Ergys GJENÇAJ
Paradoksi i gomarit! Jean Buridan, filozof francez i shekullit XIV-të ka zbërthyer tek “Paradoksi i gomarit” ndjesinë e pasigurisë. Me pak fjalë, një gomar i uritur duke ecur gjendet në një moment përballë dy dengjeve me ushqim. Sasi dhe cilësi e njëjtë e ushqimit. Kafsha e ngratë duke mos ditur se cilin prej dengjeve të zgjidhte të parin për të ngrënë, teksa mendonte e shikonte dengjet me ushqim sa djathtas e sa majtas, i përfshirë nga pasiguria dhe mungesa për të vendosur, ngordh.
“Paradoksi i gomarit” nuk bën gjë tjetër veçse reflekton gjendjen ku duket se ndodhet aktualisht pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare. Ajo pjesë (më e madhja në fakt), e cila nuk është e lidhur me njërin apo tjetrin krah të politikës nga interesat jetike siç është siguria e një vendi pune, apo besimi se me ndryshimin e pushtetit do ta sigurojë atë. Në tërësinë e saj, shoqëria shqiptare ngjan se gjendet në mes të enigmës së pasigurisë. Kë të zgjedhë? Nga të shkojë? Çfarë të bëjë? Përse të përfshihet? A ka forcë shoqëria ta ndryshojë këtë situatë, për të cilën edhe flet me përbuzje, por nga frika e mungesa e besimit nuk reagon?
Populizmi politik përballë shoqërisë
Legjitimiteti dhe cilësia e një regjimi apo klase politike, vlerësohen shpesh bazuar në nivelin e përfshirjes së qytetarëve në procese politike. Qytetarët e Shqipërisë ftohen që të marrin pjesë në politikë atëherë kur vjen radha e zgjedhjeve parlamentare dhe atyre të pushtetit vendor. Vetëm në këto raste, një herë në dy vjet, qytetarët shndërrohen në qendrën e vëmendjes së politikanëve. Interesi për të lypur votën kushtëzon politikanët të ulen pranë qytetarit të thjeshtë, t’i rrahë krahët e t’i qajë hallin. Por kemi parë edhe shpikje, siç ishte nisma e fundit e qeverisë “Këshillimi Kombëtar”.
Qytetarëve poshtë derës u erdhi posta me disa fletë të printuara bukur e të shkruajtura me kujdes. Atyre iu kërkua përgjigje mbi disa pyetje që lidheshin me marrjen e mendimit për të kryer apo jo disa nisma ligjore, siç ishte edhe legalizimi ose jo i kanabisit (hashashit) industrial për qëllime mjekësore, apo amnistia fiskale. Qeveria me populizmin që e karakterizon teksa publikoi rezultatet e “Këshillimit Kombëtar” me zë të lartë, tha: “Vox Populi, Vox Dei” – “Zëri i Popullit, Zëri i Zotit”. Por vetëm përgjjigja që u jepet disa pyetjeve të shtruara për qytetarët, nuk ka të bëjë me përfshirjen direkte, e ca më pak me përfaqësimin në çorbën tonë të quajtur politikë.
Ky eksperiment, më së shumti duket se ka pasur për qëllim “marrjen e miratimit” të shqiptarëve për të ecur përpara me agjendën e nismave ligjore në interes të qeverisë. Paçka se disa prej tyre janë kundërshtuar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët mbikqyrin gjithçka ndodh në vend.
Mjetet e përfshirjes dhe (pa)mundësia për t’ia arritur
Përfshirja e qytetarëve në një proces vendimmarrës përgjatë periudhave ndërzgjedhore, ka disa avantazhe, pasi kontribuon në konsolidimin dhe rritjen e cilësisë së demokracisë po aq sa në nivelin e përgjegjësisë qeverisëse. Pjesëmarrja e shoqërisë civile në demokraci vjen përmes nënshkrimit të peticioneve, pjesëmarrjes në protesta apo bojkote, si dhe përfshirjes në grupime të lëvizjeve qytetare.
