Dënohet për mos kallëzim krimi ish-kandidati i PD për bashkinë Rrogozhinë, Shkëlqim Hoxha. Ai u dënua me 4 muaj burg me gjykim të shkurtuar që konvertohen në 60 ore pune në interes publik.
Bashkë me të u dënuan dhe 4 persona te tjerë për korrupsion aktiv në zgjedhje. Behet fjale për zgjedhjet lokale te vitit 2023, sipas hetimeve te SPAK.
Ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm (të dokumentuara në 64 raste), me qëllim që të votonin në favor të kandidatit, Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
Gjithashtu, ka rezultuar se Shkëlqim Hoxha ishte në dijeni të kësaj veprimtarie të paligjshme, më konkretisht se Fatmir Thaçi dhe Limon Shala ishin të angazhuar në sigurimin dhe ofrimin e biletave të udhëtimit për persona të ndryshëm, me qëllim pjesëmarrjen në votime si dhe dhënien e votës në favor të tij, për shkak të cilësisë së tij si kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë Rrogozhinë.
Ai nuk e ka kallëzuar në organet kompetente, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, konkretisht nenin 300 i Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi dhe Shkëlqim Hoxha”.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtaret Atalanta Zeqiraj, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka, me vendimin nr. 10, datë 06.02.2026 vendosi:
1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Limon Shala, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, të parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50 germa “h” të Kodit Penal, dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim burgim. – Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3 për të pandehurin Limon Shala dhe dënimin e tij përfundimisht me 1 (një) vit burgim. – Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, dhe vënien në provë të të pandehurit Limon Shala, për një afat prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbaj kontakte me Shërbimin e Provës.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Fatmir Thaçi për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, të parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50 germa “h” të Kodit Penal dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim. – Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Fatmir Thaçi me 1 (një) vit burgim. – Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, dhe vihet në provë i pandehuri Fatmir Thaçi për një afat prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbaj kontakte me Shërbimin e Provës.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Engjell Cara për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se njëherë të parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50/h të Kodit Penal, dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim. – Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, uljen e dënimit me me 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Engjell Cara me 1(një) vit burgim. – Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, dhe vënia në provë e të pandehurit Engjell Cara për një afat prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbaj kontakte me Shërbimin e Provës.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Florant Saraçi për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se njëherë të parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50/h të Kodit Penal, dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim. – Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Florant Saraçi me 1(një) vit burgim. – Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim, dhe vënien në provë të të pandehurit Florant Saraçi për një afat prej 2 (dy) vjetësh, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mbaj kontakte me Shërbimin e Provës.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Shkëlqim Hoxha për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, të parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim. – Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Shkëlqim Hoxha, me 4 (katër) muaj burgim. – Bazuar në nenin 63 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Shkëlqim Hoxha dhe zëvendësimin e tij me detyrimin për të përmbushur një punë në interes publik. – I pandehuri Shkëlqim Hoxha, urdhërohet të kryejë 60 (gjashtëdhjetë) orë punë në interes publik, brenda një afati 6 (gjashtë) muaj. – Urdhërohet i pandehuri Shkëlqim Hoxha të mbaj kontakte me Shërbimin e Provës.
6. Kthimin e aparateve celularë të sekuestruar shtetasve L. Shala, F.Thaci, dhe E.Cara.
7. Shpenzimet proceduriale të kryera gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit, ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.
8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.








