Partia e Lirisë është parti politike. Ajo është bashkim vullnetar i shtetasve shqiptarë mbi bazën e ideve, të bindjeve, të pikëpamjeve dhe interesave të përbashkëta politike, të cilët synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhjet dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit.
Partia e Lirisë është krijuar, organizuar e funksionon mbi bazën e disa parimeve kryesore që janë:
- Vullnetarizmi për t’u anëtarësuar në PL, për të pranuar programin dhe statutin e saj, si dhe të gjitha detyrimet që burojnë prej tyre;
- Garantimi dhe mbrojtja e lirisë së shprehjes të çdo anëtari të PL-së, për çdo problem që ka të bëjë me organizimin, funksionimin dhe gjithë veprimtarinë politike dhe organizative të PL-së; për rolin dhe performancën e përfaqësuesve dhe e të zgjedhurve të saj; për dokumente themelore dhe çështje të tjera me interes;
- Demokracia e brendshme e partisë, e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në të gjitha forumet e PL-së, si dhe e drejta e krijimit të fraksioneve brenda strukturave të PL-së;
- Kolegjialiteti dhe transparenca në vendimmarrje dhe në drejtimin e çdo forumi të PL-së;
- Votim i fshehtë dhe me kandidatura alternative mbi bazë të parimit një anëtar–një vote;
- Referendumi i brendshëm, si mekanizëm i përfaqësimit direkt të vullnetit të anëtarëve, lidhur me çështje të rëndësishme të organizimit të brendshëm, ndryshimeve statutore e programore dhe vendimmarrjeve të caktuara, strategjike të partisë.