimi minoi 1) Sistemin e Punësimit dhe Karrierës, dhe 2) Cilësinë dhe Efektivitetin e Administratës Publike. Sistemi i karrierës nuk u bazua në meritokracinë por në lidhjet klientelisto-politike. Punësimi jo vetëm që nuk paraprihej nga një verifikim paraprak në backgroundin e kandidatit por edhe ndikohej dhe përcaktohej nga njohjet dhe ligjet politike të kandidatit. Problemet që administrate public ka demonstruar në performancën e saj janë dokumentuar në një sërë raportesh dhe monitorimesh.
- Në Agjencitë Publike kriminalizimi çoi në 1) Politizimin, 2) Mos-Funksionimin, dhe 3) Inefiçencën e tyre. Pozicionet drejtuese të tyre u përdorën si “shpërblim” për militantët partiakë apo individët e sponsorizuar nga individë apo grupe me sfond kriminal. Funksionimi i tyre ka vuajtur mungesën e stabilitetit për shkak të ndryshimit të shpeshtë të drejtuesve në varësi të grupit apo interesave dominatë të momentit. Nga pikëpamja e eficencës, institucionet dhe agjencitë kanë reflektuar problemet me punësimin klientelist dhe militant, interesat në lojë, dhe përdorimin e tyre nga qeveria si kamxhik kundër subjekteve të vënë në shënjestër nga qeveria e ditës.
- Tek Partitë Politike dëmi i kriminalizimit ka qenë i jashtëzakonshëm. Sepse i hapi rrugë 1) Degradimit të Demokracisë së Brendshme, 2) Problemeve me Përfaqësimin, dhe 3) Financimit Ilegal. Partitë humbën edhe atë pakëz demokraci të brendshme që kishin treguar pas 1990-të sepse penetrimi, ndikimi, dhe “investimi” i individëve me sfond apo lidhje kriminale në strukturat apo lidershipin e partisë solli brenda partive hegjemoninë e liderit, personalizimin e vendim-marrjen, fiktivitetin e strukturave dhe anëtarësisë, si dhe vrau debatin dhe llogari-dhënien e brendshme. Mbledhja e votave përmes fuqisë blerëse apo shantazhuese të “të fortëve” të lagjes, qytetit, apo një krahinë të tërë, bëri që partitë të humbisnin lidhjen me shtresat e elektoratit që përfaqësonin. Në luftën për të ruajtur apo marrë pushtetin, aftësia e individëve me lidhje kriminale për të vënë në dispozicion të partive para të gjeneruara nga aktivitete ilegale, të pista, apo të ndëshkueshme, dhe nevoja e partive për sa më shumë para, bëri që partitë të mos deklaronin asnjëherë origjinën e parave që ato përdornin.
- Në Media, kriminalizimi goditi 1) Raportin e Medias me të Vërtetën, dhe 2) Raportin e Medias me të Drejtën dhe Shtetin Ligjor. Nën ndikimin e individëve me burime, lidhje, apo influence kriminale, mediat vizive apo e shkruar u shndërruan në gjobëvënëse, në shërbëtore të pushtetit dhe qeverisë së ditës, dhe në biznese të mbajtur me para nga buxheti. Në Shqipëri mediat i kanë bërë jehonë jo të vërtetës “së vërtetë”, por të vërtetës së interesave okulte. Në Shqipëri rrallë herë mediat shqiptare janë ngritur në mbrojtje të së drejtës dhe shtetit ligjor. Por edhe kur e kanë bërë, arsyet nuk kanë qenë as vetë e drejta, as adherenca ndaj shtetit ligjor, por kanë qenë interesat okulte që janë përplasur dhe kanë detyruar median të mbajë anë.
