Dekriminalizimi, integriteti, zyrtarët e pastër dhe standardet e transparencës dhe të llogaridhënies në kontekstin edhe të procesit zgjedhor 2023. Forum diskutimi me studentë të drejtësisë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Eksperti i njohur Prof. Ervin Karamuço, prezantoi gjetjet më të rëndësishme lidhur me problematikat e dekriminalizimit, si dhe foli mbi sfidat aktuale dhe pritshmëritë.
Dekriminalizimi nisi si një proces krize dhe me synimin të jetë i përkohshëm. Shtatë vjet më vonë dekriminalizimi vijon të jetë headline në raportimet mediatike dhe ende ka zyrtarë të niveleve të larta që vijojnë të humbasin mandatet apo postet për shkak të rekordeve kriminale në të kaluarën ose për akte korruptive të tanishme. Sistemi i karrierës në politikë, por edhe në administratën publike dhe në institucionet kushtetuese apo të krijuara me ligj vijon të jetë problematik, klientelist, pa verifikime paraprake dhe meritokracie, ndërkohë që partitë politike, bartësit kryesor të karrierës politike dhe përgjegjëse publike, vijojnë të aplikojnë standarde të dyfishta ndaj dekriminalizimit dhe integritetit, kritike për Tjetrin, refuzuese të përgjegjësisë për veten.
Gjatë viteve të fundit më shumë se 21 deputetë, kryetarë bashkie, gjyqtarë të lartë apo funksionarë të tjerë të lartë kanë humbur mandatet për shkak të dekriminalizimit, për shkak të proceseve gjyqësore kundër tyre për korrupsion apo për shkak të përfshirjes në skandale të ndryshme. Disa zyrtarë të tjerë të lartë vijojnë të jenë nën hetim, ndërkohë që në rreth 10 raste politikanë e zyrtarë të lartë janë të përfshirë në listën e sanksioneve nga qeveria e SHBA-ve apo e Britanisë së Madhe, dy vende që aktualisht aplikojnë këtë masë antikorrupsion në raport me Shqipërinë. Pothuajse asnjë nga zyrtarët e larguar nga dekriminalizimi ose të përfshirë në listën e sanksioneve nuk është larguar dhe as përjashtuar nga partia e tij politike, një zhvillim i kundër me frymën e ligjit dhe deklaratat publike të partive politike.
Studentët u informuan dhe më pas morën pjesë aktive në debat mbi aspekte konkrete dhe ndikimet e integritetit dhe dekriminalizimit në standardet e shtetit të së drejtës, mbi bazën ligjore në fuqi dhe bilancin e zbatimit, mbi praktikat shqiptare dhe nderkombëtare, si dhe mbi nevojën për të nxitur një rol më aktiv qytetar dhe të brezit të ri në krijimin e klimës së transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke jetësuar projektin “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy)