Pas ndryshimit të Kushtetutës dhe reformës zgjedhore partitë politike janë fokusuar në përgatitjet për procesin e zgjedhjeve parlamentare të dekretuara më 25 prill 2021. Zgjedhjet do të kenë ndryshime në formulën e konkurrimit (ndalohen koalicionet e hapura parazgjedhore, pragu elektoral ulet në 1%, dy të tretat e listave proporcionale do të jenë të hapura), të cilat kanë ndikim direkt edhe në ndërtimin e strategjive elektorale. Në kushtet kur teorikisht ekziston mundësia që listat e hapura të krijojnë konkurrencë brenda partive politike, këto të fundit bënë përpjekje për të krijuar mekanizma të brendshëm atraktivë për prurje të reja dhe për të siguruar përfaqësim që maksimilizon votat përtej votave tradicionale militante. Spektri politik paraelektoral ka ndryshuar: tri parti të reja politike i janë shtuar garës elektorale, dy prej të cilave të iniciuar nga deputetë të opozitës aktuale parlamentare. PS në qeveri ka mbështetjen e një numri të madh partish të vogla politike mbështetëse të saj edhe më 2017 e 2019, PD në opozitë ka programuar daljen me një listë të përbashkët me disa prej partive të djathta tradicionale, dy lista të tjera konkurruese mund të formohen nga LSI si dhe disa prej partive të reja. Prurjet e reja dhe ndryshimet nuk ndikojnë në natyrën e pandryshuar prej 2004 të sistemit partiak në Shqipëri, dy plus 1.
Periudha shtator-dhjetor 2020 u shoqërua me procese të brendshme zgjedhore në disa nga partitë kryesore politike. Këto procese sollën risi dhe problematika, rezultatet finale të të cilave do të shihen në fazën kur partitë të bëjnë publike listën e kandidatëve zyrtarë në zgjedhje. Pavarësisht rezultatit final, në tërësi disa procese shënuan risi dhe sollën ndryshim nga tradita e emërimeve vertikale në partitë politike. Pesë vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit 138/2015, të njohur si ligji i dekriminalizimit, Shqipëria politike vijon të përballet me sfidën e zbatimit integral të tij. Zgjedhjet e vitit 2021 janë moment i rëndësishëm për testimin e maturimit të partive politike dhe reflektimit të tyre ndaj standardeve të dekriminalizimit.
Instituti i Studimeve Politike (ISP), me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta është duke zbatuar projektin mbi dekriminalizimin: “Për politikë e politikanë të pastër” si dhe me mbështetjen e NED (National Endowment for Democracy) është duke zbatuar nismën “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur: zgjedhjet 2021”. Projektet konsistojnë edhe në monitorimin e proceseve zgjedhore në partitë politike dhe në atë të zgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare 2021. Pjesë e angazhimit të ISP janë raportet periodike, forumet e hapura, informimi dhe sensibilizimi publik, rekomandime për përmirësime në legjislacion dhe vendimmarrje, etj. Ky raport përmbledh periudhën 1 tetor – 31 dhjetor 2020.
GJETJET KRYESORE TË PERIUDHËS PARA-ELEKTORALE
Ndryshimet kushtetuese 2020 dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor diktuan ndryshime të brendshme në skenën organizative dhe vendimmarrëse të partive politike. Partitë kryesore tentojnë votat e zgjedhësve të pavendosur, ndaj ato e kanë të domosdoshme zgjerimin e rrethit dhe grupeve përfaqësuese si dhe përmirësimin e imazhit të tyre publik.
Nën presionin publik për rritjen e cilësisë së përfaqësimit politik në zgjedhjet parlamentare 2021, partitë kryesore politike nxitën praktika të reja dhe eksperimentale në procese të brendshme zgjedhore për kandidatët për deputetë. PD aplikoi sistemin e propozimeve dhe votimit paraprak nga anëtarësia për përzgjedhjen e një liste potenciale kandidatësh, PS aplikoi konkurrimin individual për 20% të listës shumëemërore të saj në zgjedhjet e vitit 2021. Të dy nismat janë risi, aplikohen për herë të parë dhe pritet të kenë ndikim pozitiv në integritetin e listave të kandidatëve.
Ambasada e SHBA ka pasur ndikim pozitiv në disa deklarime publike kundër kandidimit në zgjedhje të individëve me rekorde kriminale, duke theksuar se kryetarët e partive duhet të sigurojnë integritet dhe saktësi në deklarimin e personave që kërkojnë të marrin mandat nën grupimin partiak. Rol aktiv në rritjen e presionit pozitiv për jetësimin e standardeve të dekriminalizimit kanë luajtur edhe ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulta (AMVU), Misioni i OSBE në Shqipëri, Delegacioni i BE-së, etj. Një tryezë në dhjetor 2020 mbështetur nga OSBE dhe AMVU bashkoi në një debat profesional mbi aktualitetin e procesit të dekriminalizimit dhe sfidat 2021 të gjitha institucionet përgjegjëse (Prokurori, KQZ, partitë kryesore politike, shoqërinë civile, etj).
Partitë kryesore kanë shprehur vullnet politik për të respektuar standardet etike dhe të dekriminalizimit, si dhe kanë premtuar të aplikojnë rregulla dhe mekanizma paraprake verifikimi të kandidatëve. PS, PD dhe LSI deklaruan në dhjetor 2020 se mirëpresin edhe idenë e publikimit të listës paraprake të kandidatëve, si verifikimin e hershëm nga ana e Prokurorisë.
Disa ish deputetë dhe politikanë që kanë qenë subjekte të penalizuara në kuadër të zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, janë bërë aktiv duke u shfaqur në jetën politike dhe aktivitete paraelektorale të partive të ndryshme. Asnjë parti nuk ka refuzuar publikisht riaktivizimin e tyre, asnjë parti nuk ka deklaruar ende ndonjë vendim që largon nga strukturat individët që janë larguar për shkak të dekriminalizimit.
Partitë kanë krijuar strukturat etike dhe të integritetit, por funksioni i tyre është formal dhe ende pa ndikim në vendimmarrjen e tyre. Drejtuesit e komisioneve të etikës në PS dhe PD nuk u përzgjodhën si drejtues të procesit të seleksionimit të kandidatëve në parti, – një tregues kritik i formalitetit të këtyre strukturave.
Parti të veçanta vijojnë të mbajnë në struktura drejtuese politikanë që bëjnë pjesë në listën e zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Rasti më tipik është ai i ish kryetarit të bashkisë Durrës. Disa ish subjekte të vettingut, të shkarkuar për korrupsion, kanë shprehur ambicien për tu bërë pjesë e listave elektorale më 2021. Legjislacioni e lejon, por premtimi i partive kryesore politike ka qenë për refuzimin e tyre. Në një rast PD deklaroi publikisht refuzimin për një subjekt te vettingut, por deri tani nuk ka pasur raste të tjera distancimi.
Individë me rekorde kriminale ose pjesë e listës së zezë amerikane vijojnë të jenë aktiv edhe në partitë e vogla politike. Njëri prej tyre mori drejtimin formal të PSD, partia e dytë tradicionale e të majtës në 30 vitet e fundit. Të tjerë janë përfshirë në fraksione lokale të partive duke pasur indirekt mbështetje dhe sponsorizimi kryesisht nga partia në pushtet.
Gjatë 4 muajve të fundit nuk ka pasur raste të reja denoncimi dhe as raste të njohura të largimit të zyrtarëve të lartë për shkak të dekriminalizimit. Disa procese hetimore ndaj subjekteve të dekriminalizimit, përfshirë dy raste të kryetarëve të bashkive, vijojnë të jenë nën shqyrtim nga Prokuroria.
Partitë përgjegjëse nuk kanë kryer asnjë veprim distancues ndaj asnjë prej zyrtarëve partiakë dhe shtetërore të përfshirë në skandalet e zgjedhjeve në Dibër apo në Durrës e Shijak. Mbështetja ndaj tyre dhe promovimi për zgjedhjet 2021 mbetet tregues kritik dhe vjen në kundërshtim me parimet e dekriminalizimit dhe premtimet mbi standardet e integritetit.
Partitë politike nuk kanë publikuar ende CV e plota dhe formularët e deklarimit të anëtarëve të tyre të kryesive dhe stafeve drejtuese. Ky nuk është detyrim ligjor, por kërkesë e vazhdueshme e medias dhe e shoqërisë civile, të cilën partitë parimisht e kanë pranuar, por ende nuk e kanë zbatuar.
Ligjërimi mbi dekriminalizimin është linear: të gjitha partitë deklarojnë se duan të respektojnë dekriminalizimin. Nga ana tjetër, secila palë politike ende nuk ka prezantuar një strategji të qartë dhe të besueshme për jetësimin konkret dhe real të dekriminalizimit në të gjithë procesin zgjedhor, në zgjedhjen e kandidatëve, strukturës, por edhe në emërimin e komisionerëve në zgjedhje.
Media dhe grupet e shoqërisë civile kanë meritën e presionit pozitiv ndaj partive politike, duke denoncuar çdo rast të dekriminalizimit dhe duke mbajtur vazhdimisht qëndrime kritike ndaj rasteve kur partitë refuzojnë distancimin prej subjekteve të dekriminalizimit ose kur promovojnë figura me rekorde negative penale.
Raportin e plotë mund ta lexoni këtu: