Garantimi i mirëfunksionimit organit ligjvënës, i organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese, administratës publike etj, dhe parandalimi i ndikimit nga çfarëdo lloj forme apo pjesëmarrje në politikëbërje e vendimmarrje të personave, të cilët kanë patur në të kaluarën rekorde kriminale, ka qenë qëllimi dhe objekti i ligjit nr. 138/2015, i cili nëpërmjet saj synonte rritjen e besimit të publikut tek këto organe.
Prokuroria e Përgjithshme, në zbatim të këtij kuadri ligjor kryen verifikim të thelluar të të kaluarës kriminale të funksionarëve publikë, pas kërkesave të institucioneve shtetërore përgjegjës ose pas indicieve apo të dhënave që ajo vetë mund të sigurojë nga burime të ndryshme informacioni.
Gjatë këtyre 5 viteve që ka vijuar të zbatohet ky ligj, të ndërgjegjësuar për rrezikun mjaft të madh që u vjen institucioneve shtetërore nga depërtimi në to i personave me rekorde kriminale që përfshihen në ndalimet e përcaktuara në ligj dhe aktet e tjera në zbatim të tij, Prokuroria e Përgjithshme, edhe pse me kapacitete jo të mjaftueshme, është munduar të përballojë me një fluks të madh kërkesash për verifikim. Ndër vite është kërkuar ndërprerja e mandatit të shumë të zgjedhurve lokalë dhe qëndrorë.
Fakti që edhe gjatë zgjedhjeve vendore të vitit të kaluar (2019) u evidentuan disa kryetarë bashkish, një pjesë e të cilëve u dokumentua që kanë patur precedentë penal jashtë shtetit (Shkodra dhe Vora për të cilët janë regjistruar procedime penale), ndërsa për dy të tjerë hetimi administrativ është ende në proces, në pritje të përgjigjeve të plota nga autoritetet e huaja, si dhe fakti që nga një ligj i përkohshëm po kthehet në ligj të përhershëm, tregon se zbatimi i ligjit në praktikë ende nuk i ka dekurajuar plotësisht personat që tentojnë të jenë pjesë e parlamentit, qeverisjes lokale, etj.
Sigurisht, gjatë ushtrimit të detyrës janë hasur jo pak problematika e vështirësi, të cilat kategorizohen në problematika që shfaqen në aspektin ligjor si dhe në ato që shfaqen gjatë operimit në praktikë.
Gjithesesi, ideja e transparencës duke shpallur publikisht listën e kandidatëve nga partitë qysh në fazën parazgjedhore dhe të seleksionimit partiak; verifikimi i sinjalizimeve të ndryshme për këto kandidatura; mbajtja parasysh e këtyre sinjalizimeve dhe rezultatit të verifikimeve paraprake, përpara se të përcaktohet se kush do jenë kandidaturat përfundimtare; me siguri që do të zvogëlojë numrin e personave me figurë të cënuar në aspektin e ligjit për dekriminalizimit si dhe, të çon në mundësinë më të madhe edhe uljen në kufijtë minimal të kërkesave për hetim të thelluar. (Këtu kam parasysh faktin se ky lloj verifikimi kërkohet nga institucionet përgjegjëse si KQZ etj., vetëm në rastet kur kanë indicie për verifikim më të plotë).