Referendumi gjithashtu përbën një ndër elementët kryesorë të pjesëmarrjes së shoqërisë në politikbërje. Një ndër mjetet parësore në duart e shoqërisë civile për t’u përfshirë në politikbërje është pikërisht referendumi, nga rezultatet e të cilit mund të ndikohet në vendimmarrje të rëndësishme shoqërore, ekonomike, mjedisore, të sigurisë, kulturës e gjithçkaje që lidhet drejtpërdrejtë me garantimin e një jetese normale e të shëndetshme.
Në Shqipërinë pluraliste janë zhvilluar gjithsej 3 (tre) referendume popullore. I pari u mbajt në nëntor të vitit 1994, ku shqiptarët vendosën përmes referendumit të rrëzojnë projekt-kushtetutën e propozuar asokohe. Referendumi i dytë popullor u zhvillua në qershor të 1997-ës, në të njëjtën ditë me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në këtë referendum, qytetarët u ftuan të zgjidhnin formën e qeverisjes së vendit mes “Republikës” dhe “Monarkisë Kushtetuese”. Shumica e pjesëmarrësve në atë referendum zgjodhën “Republikën”. I fundit referendum popullor që është zhvilluar në vendin tonë daton mbi dy dekada më parë, në 22 nëntor të vitit 1998, prodhim i të cilit u bë ratifikimi i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
“I zoti e shet, tellalli s’e jep”
Prej 24 vitesh në Shqipëri nuk është mbajtur asnjë referendum kombëtar, edhe pse kërkesat nga grupime shoqërore nuk kanë munguar. Edhe pse Kushtetuta e garanton një referendum popullor, është realiteti ligjor që e pamundëson atë. Gjithçka tingëllon si shprehja: “I zoti e shet, tellalli s’e jep”. Arsyeja ligjore gjendet pikërisht tek ligji themeltar i shtetit, i miratuar përmes një referendumi kombëtar.
Në Kushtetutën e Shqipërisë në nenin 150, pika 1 (një) përcaktohet, se: “Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”. Ndërkohë që pika 3 (tre) e këtij neni, sanksionon se: “Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj”.
“Thembra e Akilit” që pamundëson ndërmarrjen e një referendumi kombëtar, qëndron pikërisht tek pika 3 (tre) e këtij neni, i cili përcakton se nevojitet një ligj i veçantë, i cili do mundësojë shprehjen e vullnetit të popullit mbi çështje të caktuara, përmes referendumit. Kështu, nëse arsyen apo shkakun ligjor për pamundësinë e një referendumi e gjejmë tek Kushtetuta, përgjegjësinë e hasim tek klasa politike. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, nuk kanë hartuar dhe as miratuar një ligj të veçantë për referendumet popullore, pavarësisht se nuk kanë munguar dhe nuk mungon dialektika politiko-populiste për miratimin e një ligji mbi referendumet.
Por përsëri politika edhe në këtë pikë është treguar tinëzare. Mungesën e një ligji të mirëfilltë për referendumet, është përpjekur ta mbulojë me disa përcaktime ligjore, pjesë të Kodit Zgjedhor. Por këto janë përcaktime të cilat më shumë pengojnë procesin referendar me interes shoqëror, kur kërkohet nga qytetarët.
