Dekriminalizimi / Rrezik për promovimin e figurave pa integritet në zgjedhjet e 6 marsit?

Më 6 mars qytetarët e gjashtë bashkive do të shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesin e ri. Bashkitë pa kryetar janë: Shkodra, Dibra, Durrësi, Vora, Rrogozhina dhe Lushnja.

Me dekretimin e datës së zgjedhjeve, partite politike premtuan se do të ofronin kandidatë me integritet dhe më të mirët e mundshëm. Kujtojmë se disa vakanca në bashki u krijuan sepse dy ish-kryebashkiakë “u dogjën” nga dekriminalizimi, ndërsa një tjetër ndodhet në burg për korrupsion me tendera dhe shpërdorim detyre.

Nisur nga kjo, Instituti i Studimeve Politike ka ngritur si shqetësim mungesën e një database të individëve të dënuar dhe të penalizuar në vendet e tjera. Sipas ISP-së, partitë politike e shohin dekriminalizimin më shumë si mjet të luftës politike kundër palës rivale, sesa si një mekanizëm reflektimi dhe pastrimi.

Fakti se edhe pas 5 vitesh nga miratimi i ligjit të dekriminalizimit ende ka individë me rekorde kriminale në politikë, sipas ISP, tregon se partitë, në nivel lidershipi, kanë dështuar të bëjnë distancimin e forcave të tyre politike me kategori të tilla, duke dobësuar parimet dhe pritshmëritë publike të dekriminalizimit.

“Individët e inkriminuar bëjnë karrierë politike ose administrative jo vetëm për shkak të ambicies personale, por edhe për shkak të mbështetjes që gjejnë në promovimin e tyre vertikal. Për këtë arsye, reformimi i legjislacionit mbi dekriminalizimin kërkon detyrimisht edhe reformimin e legjislacionit të funksionimit të partive politike. Shqipëria ka nevojë jetike për parti politike dhe institucione transparente, përfaqësuese, legjitime dhe llogaridhënëse”, thuhet në disa gjetje që ISP i ka risjellë pak kohë para zgjedhjeve.

Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Ai kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.

Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Ai ishte dënuar në arrati nga autoritetet greke për përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsifikuara.

Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa  kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.

Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. E fundit që mbeti pa kryetar është Bashkia e Lushnjës në korrik 2021, kur ish-kryetari Fatos Tushe u arrestua për korrupsion nga SPAK.

https://politiko.al/e-tjera/partite-kane-deshtuar-te-distancohen-rrezik-per-promovimin-e-figurave-pa-i452480?fbclid=IwAR3GihAtRZhImA08MmwkRW7zOa6A7dF4BC1YeKkdIEl8rP_Q4vD6aH4bFq8