Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve (Komisioneri) është organ monokratik dhe ushtron kompetencat ekzekutive.
Komisioneri drejton administratën e KQZ-së dhe atë zgjedhore, përfaqëson KQZ-në në marrëdhëniet me të tretët. Mbikëqyr veprimtarinë e administratës zgjedhore, monitoron veprimtarinë e subjekteve zgjedhore, organeve dhe institucioneve shtetërore të medias në lidhje me zgjedhjet dhe referendumet.
Komisionieri ndër të tjera kujdeset për zbatimin e Kodit Zgjedhor në mënyrë të drejtë, të përpiktë, të saktë dhe uniforme nga të gjitha institucionet, subjektet apo personat e ngarkuar me detyra dhe detyrime, sipas ligjit.
Ai ushtron në emër të KQZ-së kompetencat që i ngarkohen asaj me ligje të veçanta, si dhe çdo kompetencë që ky ligj nuk ia njeh shprehimisht Rregullatorit ose KAS-it. Kuvendi i Shqipërisë me vendimin nr. 56/2020, zgjodhi Komisioner Shtetëror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan CELIBASHI.