- Tek Qytetari, Komunitetet, apo Shoqëria si tërësi, kriminalizimi goditi 1) Raportin Qytetar-Institucione Politike dhe 2) Setin e Vlerave dhe Besimeve. Qytetari shqiptar humbi besimin tek institucionet politike, drejtësia, dobia, dhe efektiviteti i tyre. Fuqia, influenca, dhe efektiviteti i “të fortëve” në Shqipëri çoi në kultivimin brenda psikikës dhe sjelljes civile dhe politike të individit shqiptar të dy “vlerave”: të pranimit të një realiteti të tillë si diçka “normale”; dhe po ashtu, të pranimit brenda vetes të pafuqisë së individit për të luftuar dhe penguar këtë kriminalizim dhe pasojat e tij.
Së pesti, dimë që kriminalizimi, në këto 10 vitet e fundit, me gjithë atakimin që i është bërë këtij fenomeni, me gjithë rënien e lehtë që ka treguar, përsëri ai vazhdon të jetë PREZENT në shumicën e sferave të shoqërisë politike shqiptare, në mendësinë dhe sjelljen e individit dhe grupeve politike në Shqipëri.
Që nga viti 2015, kur u aprovuan Ligjet 137/2015, dhe 138/2015, prezenca e individëve me sfond kriminal ka pësuar një rënie por nuk është eliminuar. Monitorimet e kryera nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) në këto 10 vitet e fundit kanë treguar se individë me sfond kriminal kanë vazhduar të jenë prezentë edhe brenda partive, edhe tek listat e kandidatëve të partive politike si për zgjedhje të përgjithshme parlamentare ashtu edhe për ato vendore, edhe në fushatat elektorale, edhe në administratën dhe agjencitë publike, edhe në pushtetin qendror, edhe në pushtetin lokal, edhe në gjyqësor, edhe në media. Akuzat publike për individë të inkriminuar që kërkojnë votën e qytetarëve nuk munguan as edhe për zgjedhjet e 14 Majit 2023.
PYETJET QE DALIN
Diapazoni i kriminalizimit dhe kalcifikimi i dëmeve që ka sjellë të bën të pyesësh:
- A është i mundur eliminimi i KRIMINALIZIMIT?
Në eliminimin e kriminalizimit:
- ka rëndësi jo numri i forcave anti-kriminalizim që vihen në lëvizje por efektiviteti i tyre!
- ka rëndësi jo marrja me pasojat por eliminimi i shkaqeve që prodhojnë kriminalizimin dhe pasojat e tij.
Në këtë logjikë, ka disa pyetje “plotësuese” që mund të bëhen.
- Nëse kriminalizimi i shoqërisë dhe politikës shqiptare është i mundshëm, atëherë, cilët janë forcat anti-kriminalizim që duhen vënë në lëvizje?
- Nëse kriminalizimi mund të eliminohet me kundërveprimin e forcave anti-kriminalizim, atëherë:
=Cili duhet të jetë fokusi i këtyre forcave?
=Çfarë do duhej të bënin këto forca anti-kriminalizim që ato të ishin efektive në ç’rrënjosjen e kriminalizimit?
=Fokusi i tyre do duhej të ishte përballja me pasojat apo përballja me shkaqet e kriminalizimit?
Nëse i bëhet një analizë forcave anti-kriminalizim që janë vënë në lëvizje nga 2015 e këtej, çfarë do të tregonte kjo analizë?
- A kanë qenë të mjaftueshme forcat anti-kriminalizim të vëna në lëvizje?
- Deri në çfarë mase mund të thuhet se forcat anti-kriminalizim kanë qenë të suksesshme në eliminimin e pasojave?
- A kanë arritur forcat anti-kriminalizim të vëna në lëvizje të godasin rrënjët, shkaqet e kriminalizimit?
DEKRIMINALIZIMI PËRBALLË KRIMINALIZIMIT
Esenca e “Kriminalizimit” të institucioneve dhe politikës shqiptare nënkupton dy elementë:
- mbështetjen tek, apo përdorimin e individëve me sfond kriminal, nga një parti politike, për të mbledhur sa më shumë vota dhe realizuar objektivin politik të ardhjes së pushtetin; dhe
- promovimin, futjen, dhe praninë e individëve me sfond kriminal në Institucionet e Qeverisë (Kuvend, Ekzekutiv, Gjyqësor, Pushtet Lokal), në Administratën Publike (Ministri, Agjenci Publike), dhe në Media (Vizive, të Shkruar).
