Instituti i Studimeve Politike (ISP), me mbështetjen e NED (National Endowment for Democracy) është duke zbatuar nismën “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur: zgjedhjet 2021”, e cila konsiston në monitorimin e proceseve zgjedhore në partitë politike dhe në atë të zgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare 2021. ISP kishte përvojë të mëparshme në monitorimin e dekriminalizimit, fillimisht përmes mbështetjes së fondacionit Konrad Adenauer dhe më pas me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri.
Projekti me NED nisi në një periudhë të rëndësishme, në fazën e përgatitjes së partive politike për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Në korrik 2020 Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe më pas ndryshoi Kushtetutën e RSH. Rekomandimet e ofruara në vite nga shoqëria civile lidhur me dekriminalizimin nuk u përfshinë në çështjet e reformës zgjedhore dhe për pasojë, nuk pati përmirësime ligjore në këtë drejtim. Megjithatë gjatë vitit 2020 partitë kryesore politike reformuan rregulloret e brendshme të tyre, përfshirë praktikat e zgjedhjeve, kodet e etikës, etj, duke vendosur kritere paraprake për rastet e kandidimit në zgjedhje ose për poste drejtuese në parti. Në aktet e brendshme rregullatore dhe në kriteret e reja zunë vend edhe elementët e integritetit në politikë, të dekriminalizimit dhe të politikës së pastër.
Nga shtatori i vitit 2020 dhe në vijim ambasada e SHBA, delegacioni i BE dhe përfaqësi të tjera të rëndësishme ndërkombëtare ishin aktive në apelet publike adresuar partive politike për të larguar nga listat e kandidimit dhe postet drejtuese individë me rekorde kriminale dhe me të dhëna kritike në lidhje me standardet e integritetit. Angazhimi i paprecedent ndërkombëtar u njësua me zërat aktivë të shoqërisë civile dhe të medias, duke krijuar një mekanizëm presioni pozitiv, i cili ndonëse në nivele ende jo të plota, dha efekte pozitive. Partitë larguan disa kandidatë me rekorde negative, si dhe reformuan edhe strukturat e tyre të brendshme. Ato aplikuan gara të brendshme partiake apo konkurse publike për kandidim, risi të cilat, ndonëse jo tërësisht funksionale, janë një sinjal pozitiv dhe një tregues i trendit të pakthyeshëm të ndryshimit në sistemin e meritokracisë dhe përfaqësimit politik.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) u angazhua me një listë të gjatë aktivitetesh, me studime, analiza profesionale, monitorim aktiv të partive dhe të kandidatëve, me sondazhe dhe video, me forume me partitë politike dhe aktorë lokalë dhe emisione të dedikuara, me angazhimin e zërave të moderuar të medias në promovimin e integritetit në politikë dhe me korrespodencë zyrtare të vazhdueshme më KQZ, Kuvendin, Prokurorinë, si dhe strukturat e tjera institucionale dhe administrative të lidhura me jetësimin e dekriminalizimit. Gjatë vitit të fundit ISP monitoroi edhe listën e zezë amerikane, reagimet e aktorëve politikë dhe institucionalë, aktet e brendshme të partive ndaj tyre, si dhe mënyrën sesi partitë i përgjigjen sfidave të reformimit demokratik. Jetësimi i dekriminalizimit dhe standardeve të integritetit në politikë është një proces kompleks, i ndikuar nga: interesa politike, interesa elektorale, lidhje dhe koalicione informale me pushtet në mazhorancë ose opozitë, lidhje të forta dhe interesa mediatike, por edhe nga hapësira të interpretueshme të legjislacionit përgjegjës dhe nga brishtësia e vetë institucioneve tona shtetërore.
Shqipëria nuk ka ende një database të individëve të dënuar dhe as të dhëna të sakta të individëve që janë penalizuar në vendet e tjera. Vetë partitë politike e shohin dekriminalizimin më shumë si mjet të luftës politike kundër palës rivale, sesa si një mekanizëm reflektimi dhe pastrimi. Ndonëse ka një konsensus të gjerë publik (mbi 90%) kundër hyrjes në politikë dhe në vendimmarrje të individëve me rekorde kriminale, zgjedhjet e fundit treguan përsëri se një pjesë e madhe e zgjedhësve nuk janë në gjendje të përdorin votën e tyre për të sjellë ndryshimin në cilësinë e përfaqësimit dhe se interesat klienteliste, korruptive dhe pragmatiste përbëjnë një aleat të rëndësishëm të individëve të inkriminuar.
Fakti se edhe pas 5 vitesh nga miratimi i ligjit ende ka individë me rekorde kriminale në politikë është tregues se ato jo vetëm kanë ambicie dhe sigurinë e kandidimit dhe promovimit, por edhe se partitë, në nivel lidershipi, kanë dështuar të bëjnë distancimin e forcave të tyre politike me kategori të tilla, duke dobësuar parimet dhe pritshmëritë publike të dekriminalizimit. Individët e inkriminuar bëjnë karrierë politike ose administrative jo vetëm për shkak të ambicies personale, por edhe për shkak të mbështetjes që gjejnë në promovimin e tyre vertikal. Për këtë arsye, reformimi i legjislacionit mbi dekriminalizimin kërkon detyrimisht edhe reformimin e legjislacionit të funksionimit të partive politike. Shqipëria ka nevojë jetike për parti politike dhe institucione transparente, përfaqësuese, legjitime dhe llogaridhënëse.
Ky raport përmbledh aktivitetet dhe gjetjet kryesore, rekomandimet dhe problematikat e hapura, të cilat ISP do t’i adresojë në Komisionin e ri të Reformës Zgjedhore që pritet të krijohet në parlamentin e ri. Me mbështetjen e NED, Instituti i Studimeve Politike do të vijojë të monitorojë gjatë viteve 2021-2023 partitë politike dhe deputetët, të zgjedhurit lokalë dhe drejtuesit e institucioneve kryesore kushtetuese, institucionet e reformës në drejtësi dhe strukturat drejtuese politike në 12 qarqe. Pjesë e monitorimit do të jetë edhe debati mbi reformën e re zgjedhore, si dhe ecuria e ndikimeve politike të individëve të përfshirë në listën e zezë amerikane.
ISP falënderon stafin e NED mbikëqyrës për projektet në Shqipëri, falënderon mbështetjen e dhënë gjatë projektit nga Ambasada e SHBA, Ambasada e Holandës, OSBE dhe BE, kolegët e shoqërisë civile, median, institucionet përgjegjëse dhe stafin teknik që mundësoi monitorimin dhe të gjithë elementët e tjerë të projektit.
Raportin e plotë me gjetjet dhe rekomandimet mund ta lexoni & shkarkoni këtu:
ISP & NED – DEKRIMINALIZIMI & PROMOVIMI I ZYRTAREVE TE ZGJHEDHUR 2020-2021