Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi njoftoi gjatë mbledhjes së KQZ të mbajtur me 5 korrik 2024 heqjen e mandatit të Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës. Vendimi i KQZ për Belerin vjen pas dënimit të tij nga Apeli i Posaçëm me 2 vite burg për blerje votash. “Me bindje të plotë unë mendoj se jemi në kushtet e humbjes së mandatit të Bashkisë Himarë, nga Fredi Beleri. E shpall të pavlefshëm këtë mandat”, tha Celibashi. Kreu i KQZ argumentoi se ligji i dekriminalizimit i jep kompetencë Komsionit Shtetëror të Zgjedhjeve që jo vetëm të ndalojë një person të dënuar të kandidojë për një post publik, por edhe t’i heqë mandatin një personi që dënohet me një vendim të formës së prerë gjatë ushtrimit të detyrës.
“Për rastin kur kandidon ligji i dekriminalizimit është i qartë, ku kompetenca e KQZ është e qartë që e ndalon të kandidojë. Diskutimi ngelet nëse një person i cili e ka marrë këtë funksion publik dhe gjatë ushtrimit të detyrës kryen një vepër penale dhe merr dënimin diskutimi është a aplikohet ligji i dekriminalizimit apo jo. Nuk është çështje e KQZ se çfarë bëjnë Kryeministri dhe instutucionet e tjera për këtë rast, vendimarrja jonë nuk është e kushtëzuar nga çfarë vendimesh marrin këto institucione. Situata është që kemi një kryetar bashkie të zgjedhur, i cili nuk ka mundur ta ushtrojë funksionin nga rrethanat që i dimë, edhe pse KQZ i dha mandatin. Kjo për KQZ nuk ka rëndësi në funksion të ligjit pasi mund të ishte dhe në rastin që mund të ishte në krye të detyrës. Pyetja është a ka kompoetencë KQZ në bazë të ligjit të dekrimanilizimit për të zhvleftësuar një mandat të një subjekti që është dënuar gjatë detyrës me një vendim penal të formës së prerë. Unë jam i bindur se po dhe këtij ligji i nënshtrohen më shumë akoma ata të cilët e kanë marrë detyrën. Ky ligj nuk të lejon ta marrësh detyrën, aq më tepër kur gjatë detyrës merr një dënim të formës së prerë”.
Me heqjen e mandatit të kryebashkiakut të zgjedhur Fredi Beleri, duket se Himara do të shkojë sërish në zgjedhje në muajin në vijim.
Ne arsyetimin e KQZ thuhet se referuar neneve 19, pikat 1, shkronja “n” e 2, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ushtron në emër të KQZ-së kompetencat që i ngarkohen asaj me ligje të veçanta, si dhe çdo kompetencë që ky ligj nuk ia njeh shprehimisht Rregullatorit ose KAS-it.
Në zbatim të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi kompetent për administrimin, verifikimin, zbatimin e ndalimeve për zgjedhjen dhe emërimin për funksionet publike si dhe përpunimin për formularin e vetëdeklarimit për disa subjekte ndër të cilat është edhe “Kryetari i Bashkisë”.
Z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, është propozuar nga subjekti zgjedhor koalicioni “Bashkë Fitojmë”, si kandidat për Kryetar i Bashkisë Himarë për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023.
Për këtë kandidat në datën 31.03.2023, pranë KQZ është depozituar formulari e vetëdeklarimit i cili është regjistruar me nr. unik. VL-BF-13387 unik. KQZ-ja bëri verifikimin “prima facie” dhe, pasi konstatoi se kandidati nuk është në kushtet e ndalimit, ndërmori hapat e mëposhtëm:
1. Nëpërmjet komunikimit në rrugë elektronike, i kërkoi informacion zyrës së gjendjes civile, e cila nga ana e saj informon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se subjekti vetëdeklarues z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, rezulton të ketë ndryshuar emrin nga “Alfred” në “Dhionisios”.
2. Nëpërmjet komunikimit në rrugë elektronike i kërkoi informacion zyrës së gjendjes gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila nga ana e saj informon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se subjekti vetëdeklarues z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, rezulton i rehabilituar.
Pasi është konstatuar që kandidati nuk është në kushtet e ndalimit për të kandiduar, janë verifikuar të dhëna të tjera në formularin e vetëdeklarimit të z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, ku rezultoi se ka deklaruar:
Në rubrikën I. “TË DHËNA PERSONALE”, PIKA B, “Gjeneralitete të mëparshme” të Formularit të Vetëdeklarimit, subjekti vetëdeklarues ka deklaruar se ka bërë ndryshim tek gjeneralitetet e tij. Ka ndryshuar emrin nga “Alfred” në “Dhionisios”.
Në rubrikën III. “TË DHËNA MBI GJENDJEN GJYQËSORE TË PERSONIT”, të Formularit të Vetëdeklarimit, pyetjes 1 “A jeni dënuar ndonjë here me vendim gjyqësor të formës së prerë”, subjekti vetëdeklarues është përgjigjur “PO’’, Është dënuar nga Gjykata e Apelit, Athinë, me vendim gjyqësor të formës së prerë, me Nr.752 në vitin 1999, me 18 muaj burgim me 3 vjet kusht, për kryerjen e veprës penale, dijeni (Bashkëpunim) për veprën penale të mbajtjes së armëve pa leje, nga personi i tretë. (Nenet të legjislacionit grek 1244/1972, 2168/1993, 1780/1988, 652/1977). Për të cilën deklaron se nuk ka kryer asnjë ditë burg.
Pyetjes 3 “A keni qenë ndonjëherë në hetim ose gjykim nga një autoriteti i huaj, për kryerjen e një vepre penale?”, subjekti vetëdeklarues është përgjigjur “PO’’, Dijeni (Bashkëpunim) në mbajtje arme pa leje nga personi i tretë, nga Prokuroria, Athinë me 18 muaj burg me 3 vjet kusht, për periudhën 1995-1996.
Pyetjes 4 “A keni qenë ndonjëherë i ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese, për kryerjen e një vepre penale?”, subjekti vetëdeklarues është përgjigjur “PO’’. 1 vit paraburgim, për periudhen 24.03.1995 – 24.03.1996 nga Prokuroria Athinë. (HETIME), 1 ditë ndalim për verifikim dokumentacioni, në datën 13.04.1999, nga Policia Kufitare, Aeroporti Athinë.
Pyetjes 5 “A është caktuar ndaj jush ndonjëherë masë shtrënguese e sigurisë personale, në fuqi ose jo?”, subjekti vetëdeklarues është përgjigjur “PO’’. Paraburgim për periudhën 24.03.1995 deri më 24.03.1996 nga të cilat 3 muaj të kryera në Janinë për shkak se ështe bërë ndalimi, për vepren penale, dijeni (Bashkëpunim) në mbajtje arme pa leje nga personi i tretë, nga Gjykata e Apelit, Athinë. (Nenet të legjislacionit grek 1244/1972, 2168/1993, 1780/1988, 652/1977)
Pyetjes 8 “A keni jetuar ndonjëherë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë për më shumë se 1 muaj, subjekti vetëdeklarues është përgjigjur “Po” duke deklaruar, se Ka jetuar në Greqi, Zakinthos për arsye emigracioni në periudhën 1990-1993, në Qipro në periudhën janar 1994 – korrik 1994, 1994-2014 në Greqi.
Nga konstatimet e mësipërme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shkresën nr. 4099 prot., datë 24.04.2023, vendosi t’ia kalojë rastin për verifikim të thelluar Prokurorisë së Përgjithshme, si institucioni kompetent që kryen verifikimin e plotë të deklarimeve të bëra. Në përfundim të procesit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me vendimin nr. 611, datë 25.05.2023, i ka dhënë mandatin z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, si Kryetar i Bashkisë Himarë.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është paraqitur kërkesa me nr. 1719 prot., datë 26.06.2023 nga z. Eugen Likaj nëpërmjet të cilës kërkohet konstatimi i përfundimit të parakohshëm të mandatit të Kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri, propozuar nga subjekti zgjedhor koalicioni “Bashkë Fitojmë”, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023, për shkak të dënimit penal të tij me 2 vite
burgim nga Gjykata e Posacme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shkresën nr. 1736 prot., datë 27.06.2023 i ka kërkuar informacion / dokumentacion Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar nëse është marrë ndonjë vendim penal në ngarkim të shtetasit z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri. Gjithashtu Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me shkresën nr.1785 prot, 1.07.2024 i ka kërkuar informacion zyrës së gjendjes gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me shkresën nr.933/1 prot, datë 1.07.2024, ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shkurtimin e vendimit penal nr. 26, datë 25.06.2024, dhënë në ngarkim të z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri. Sipas këtij vendimi të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 e Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas së cilës është vendosur: “Deklarimi fajtor i të pandehurve Pandeli Kokaveshi dhe Dhionisios (Alfred) Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
Në nenin 2 pika 1 shkronja “b” e ligjit 138/2015 “ Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, përcaktohet se vepra penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K.Penal hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj.
Në nenin 10, pika 1, shkronja “ç”, të ligjit nr. 138/2015, përcaktohet se KQZ brenda kompetencave të veta, “…shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin, në përputhje me Kodin Zgjedhor…”. Në këto rrethana vlerësohet se z. Beleri i zgjedhur Kryetar i Bashkisë Himarë nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.