Në këtë kuptim, dekriminalizimi nënkupton dy gjëra:
- prapësimin, zhbërjen, dhe eliminimin e pasojave të kriminalizimit. Kjo është e realizueshme përmes nxjerrjes së akteve ligjore, marrjes së masave administrative, dhe zbatimit të ligjit. Thënë më qartë: Nëse “dihet” dhe provohet që një person ka një post publik për shkak të sfondit të tij kriminal, mjafton që ky person të largohet nga ai post publik (Deputet, Ministër, Drejtor, etj) dhe “pasoja” mund të konsiderohet e “eliminuar”.
- pengimin dhe parandalimin e përsëritjes së kriminalizimit në të ardhmen. Kjo është e arritshme vetëm përmes identifikimit të shkaqeve të kriminalizimit dhe “investimit” në vënien dhe mbajtjen në veprim të të gjithë atyre forcave që do të eliminonin shkaqet ose parandalonin formimin e kushteve që stimulojnë kriminalizimin. Por ndryshe nga përballja me pasojën, përballja dhe eliminimi i shkakut të kriminalizimit është më i vështirë. Kërkon kohë, konsistencë, mos-neglizhencë. Kërkon përballje me shkaqet e vërteta, jo shkaqet e stisura apo të gabuara. Sepse nëse eliminimi i pasojave mund të realizohet edhe me një ligj apo vendim administrativ, eliminimi i shkaqeve nuk bëhet dot më akte administrative. Këto të fundit, padyshim mund të ndihmojnë. Por për shkak se kriminaliteti ka natyrë dhe është produkt njerëzor, shkaqet tij mund të shkojnë përtej instrumenteve juridike. Rrënjët e kriminalizimit mbase duhet kërkuar dhe menaxhuar në kulturën politike, setin e vlerave dhe besimeve që karakterizojnë individin, grupin, shoqërinë shqiptare. Një individ, përpara se të jetë bërë një “i fortë”, një deputet, një ministër, apo Kryeministër, ka qenë pjesëtar i një komuniteti, grupi, shoqërie, brenda së cilës ai ka arritur të kuptojë predisponimin, afilacionet, dhe tolerancën e shoqërisë shqiptare ndaj individëve, praktikave, dhe botës me sfond kriminal.
Shkurt, dekriminalizimi i shoqërisë dhe institucioneve politike shqiptare, do të ishte efiçent dhe i suksesshëm jo thjesht duke u marrë me pasojat, por duke u investuar në identifikimin dhe përballjen me shkaqet reale të kriminalizimit. Në këtë kuptim, pyetja që procesi i nisur i dekriminalizimit në Shqipëri nga 2015 e këtej nuk i ka dhënë dot përgjigje solide është:
- Procesi i deritanishëm i dekriminalizimit është marrë me pasojat apo me shkaqet?
- A do arrijë procesi i dekriminalizimit të identifikojë shkaqet reale të kriminalizimit dhe përballet me to për të pamundësuar përsëritjen e këtij fenomeni në të ardhmen?
NJË VËSHTRIM I SHKURTËR I FORCAVE ANTI-KRIMINALIZIM
Nga 2015 deri më sot mund të identifikohen tre grupe kryesore faktorësh anti-kriminalizim që janë vënë në lëvizje.
Grupi i parë, me NATYRË JURIDIKE përmbledh vënien në lëvizje të 4 forcave kryesore aktorësh juridikë:
- Kushtetutën,
- Kuadrin Ligjor,
- Legjislativin,
- Gjyqësorin, dhe
- Entitete brenda apo jashtë Shqipërisë që operojnë në fushën e drejtësisë si psh Komisioni i Vetingut, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Komisioni i Venecias, Gjykata e Strasburgut, apo Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Arma anti-kriminalizim e këtij grupi janë “instrumentet legale” – ndryshimet kushtetuese, ligjet e reja, modifikimi i ligjeve ekzistuese, vendimet e gjyqësorit.
Fokusi dhe kontributi i pritshëm i aktorëve të këtij grupi janë roli i tyre sa në eliminimin e pasojave, aq edhe në parandalimin e përsëritjes së fenomenit!
Pyetja që mund të bëhet për këtë grup faktorial është:
- Sa efektiv ka qenë grupi në eliminimin e pasojave? Në parandalimin e vazhdimit apo përsëritjes së fenomenit?
- Nëse ky grup mund të pretendojë efektivitet dhe suksesshmëri, ku ka arritur të jetë më i suksesshëm? Në eliminimin e pasojave? Apo në parandalimin e vazhdimit dhe përsëritjes së fenomenit?
Fakti që edhe pse ky grup është vënë në lëvizje që në 2015, përsëri edhe sot në 2023 mund të flitet për vazhdimësi dhe përsëritje të fenomenit të kriminalizimit, legjitimon konkluzionin që grupi mund të ketë qenë efektiv në përmballjen me pasojat, por nuk ka qenë aq në përballjen me shkaqet. Siç vë në dukje edhe ISP në monitorimet e saj, ky grup ka arritur të jetë i suksesshëm në përballjen me pasojat e kriminalizimit. Sepse ai, përmes kuadrit ligjor, ka arritur të pastrojë shoqërinë dhe institucionet politike shqiptare nga një numër elementësh me lidhje të fuqishme dhe sfond të spikatur kriminal. Por në të njëjtën kohë, monitorimet e ISP tregojnë gjithashtu se ky grup nuk ka mundur të godasë të gjithë shkaqet që prodhojnë kriminalizim. Kjo duket në vazhdimin e prezencës se individëve me sfond kriminal në shoqërinë dhe institucionet politike shqiptare.
Grupi i dytë, me NATYRE POLITIKE, përmbledh 5 forca kryesore aktorësh politikë:
- Pushtetin Qendror,
- Pushtetin Lokal,
- Partitë Politike,
- Institucionet dhe Agjencitë Publike, dhe
- Faktorin Ndërkombëtar të përfaqësuar nga SHBA, BE, dhe Britania e Madhe.
Arma anti-kriminalizim e këtij grupi janë “sjellja dhe aksioni politik” – përqafimi i vlerave dhe besimeve anti-kriminalizim në bazë të sjelljes dhe veprimtarisë së tyre politike.
Fokusi dhe kontributi i pritshëm i aktorëve të këtij grupi janë 2 drejtime:
- mundësimin nga ana e tyre të vënies në lëvizje të grupit të parë me natyrë juridike, duke mbështetur çdo ligj të ri po ndryshim të ligjeve të vjetër, dhe
- ndërmarrjen e hapave konkrete prej tyre si në eliminimin e pasojave të kriminalizimit ashtu edhe në parandalimin e tij.
Sa efektiv ka qenë ky grup në realizimin e pritshmërive sa i përket kontributit të tij në krijimin e Kuadri Ligjor anti-kriminalizim, eliminimin e pasojave, dhe parandalimin e përsëritjes së fenomenit?
Ajo që mund të thuhet për performancën dhe efektivitetin e ndikimit të këtij grupi është që brenda tij, vetëm ndikimi i Faktori Ndërkombëtar mund të konsiderohet “pozitiv”, ndërsa për sa i përket faktorëve të tjerë, rekordet flasin për një performancë mikse dhe ushtrim ndikimi me karakter si pozitiv ashtu edhe negativ.
Partitë Politike konsiderohen faktori kryesor në parandalimin e kriminalizimit. Sepse janë partitë politike ato që vendosin të mbajnë ose përjashtojnë brenda vetes individë me sfond apo lidhje kriminale. Janë partitë politike ato që vendosin të përjashtojnë apo promovojnë brenda partisë, në institucionet politike, apo në administratën dhe institucionet e tjera publike individë me lidhje apo aktivitet kriminal. Siç edhe vënë në dukje Monitorimet dhe Raportet e ISP, kontributi dhe ndikimi i partive politike është i “dyfishtë”: pozitiv kur bëhet fjalë për “partinë tjetër”, rivalin politik; negative kur bëhet fjalë për veten, për ndërmarrjen e hapave që do të rivendosnin demokracinë xhenuine brenda partisë, fuqizonin zërin e strukturave dhe anëtarësisë në vendim-marrje, shndërronin proceset dhe standardet në filtruesit e vërtetë të individëve, dhe hiqnin dorë nga mbështetja dhe përdorimi i burimeve financiare ilegale, të pista, ose kriminale. Për më tepër, partitë politike dhe lidershipi i tyre kanë sofistikuar ruajtjen dhe vazhdimësinë e marrëdhënieve me “të fortët” duke hequr dorë nga individët me lidhje dhe veprimtari kriminale por duke mbajtur dhe promovuar në gjirin e vet dhe institucionet politike dhe të qeverisjes djemtë dhe bijat e individëve me veprimtari dhe ndikim kriminal.
Pushteti Qendror, Pushteti Lokal, Institucionet dhe Agjencitë Publike janë 3 faktorë të tjerë që do të kontribuonin pozitivisht në spastrimin e institucioneve dhe administratës publike nga individë me lidhje dhe influenca kriminale. Por në vend të kësaj, ajo që vazhdon të vihet re në administratën dhe institucionet publike është vazhdimi i pranisë së individëve të cilët, ose kanë pasur lidhje dhe veprimtari kriminale, ose kanë lidhje gjaku me individët me aktivitet kriminal, ose janë klientë të grupeve me aktivitet kriminal që përdorin dhe vënë në dispozicion të tyre pushtetin, autoritetin, vendim-marrjen, politikat, dhe burimet financiare.
Shkurt, në këtë grup faktorial, vetëm performancës dhe ndikimit së Faktorit Ndërkombëtar mund ti vihet shenja “pozitiv”. Ndërsa për katër faktorët e tjerë, fakti që 10 vjet pas aprovimit të dy ligjeve bazë kundër kriminalizimit Ligjit 137/2015, dhe Ligjit 138/2015, në korridoret e selive të partive politike, të ministrive, të administratës publike, të agjencive publike, dhe të bashkive vazhdon të shohësh praninë e individëve me lidhje me botën kriminale, tregon që këta faktorë, në rastin më të mirë, kanë dështuar në eliminimin e pasojave dhe parandalimin e përsëritjes së fenomentit, pra, kanë dështuar të ushtrojnë ndikim pozitiv. Në rastin më të keq, ato i janë kundërvënë ndikimit pozitiv të faktorëve të tjerë anti-kriminalitet, kanë ushtruar ndikim negativ, dhe kanë kontribuar në zhvleftësimin e ndikimit pozitiv të faktorëve të tjerë anti-kriminalitet.
Grupi i Tretë, me natyrë civile përmbledh vënien në lëvizje të 5 faktorëve social-ekonomikë:
- Median,
- Shoqërinë Civile,
- Universitetet,
- Komunitetet, dhe
- Individin dhe Grupet Sociale, si rrënja katrore e shoqërisë.
Arma anti-kriminalizim e këtij grupi nuk është kapaciteti për të marrë vendime por ndikimi që to mund të ushtrojnë në eliminimin e pasojave, parandalimin dhe mospërsëritjen e fenomenit të kriminalizimit.
Fokusi dhe kontributi i pritshëm i këtyre aktorëve është krijimi tek shoqëria dhe individi shqiptar i një mendësie anti-kriminalizim; është ngulitja dhe përqafimi nga indivi, grupet, komunitet, organizatat, e gjithë shoqëria të vlerave dhe besimeve anti-kriminalizim.
Dy pyetje mund të bëhen për rolin, kontributin, dhe ndikimin e faktorëve të këtij grupi:
- A kanë qenë faktorët e këtij grup efektiv në realizimin e pritshmërive ndaj tyre për një kontribut të suksesshëm në parandalimin e përsëritjes së fenomenit të kriminalizimit?
- A kanë qenë këta faktorë aq efektivë në krijimin e një atmosfere të tillë, që do ti bënte të pamundura jetën, veprimin, dhe ndikimin e atyre kushteve sociale, psikologjike, ekonomike, që stimulojnë dhe e shtyjnë individin, grupet, komunitetet, tërë shoqërinë shqiptare të pranojë si “normale” rolin dhe ndikimin e individëve kriminalë në jetën e tyre individuale dhe në institucionet shoqërore-politike?
Edhe në këtë grup, ashtu si në grupin e dytë, roli, kontributi, dhe ndikimi i faktorëve brenda tij varion nga faktori në faktor.
Në rastin e rolit dhe kontributit të Shoqërisë Civile, ndikimit të saj mund ti vihet nota “pozitiv”. Agjentët e shoqërisë civile, siç është rasti i ISP, kanë bërë një punë të lavdërueshme në evidentimin, dokumentimin, dhe publikimin e rasteve dhe marrëdhënieve institucionale dhe politike me sfond kriminal. Brenda fuqisë së tyre ndikuese, me ekspertizën e tyre, ata janë përpjekur të ndikojnë mbi vendim-marrësit, aktorët politikë, institucionet që këta të bëjnë gjënë e duhur që kërkon dekriminalizimi.
Në rastin e Medias, rolit, kontributit, dhe ndikimit të saj, në rastin më të mirë mund ti japësh notën “miks”, në rastin më të keq, mund ti japësh notën “negativ”. Mediat shqiptare, sidomos ato vizive, edhe kur zhvillojnë luftën kundër kriminalizimit, nuk ë bëjnë këtë gjë nga pozita parimore, në emër të së mirës publike, por në funksion përplasjes së ditës dhe në shërbim të interesave të grupit më të fuqishëm.
Në rastin e Universiteteve dhe Komuniteteve, për kontributin e tyre mund të flitet pak, ose aspak. Roli, kontributi, dhe ndikimi i Universiteteve në luftën anti-kriminalizimi mund të thuhet se ka qenë inekzistente. Dhe po njëjta gjë mund të thuhet edhe për komunitetet e tjera sociale, ekonomike, fetare, apo shkencore.
Vaterloja më e madhe e procesit të dekriminalizimit mbetet refuzimi i faktorit që ka të bëjë me Individin, Grupet, Shoqërinë Shqiptare për tu angazhuar në luftën kundër kriminalizimit “nga poshtë”, si një thirrje e brendshme. Është e vërtetë se një nga arsyet e lulëzimit të kriminalizimit të institucioneve dhe politikës shqiptare ishte mungesa e instrumenteve ligjorë për tu përballur me të dhe ndëshkuar kriminalizimin. Por autori i kësaj eseje i përmbahet tezës se më parë se prej boshllëkut ligjor, kriminalizimi i institucioneve dhe politikës shqiptare ndodhi prej predispozicionit të shqiptarëve për të lejuar kriminalizimin. Ndodhi prej gëlimit brenda mendjes dhe kulturës socio-politike të individit shqiptar të vlerave të tilla si pranimi i të fortit të lagjes, të qytetit, të rajonit, si realitet objektiv; mosbesimi në fuqinë e votës demokratike, shitja e votës, rreshtimi pas liderit të partisë pa asnjë qëndrim kritik ndaj veprimeve të tij.
Ndaj në betejën për dekriminalizimin, nuk ka edhe aq rëndësi fakti që ISP ka konstatuar në sondazhet e veta nëse shqiptarët e pranojnë apo jo ekzistencën e kriminalizimin. Në betejën për dekriminalizimin rëndësi ka angazhimi e individit, grupeve, shoqërisë shqiptare në luftë reale kundër lidhjeve të politikës me botën kriminale. Fakti që dekriminalizimi i deritanishëm ka suksesuar aty ku është ndërhyrë “nga lart”, por vazhdon të shfaqet dhe jetë prezent aty ku lufta kundër kriminalizimit kërkon bërjen e saj “nga poshtë”, tregon se individi, grupet, dhe shoqëria shqiptare nuk janë përfshirë ende në luftën kundër kriminalizimit të shpallur nga institucionet dhe aktorët politikë brenda dhe jashtë Shqipërisë.
DY FJALË PËRMBYLLËSE
Arsyet e mos-angazhimit të faktorit individ-grup-shoqëri dalin përtej kësaj eseje. Sigurisht që duhen eksploruar! Sepse nëse duam që dekriminalizimi të suksesojë, kjo nuk mund të ndodhë pa vënë gishtin mbi dhe ndërmarrë veprime ndaj shkakut real. Dhe në mendimin e autorit të kësaj eseje, përballja me setin e vlerave dhe besimeve që udhëheqin shqiptarin në sjelljen e përditshme, që materializojnë veprimet e tij dhe shndërrohen në realitete konkrete, është një ndër kyçet e suksesit.
Nëse Gjermania, Japonia, Italia e pas luftës së dytë botërore arritën të shkëputeshin nga e kaluara nazi-fashiste; nëse ato arritën të demokratizoheshin dhe shndërroheshin në demokraci të shëndetshme, kjo nuk ndodhi vetëm se SHBA i pushtoi dhe ndihmoi rimëkëmbjen e tyre nga të gjitha pikëpamjet – politike, ekonomike, financiare, ushtarake, teknologjike, shkencore. Suksesi i transformimit të tyre i dedikohet faktit që individ dhe shoqëritë Gjermane, Japoneze, Italiane të pas-Luftës së dytë Botërore, ndryshuan rrënjësisht setin e VLERAVE dhe BESIMEVE mbi të cilën individi si rrënja katrore e shoqërisë, dhe institucionet politike, si mishëruese të vullnetit plural, ushqeu trurin, bazoi veprimin, konceptoi marrëdhëniet, institucionet, drejtësinë, shtetin. SHBA u investuan dhe bënë të pamundurën që kjo të ndodhte!
Në kontekstin shqiptar të dekriminalizimit, SHBA ishin iniciatorët e këtij procesi. Deri tani ky angazhim përfaqëson një plus të fuqishëm në eliminimin e pasojave të kriminalizimit. Por ky angazhim nuk ka arritur të garantojë dhe nuk ka rezultuar i suksesshëm në eliminimin e shkaqeve të kriminalizimi. Pra, të çlirimit njëherë e mirë nga, dhe mospërsëritja e fenomenit të kriminalizimit!
Dekriminalizimi, që të mos rezultojë në rezultate simbolike, që të mos mbetet në ujërat “kriminalizimi ka shënuar rënie, por përsëri ka prezencë”, që të arrijë eliminimin e plotë të kriminalizimit, ka nevojë të çojë thikën e vet në vendin që i takon!! Që të ndodhë dekriminalizimi i institucioneve dhe politikës shqiptarë, duhet të investohet fort për dekriminalizimin e mendjes, sjelljes, setit të vlerave dhe besimeve të individit shqiptar!!
A do arrijnë SHBA të bëjnë këtë gjë? A janë gati për tu investuar në çrrënjosjen e pasojave të kriminalizimit tek mendësia dhe sjellja e individit, rrënjës katrore të shoqërisë dhe demokracisë, ashtu siç bënë pas 1945 në Gjermani, Japoni, dhe Itali?
A do arrijnë Shqiptarët të bëjnë këtë gjë? Të ndryshojnë mendësinë dhe qëndrimin e tyre ndaj rolit dhe influencës së individëve dhe grupeve me sfond kriminal në jetën e tyre individuale, në jetën e komunitetit, në jetën e institucioneve politike, në proceset zgjedhore, në cilësinë dhe funksionimin e institucioneve dhe agjencive publike? A janë gati ata për ta bërë këtë? Kjo mbetet për tu parë!
Ky material është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).
* Edmond Çata (PhD) është drejtor ekzekutiv, Instituti i Studimeve per Arsimin e Larte ne Shqiperi (ISAL-Albania)