Apartamenti me pamje nga deti në shëtitoren e Plazhit të Durrësit dikur pronë e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla tani është kthyer në një qendër multifunksionale ‘Qendra Art dhe aktivizëm’ e cila do u vihet në dispozicion të të rinjve.
Apartamenti me sipërfaqe 67.2 m2 dhe me pamje nga deti është konfiskuar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në shtator të 2022 dhe është kthyer në “Qendrën Art dhe aktivizëm’ për përurimin e të cilës ishin sot ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.
Burime të shqiptarja.com konfirmuan se apartamenti ishte në pronësi të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla i cili prej 2021 vijon të jetë në arrati. Ai u dënua me dy vjet burg nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në pranverë të vitit 2021 por vendimi nuk u ekzekutua asnjëherë pasi Llalla u largua nga vendi drejt Italisë. Vendimi mori formë të prerë më 22 shtator të atij viti duke iu konfiskuar edhe pasuritë e dyshuara si të fshehura.
Nxitur dhe nga praktika e antimafias italiane tashmë Ministria e Brendshme ka marrë nismën për të ndaluar shitjen e pasurive të konfiskuara pasi shanset ishin që ata të riktheheshin tek ish poseduesit por ti vërë në shfrytëzim në ndihmë grupeve dhe komuniteteve vulnerabël
“Ky apartament sot është shembulli më kuptimplotë ndaj gjithë skeptikëve se ja pra, se pasuritë e krijuara për shkak të përfshirjes në grupe kriminale apo për shkak të korrupsionit, po sekuestrohen. Lajmi më i mirë që ne mund të japim është që, e para, ne kemi marrë një vendim, Drejtori është këtu, që asnjë prej pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, nuk do të privatizohet më. Kemi mësuar ne, edhe unë u desh të mësoja nga prokurorët antimafia javën e kaluar në Itali, se nëse do të shkonin për privatizimin e tyre, shanset që ato të rikthehen te ish-poseduesit, janë shumë të mëdha”, nënvizoi më tej Balla në ceremoninë ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i BE-së
https://shqiptarja.com/lajm/iu-sekuestrua-ish-kryeprokurorit-adriatik-llalla-apartamenti-kthehet-ne-qender-sociale-per-art-dhe-aktivizem