Drejtësia si model integriteti? A mund të sjellin risi, ndryshim pozitiv dhe produkte meritokracie proceset e rotacionit dhe zgjedhjeve të reja në disa prej institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë në Shqipëri? Nga muaji dhjetor ka nisur procesi i zëvendësimeve të disa anëtarëve në KLGJ dhe KLP. Institucione me rëndësi strategjike në sistemin e drejtësisë. Gjithashtu ka nisur procesi i përzgjedhjes së disa anëtarëve të rinj për në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, ndërkohë që është zgjedhur një anëtar i KPA dhe IKP. Të gjitha këto procese rotacioni ose plotësimi në institucionet e reja të drejtësisë, janë një test i rëndësishëm mbi treguesit e integritetit dhe të profesionalizmit, të meritës dhe transparencës së institucioneve që kanë përgjegjësinë zgjedhore. Nëse më 2016-2018 zgjedhjet u kushtëzuan nga numri i vogël i kandidatëve më 2022 fokusi kryesor duhet të jetë cilësia dhe meritokracia.
Sipas ligjit 115/2016 mbi organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, një nga kriteret e rëndësishme është përcaktimi i detyrimit që kandidatët të verifikohen për rekordet e dekriminalizimit, rekordet e ish Sigurimit, si dhe qenia në 10 vitet e fundit në strukturat e partive politike, tri kritere integriteti, të cilat nëse cenohen, i përjashtojnë ata automatikisht nga procesi.
Nga monitorimi i ISP rezulton se institucionet e reja të drejtësisë, KLGJ, KLP, KPA, etj, si dhe institucionet e rëndësishme si GJK, GJL, KED, etj, për shkak të rotacionit dhe vendeve vakante po zgjedhin anëtarë të rinj me mandate kushtetuese. Zgjedhja e tyre ndikon te besimi publik tek institucioneve dhe reforma në drejtësi, por ende asnjë kandidat nuk është testuar për standardet e dekriminalizimit dhe të integritetit, ashtu sic për disa vende nuk ka “zgjedhje”, por konfirmim ose emërim, për shkak të mungesës së konkurrencës.
Zgjidhja? ISP beson dhe apelon që institucionet duhet të bëjnë publike formularët e dekriminalizimit dhe rekordet e verifikimit paraprak. Një mekanizëm e qëndrueshëm dhe i besueshëm transparence duhet të krijojë database për gjithë të dhënat, përfshirë rastet nën hetim, CV e karrierës dhe angazhimet në partitë politike.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke jetësuar projektin “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy)