Në maj të zgjedhjeve të 2011, një 36 vjeçar trupvogël iu drejtua vendit ku gjerbte kafen e mëngjesit Pandeli Majko dhe Edi Rama. “Unë do marr bashkinë e Kavajës”, iu drejtua ai kryeministrit. Rama pa nga Majko dhe e pyeti: “Si të duket?”. “Napoleoni i vogël ka qenë” iu përgjigj Majko. Por ai nuk ishte rasti i trupit të vogël me ndikim të madh. Ai djalë që “doli” nga një batutë fjalësh mes dy njerëzve të kohëve të ndryshme në PS njihej publikisht si Elvis Roshi. Aktualisht i larguar (por jo i përjashtuar nga politika) me një vendim të Gjykatës së Lartë, Elvis Roshi i dha për herë të parë Partisë Socialiste një bastion demokrat. Ai fitoi bashkinë e Kavajës dy herë radhazi dhe drejtoi për periudhën maj 2011-maj 2016 një zonë që historikisht kishte votuar për Sali Berishën si deputet dhe kandidatët e së djathtës për kryebashkiak. Por me një kosto të lartë politike.
Elvis Roshi “miku” i dikurshëm i Edi Ramës ishte “viktima” e parë e ligjit të dekriminalizimit, një ligj që për nga përmbajtja vetë avokati i Roshit në Kushtetuese, Theodhori Sollaku do të shprehej se ishte më i ashpri në botë deri në kufijtë e anti-kushtetueshmërisë. Theodhori Sollaku jepte një argument ligjor si palë në proces për një ligj që, sipas tij, nuk ishte parë askund. Ashtu siç për dy mandate rresht, në funksion të egos politike se ai i kishte marrë “kalanë” Sali Berishës, Edi Rama, do të shprehej se Elvisi apo “Vini” sicc ai pëlqente ta thërriste (i dënuar më herët në tre vende) ishte si shumë të rinj, që ndoqën rrugën e vështirë jashtë vendit për një jetë më të mirë. Duke e relativizuar me gjithë emigrantët e tjerë, “Vini” (me pesë emra) sipas Edi Ramës nuk kishte “asnjë mister në emrin e tij”, se ishte “personi i nderuar në drejtimin e duhur” dhe se kavajasit “duhet të kishin sytë në ballë” kur shkonin tek kutia e votimit.
Sigurisht që Rama eci me këtë tezë, por organet e drejtësisë jo. Kur procesi mori formë gjyqësore para dokumentesh të servirura nga organet ligjzbatuese jashtë vendit, Edi Rama u detyrua ta “lëshonte” benjaminin fitues të Kavajës “për shkelje të rënda të ligjit”, edhe pse Roshi vijoi të qëndronte në detyrë do muaj më pas. Ai nuk u përjashtua asnjëherë nga partia me vendim zyrtar, por u konsiderua nga PS si i vet-përjashtuar dhe i la Ramës një çmim të madh, atë të fitores së një bastioni të kundërshtarit, me vullnet të dyshimtë kriminal.
Rasti “Roshi” është fenomeni tipik se si drejtuesit kryesor të politikës në vend (ka ndodhur edhe nga Berisha e Meta) përdorën disa individë si instrumente për të dominuar në rrethana politike të caktuara, duke i dhënë leksikut politik një anë të errët se për hir të pushtetit nuk ka rëndësi emri, formimi, oratoria, integriteti, dija, përvoja, aftësia apo argumentet, por fuqia manipuluese për ndikim votash.