E megjithatë diçka lëviz…
Mjeti që ka rezultuar më efikas që ka detyruar qeverinë të bëjë një hap pas ka qenë protesta. Protesta qytetare, e jo ajo e thirrur nga politika. Në nëntor të vitit 2013, pak pasi Partisa Socialiste kishte marrë pushtetin dhe Edi Rama si kryeministër drejtonte qeverinë në mandatin e parë, shpërthyen protestat kundër mbërritjes në Shqipëri të armëve kimike nga Siria për t’u asgjësuar. Me mijëra qytetarë, të kërcënuar me jetë, si pasojë e pasigurisë për të ndërmarrë një operacion të tillë protestuan përpara selisë së Kryeministrisë me thirrjet: “Jo armëve kimike”. Duke mbrojtur fort mendimin e tyre, qytetarët nuk i lejuan politikanët t’i bashkoheshin protestës së tyre me gjykimin se do e shfrytëzonin për përfitime politike. Pas disa ditë protesta të pandalshme, i gjendur përballë presionit të madh qytetar, mbrëmjen e 15 nëntorit të vitit 2013, kryeministri Edi Rama doli me një deklaratë publike. “Me besnikërinë e plotë ndaj Shqipërisë dhe respektin më të madh ndaj miqve e partnerëve tanë të pazëvendësueshëm, ata e kanë marrë vendimin tim e mësojeni tani edhe ju: Shqipëria e ka të pamundur të përfshihet në këtë operacion.” Këto ishin fjalët e kreut të qeverisë i cili refuzoi nën presionin e madh të protestave qytetare, mbërritjen në Shqipëri të armëve kimike siriane.
Një tjetër protestë e madhe, që detyroi qeverinë të bëjë ndryshime në qasjen e saj ndaj arsimit të lartë, ishte e ajo e ndërmarrë nga studentët në fillim të dhjetorit të 2018-ës. Studentët e universiteteve publike zbritën në rrugë, në shenjë revolte ndaj tarifave të larta të shkollimit, si dhe kërkuan përmirësimin e kushteve në konvikte dhe cilësi më të lartë shkollimi në universitete. Për ditë të tëra studentët protestuan, fillimisht përpara Ministrisë së Arsimit e më pas përpara kryeministrisë. Çka bëri përshtypje tek protesta e tyre ishte thirrja: “’E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”. Slogan i cili risillte në vëmendje protestën studentore të fillimviteve ’90, që solli ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri. Përmasa e protestës studentore nxiti reagimin e menjëhershëm të qeverisë që anuloi tarifat, ndërkohë që vetë kryeministri Edi Rama u përfshi në dialog e ballafaqim të drejtpërdrejtë me studentët.
Përtej protestave, përdorur si mjet për përballjen kryesisht me qeverinë, shoqëria civile ka qenë aktive dhe shpesh ka treguar udhën se ku do duhej të përqendroheshin reformat apo nisma të ndryshme ligjore. Në Kuvend janë zhvilluar jo pak takime mes ligjvënësve dhe përfaqësuesve realë dhe të pandikueshëm politikë, ku është diskutuar mbi kuadër të rëndësishëm legjislativ. Shoqëria civile ka komentuar e ka vënë gishtin në plagë për një sërë problematikash, si në rastin e diskutimeve të gjata për zgjatjen e mandatit të organeve të Vetting-ut, të gjykatësve dhe prokurorëve në Shqipëri, ndryshimet në hartën administrative-territoriale, rishikimin e Kodit Zgjedhor etj.
Pak radhë si fund
Politikani socialdemokrat gjerman Erhard Eppler ka thënë: “Shteti demokratik dhe shoqëria civile nuk mund të zëvendësohen reciprokisht. Të dy këta elementë kanë nevojë për njëri-tjetrin. Pa një shtet funksional, i cili krijon siguri juridike, asnjë shoqëri civile nuk mund të zhvillohet. Ndërkohë që pa një shoqëri civile vigjilente dhe energjike, një diktaturë apo autokraci mund të marrë jetë, ndërsa demokracia me siguri do të vyshket”. Duke e aktualizuar këtë shprehje në realitetin tonë, që shoqëria shqiptare të mos pësojë fatin (mos qoftë e thënë) e gomarit të Jean Buridan dhe që demokracia të mos vyshket, mbetet domosdoshmëri rizgjimi dhe reagimi i fortë i qytetarëve vullnetmirë. Uria e nxjerr ujkun në shteg!
* Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP)