Kolegji vlerëson se kërkuesi legjitimohet të vejë në lëvizje Gjykatën dhe të parashtrojë pretendimet e tij me natyrë kushtetuese para saj, kur ato lidhen me të drejtën për një proces të rregullt ligjor, bazuar në nenin 131/f të Kushtetutës. Kërkesa gjithashtu është paraqitur brenda afatit 2 vjeçar. Kolegji vlerëson se Gjykata është kompetente të shqyrtojë çështjen për shkak se kërkuesi nuk ka asnjë mjet tjetër efektiv për realizimin e së drejtës së tij për një proces të rregullt ligjor. Kërkuesi i ka shterruar të gjitha mjetet juridike në dispozicion.
Për sa i takon bazueshmërisë së pretendimit për antikushtetutshmëri të vendimit, pasi bie ndesh me nenin 73 të Kushtetutës, Kolegji çmon se ai nuk qendron. Kërkuesi, nëpërmjet avokatëve të tij, më shumë se një herë, në kërkesën e tij i referohet nenit 73/2 para ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012, me anë të cilave është hequr dhënia e autorizimit nga Kuvendi për ndjekjen penale të deputetëve duke lënë vetëm rastet e a) arrestimit dhe b) të kontrollit personal dhe të banesës, të cilat në çdo rast kanë nevojë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi. Pra, dhënia e autorizimit për ndjekjen penale të deputetit nuk është më detyrim kushtetues, prandaj kërkuesi nuk mund t’i referohet më asaj dispozite. Me të drejtë prokuroria në kërkesën e saj i është drejtuar Kuvendit për dhënien e autorizimit për arrestimin e kërkuesit dhe jo për ndjekjen penale të tij, gjë të cilën ajo (prokuroria) mund ta fillojë pa autorizimin e Kuvendit.
Lidhur me pretendimin se vendimi i GJL për masën e arrestit bie ndesh me Konventën e Këshillit të Europës për transferimin e procedimeve penale, Kolegji çmon se edhe ky nuk është i bazuar. Së pari, kuptimi i dhënë dispozitave të cituara nga kërkuesi nuk i përgjigjen tekstit origjinal të Konventës. Së dyti, nga materialet e dosjes dhe vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë rezulton se masa e arrestit ndaj kërkuesit nuk është marrë vetëm për llogari të shtetit belg por edhe për llogari të hetimeve të nisura nga prokuroria shqiptare për veprën penale të “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Prandaj, çështja e masës së sigurisë të vendosur ndaj kërkuesit duhet parë për të gjitha hetimet e nisura ndaj tij, siç ka arsyetuar me të drejtë edhe Kolegji Penal i Gjykatë së Lartë.
Si përfundim, Kolegji çmon se kërkesa nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare.
Vendimi i plotë mund të lexohet & shkarkohet këtu:
GJK – Vendim lidhur me vendimmarrjen e GKL mbi deputetin Mark Frroku