Në zbatim të Vendimit nr. 283, datë 10.5.2019, të Këshillit të Ministrave është ngritur Task-Forca, me qëllim garantimin e respektimit të të drejtave dhe detyrimeve që rrjedhin për nëpunësit e administratës, nga “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Ligji nr. 9131, datë 8.9.2003, “Për rregullat e etikës në administratën publike”, si dhe Ligji nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar.
Task-Forca ka për detyrë kryesore të monitorojë sjelljen dhe veprimtarinë e gjithë administratës shtetërore, për të mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor, si dhe ndër të tjera duhet të bashkëpunojë dhe bashkërendojë me Policinë e Shtetit me qëllim marrjen e masave të menjëhershme kur konstatohen veprimtari të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor.
Në zbatim të pikës 24, të Vendimit të Këshillit të Ministrave, institucionet shtetërore dhe institucionet e pavarura, pjesë të Task-Forcës raportojnë me shkrim, periodikisht, lidhur me zbatimin e masave e të detyrave të ngarkuara, si dhe për problematikat e hasura gjatë procesit të monitorimit.