Krimi dhe pushteti janë dy të kundërta që tentojnë të bashkohen. Në një shoqëri demokratike pushteti përfaqësohet nga vullneti i qytetarëve të cilin krimi shumë herë ka tentuar ta përvetësojë për t’u përfaqësuar në institucionet shqiptare, qofshin qendrore apo vendore jo për qëllime demokratike, por për të përfituar nga të mirat publike.
Historia jo shumë e largët ka treguar që persona me rekorde jo të vogla kriminale kanë arritur të bëhen pjesë e kupolës së pushtetit qytetar, Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, në sallën e parlamentit u krijua një grup deputetësh të cilët për nga përkatësia politike ishin të ndarë, por për nga historiku kriminal ishin të njëjtë.
Kësisoj, politika me iniciativë të opozitës u investua për të miratuar ligjin e dekriminalizimit, ku më shumë se sa motive parimore, nuk u fshehën asnjëherë as motivet pasi akuzat ndaj mazhorancës nuk ishin vetëm që sollën persona me rekorde kriminale në Kuvend, por për shkak të tyre arritën që të merrnin dhe të mbanin pushtetin.
Lista e personave që iu ndërpre mandati për shkak të dekriminalizimit ka vijuar deri vonë. Jo vetëm me ndërprerjen e mandateve të të zgjedhurve por edhe të personave që pavarësisht rekordeve kriminale, kanë tentuar që të bëhen pjesë e administratës publike. Për të folur me shifra konkrete janë 9 deputetë të penalizuar, 8 kryetar bashkie të shkarkuar dhe në hetim, 38 këshilltar në këshillat bashkiak, 281 persona të larguar nga administrata publike etj.
Shifrat tregojnë dy anët e njërës medalje. Nga një krah janë personat e larguar nga funksionet publike, nga ana tjetër dëshmojnë se krimi tenton gjithmonë të shtrijë veprimtarinë e tij edhe në institucionet shtetërore. Kjo panoramë kristalizohet edhe më tej kur sheh të dhënat për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Problematikë që përsëritet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se zyrtarisht janë në hetim të thelluar 38 kandidatë në zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit 2023. Nga të cilët 10 kanë kandidatë për kryetarë bashkie ndërsa 28 janë kandidatë për këshilltarë bashkiak. Por kjo shifër, nëse krahasohet me personat e dërguar që në fillim të procesit për verifikim është më e ulët. Kjo pasi fillimisht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dërgoi pranë seksionit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme 41 kandidatë, tre prej të cilëve, çuditërisht u tërhoqën nga gara. Bëhet fjalë për Afrim Kicën, kandidat i Partisë Lëvizja e Legalitetit për këshillin bashkiak Tiranë; Arbis Vjerdha, kandidat i Partisë Agrare Ambientaliste për këshillin bashkiak Shkodër; Erlin Braçja, kandidat i Partisë Reformave Demokratike për këshillin bashkiak Gramsh. Të tre këto kandidatë hoqën dorë nga zgjedhjet, çka për pasojë bëri që verifikimi i thelluar i tyre të pushohet. Ndonëse këto emra përfaqësojnë kandidatë të partive politike pa peshë politike referuar zgjedhjeve të shkuara, duket se tentojnë më shumë të gjejnë një vulë për të hyrë në garë.
Të metat e pandrequra të ligjit
Ligji për dekriminalizimit është ndërtuar mbi një filozofi të thjeshtë. Personat që kandidojnë në zgjedhje apo që synojnë të bëhen pjesë e administratës publike duhet të bëjnë një vetëdeklarim të jetës së tyre, mbi gjeneralitetet, precedentët penal, ndalesat nga punonjësit e policisë apo koha e qëndrimit jashtë Shqipërisë. Nëse këto deklarime figurojnë të rreme, atëherë, sipas praktikës së mëparshme institucionale, bëhet ndërprerja e funksionit publik. Por ballafaqimi i të dhënave dhe hetimi i thelluar i tyre tregon dy mangësi kryesore të këtij ligji. E para është koha. Seksioni i dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme nuk ka mundur që të bëj kontrollin e pastërtisë së figurës brenda një afati të shkurtër pasi informacioni është kërkuar ndaj vendeve të tjera, ku sipas përcaktimeve ligjore, janë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Zvicra, SHBA, Kanada dhe Australisë.
Këtu lind problematika e parë pasi për disa persona të cilat janë dërguar për verifikim të thelluar, shtete të caktuara vonojnë në kthimin e përgjigjes. Problematika e dytë ka të bëj me shtrirjen e këtij ligji. Në kohën kur është miratuar nisma, dhjetor të vitit 2015, Mbretëria e Bashkuara ishte pjesë e Bashkimit Evropian, ndonëse nisma “Pro Brexit” kishte filluar fushatën e saj. Kësisoj, me daljen nga Unioni, praktikisht Mbretëria e Bashkuar nuk përfshihet në listën e vendeve ndaluese.
Më shumë se dy vite më parë, pranë Kuvendit të Shqipërisë u depozitua një nismë për amendimin e ligjit të dekriminalizimit ku kërkonte që të bënte pjesë e ndalimit në ushtrimin e funksionit publik apo kandidimit edhe të atyre individëve që kanë precedent penal në Mbretërinë e Bashkuar por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, nismë e cila mbeti në sirtarët e Kuvendit.
Krahas kësaj, zbatimi i normave ligjore ndonjëherë bëhet më strikt se sa vetë parashikimi i nismës. Nga lista e dërguar për verifikim të thelluar janë disa kandidat të cilët e kanë kaluar këtë filtër që në vitin 2021 kur garuan në zgjedhje, dhe ridërgohen për verifikim po për të njëjta çështje. Të tillë janë rastet e Argron Kapllanajt, Rezeart Tusha, Gentjan Muça, Artur Bushi e të tjerë duke ulur seriozitetin e zbatimit të ligjit.
Kësisoj, lind nevoja për rishikim tërësor të kësaj nisme për të përmirësuar edhe më tej efektivitetin e tij.
Politizimi dhe interpretimi i nismës
Pavarësisht efekteve pozitive që ka pasur ligji i dekriminalizimit, sërish mënyra e zbatimit është interpretuar e disa herë politizuar, aq më shumë kur vendimi duhet të merret për të zgjedhur. Ligji parashikon se institucioni që bën ndërprerjen e mandatit është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku historia e deritanishme dëshmon se për raste të ngjashme ka mbajtur qëndrime të ndryshme. Rasti më konkret është ai i Agim Kajmakut, ish-kryetar i Bashkisë Vorës dhe Qerim Ismailaj, Kryetar në detyrë i Bashkisë Mallakastër. Për rastin e parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të ndërpresë mandatin nën argumentin se nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një gjyq penal në shtetin grek, gjyq të cilin në kohën e verifikimit përfundoi me pafajësinë e tij. Ndërsa për rastin e dytë, z. Ismailaj është dënuar nga autoritetet greke për kalim të paligjshëm të kufirit, vepër të cilën nuk e kishte deklaruar në formularin e vetëdeklarimit. Për këtë mosdeklarim, ai u dënua edhe nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për falsifikimin e formularëve, dënim i cili u konvertua në 30 orë punë të detyrueshme. Por në rastin e dytë, KQZ konstatoi se ai nuk është në kushtet e ndërprerjes së mandatit nën argumentin se dënimi është jashtë parashikimeve ligjore. Për pasojë, nisma është politizuar duke u anatemuar publikisht.
Por pavarësisht qasjeve të ndryshme politike, interpretimeve të normave ligjore për interesa politike, apo anatemim publik të saj, sërish dekriminalizimi është një e keqe e domosdoshme për shoqërinë shqiptare. E keqe pasi Shqipëria është nga ato vende që është detyruar të miratoj një ligj të tillë, çka dëshmon se krimi tenton gjithmonë të bëhet pjesë e institucioneve shtetërore dhe pasja e një ligji të tillë bëhet i domosdoshëm. E pavarësisht rezultatit të dhënë deri më tani, ky ligj mund të konsiderohet një histori suksesi, ku së paku, këto individ me rekorde kriminale qëndrojnë larg institucioneve publike.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).