Roli i Prefektit
Vendimi i marrë nga organi i qeverisjes vendore pas rishqyrtimit të aktit të kthyer nga prefekti, depozitohet përsëri pranë prefektit. Në rast se vërehen përsëri papajtueshmëri ligjore në aktin e rishqyrtuar, prefekti i drejtohet gjykatës, nën juridiksionin e së cilës është organi i qeverisjes vendore, duke kërkuar deklarimin e pavlefshëm të këtij akti. Prefekti ka të drejtën e kthimit vetëm një herë të një akti.
Prefekti përgjigjet përpara Këshillit të Ministrave dhe i raporton Kryeministrit për detyrat që i janë ngarkuar. Ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore vendosin lidhje të drejtpërdrejta me prefektin. Këshilli i Ministrave, ministrat dhe drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore dërgojnë rregullisht te prefekti të gjitha aktet që ata nxjerrin.
Prefekti bashkëpunon me organet e Policisë së Shtetit për marrjen e masave për ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike në territorin e qarkut. Bashkërendon veprimtarinë dhe siguron mbështetjen e ndërsjellë të organeve të Policisë së Shtetit, të institucioneve qendrore në nivel vendor dhe të organeve të qeverisjes vendore, për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike dhe për zbatimin e akteve të organeve të qeverisjes vendore.
Lidhur me strukturat e mbrojtjes kontrollon marrjen e masave nga njësitë ushtarake për plotësimin e detyrave me karakter civil që u ngarkohen atyre nga organet përkatëse dhe në raste të veçanta, në përputhje me legjislacionin përkatës, u kërkon komandave të njësive ushtarake në territorin e qarkut mbështetje për përballimin e detyrave me karakter civil dhe në veçanti në përballimin e situatave emergjente.
Qarqet e Republikës së Shqipërisë përfaqësohen nga Prefekturat përkatëse.
1. Qarku i Beratit
2. Qarku i Dibrës
3. Qarku i Durrësit
4. Qarku i Elbasanit
5. Qarku i Fierit
6. Qarku i Gjirokastrës
7. Qarku i Korçës
8. Qarku i Kukësit
9. Qarku i Lezhës
10. Qarku i Shkodrës
11. Qarku i Tiranës
12. Qarku i Vlorës