Gjykata e Lartë, me seli në Tiranë, është shkalla më e lartë e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë. Gjykata e Lartë, përbëhet prej 19 anëtarësh, të emëruar në detyrë me Dekret të Presidentit të Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, me një mandate 9 vjeçar pa të drejtë riemërimi. Misioni i saj kryesor në bazë të kushtetutës është juridiksioni fillesar dhe rishikues, me kërkesën e palëve, i vendimeve të gjykatave të shkallëve më të ulta. Nëpërmjet këtij proçesi, ajo merr në e zbatimit të ligjit pa gjykuar faktet duke garantuar me anë të jurisprudencës së saj zbatimin uniform të ligjeve. Kështu gjykon si shkallë e parë akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, deputetëve, gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa, shqyrton në juridiksion rishikues të gjitha rekurset e paraqitura kundër vendimeve të gjykatave më të ulta. Gjithashtu, për njesimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore, Gjykata e Lartë ka të drejtë të tërheqë për shqyrtim në Kolegjet e Bashkuara çështje të caktuara gjyqësore.
Mënyra e organizimit dhe funksionimit të këtij institucioni të pavarur kushtetues, eshte parashikuar ne ligjin organik te tij nr. 8588, date 15.03.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”. (ndryshuar me Ligjin 151/2013). Ky ligj parashikon se Gjykata e Lartë gjykon çështjet në dy Kolegje Civile, një Kolegj Penal, nje Kolegj Administrativ, si dhe në Kolegjet të Bashkuara për unifikimin ose ndryshimin e praktikës gjyqësore. Kryetari i Gjykatës së Lartë emërohet në detyrë me Dekret të Presidentit të Republikës, me pëlqimin e Kuvendit, nga rradhët e anëtarëve ekzistues, dhe e ushtron këtë detyrë brenda mandati të anëtarit të gjykatës.