Me instrumente të tillë ata që drejtojnë sot politikën e kanë më të lehtë edhe për t’i shantazhuar kur devijojnë si rasti “Kajmaku” në Vorë apo për t’i përdorur në rastin më të keq për kalkulime të pastra elektorale siç ishte rasti “Koka”. Lefter Koka nuk iu bashkua vendimit të LSI-së për të lënë mandatet e shkurtit të 2019-ës. Për këtë arsye, Koka nuk u kursye më pas nga ish drejtuesja e tij Monika Kryemadhi përmes disa padish në SPAK. Ai u ‘përdor’ nga PS-ja në procesin për inceneratorët, duke i dhënë edhe shërbimin e fundit Ramës; një mandat më shumë deputeti në favor të PS-së në qarkun Durrës, duke ia hequr LSI-së. Ende pa u ngritur Kuvendi i ri, Lefter Koka dha dorëheqjen e beftë (me një përmbajtje që nuk i përshtatej staturës dhe ambicies që kish në politikë) se misioni i tij kish mbaruar sepse “çdo gjë e kish një kohë”. Dhe koha për Kokën erdhi vetëm tre muaj pas dorëheqjes me një akuzë konkrete nga SPAK për shpërdorim detyre në rastin e inceneratorëve aty ku dyshohet se janë bërë pis një taborë funksionarësh në PS deri në nivele të larta drejtuese.
Rasti “Roshi” i pari që u prek nga dekriminalizimi dhe rasti “Koka” i fundit për nga integriteti (u përfol para zgjedhjeve se SHBA e kishte futur në listën e zezë) treguan se si pushteti në vend është orientuar drejt principeve jo rregulluese e aq më shumë etike, duke risjellë hera herës teoritë ciklike të politikës sonë (e bëri Berisha me njerëz të inkriminuar në listën e 2009-ën, e pasoi Rama në 2013-ën e më pas) drejt objektivit kryesor për të marrë apo mbajtur pushtetin, jo nga meritokracia, por nga disa përllogaritje ‘bixhozi’ emrash në funksion të disa interesave okulte në politikë
***
A po synon dekriminalizimi që ta pastrojë këtë fenomen të shtrëmbur? Po, por më së shumti e imponuar. Diku në një prej leksioneve të tij mbi vokacionin e politikës, Max Weber do të argumentonte se nuk ka “shtrembërim më të dëmshëm të energjisë politike sesa … (adhurimi) i pushtetit për hir të tij”. Në rastin e Shqipërisë është më shumë se aq. Është ccështje vullneti.
***
Në një sondazh të Institutit të Studimeve Politike për vitin 2022, ’qytetarët mendojnë se efektin më të pakët ligji i dekriminalizimit e ka dhënë në qeveri, në parlament dhe sidomos në partitë politike”. Nëse do të ishte për politikën dhe mënyrën se si e përdorin pushtetin, sot sipas ISP do të kishim më shumë se 21 deputetë, kryetarë bashkie, apo funksionarë të tjerë të lartë që do të kishin ende mandatet. Që do të thotë se rezultate ka, por fenomeni qëndron.
***
Dekriminalizimi është përfshirë si detyrim (krahas atij ligjor) edhe në kodet etike të partive politike, statutet dhe rregulloret e brendshme. Sipas një vëzhgimi të Institutit të Studimeve Politike partitë kanë refuzuar transparencën publike dhe publikimin e CV-ve të plota për kandidatët për poste drejtuese. “Ato gjithashtu kanë zbatuar në mënyrë të pjesshme detyrimet etike për të shmangur individët me rekorde korruptive e kriminale nga postet drejtuese në parti, në asambletë kombëtare dhe në strukturat drejtuese lokale”.
Një gjetje që sipas ISP “vjen në kundërshtim me retorikën justifikuese që përdorin liderit politikë, sidomos kryeministri, sa herë denoncohen raste të zyrtarëve të inkriminuar”. Këtu pastaj do të ktheheshim sërish tek efekti i parë i veprimit të dekriminalizimit kur Edi Rama në një nga mitingjet e 2015-ës tallej me Lulzim Bashën dhe vetë ligjin për rastin e Elvis Roshit; “Mezi po pres zbatimin e tij, që t’i çojnë letër Lulit dhe t’i thonë: Po ky si shpëtoi mo?!”
Ky publikim realizohet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmerisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike.