Gushti ishte muaji i konstituimit të këshillave bashkiakë dhe të betimit të kryebashkiakëve të rinj të dalë nga votimet njëpartiake të 30 qershorit, por edhe i vetëm në zgjedhje, kryeministri Rama dhe partia që drejton, duket se ka gabuar në përzgjedhjen e kandidatëve. Valdrin Pjetri as nuk e gëzoi për pak ditë Bashkinë Shkodër, pasi u detyrua të jepte dorëheqjen në momentin që Partia Demokratike paraqiti dokumentat që tregonin se ai ishte dënuar në vitin 2003 në Itali për mbajtje dhe trafik të lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim. Një tjetër kryebashkiak “safi socialist”, duket se do të ketë fatin e Pjetrit. Kryetari i Bashkisë Vorë Agim Kajmaku është denoncuar nga Partia Demokratike pasi dyshohet se ka mashtruar në formularin e dekriminalizimit. Për PD-në, ekzistojnë të dhëna dhe dokumenta që ai ka një çështje të hapur penale në vendin fqinj Greqi, për disa akuza të rënda. Nuk janë më vetëm deklarata politike, pasi pritet që sot PD të paraqesë dokumenta të cilët tregojnë se edhe Kajmaku ka të shkuar të errët dhe i dyshuar për përfshirje në vepra penale, gjatë kohës kur ka jetuar në Greqi dhe mbante emrin Jorgo Tota.
Për këtë çështje janë publikuar edhe disa shkrime nga “Zëri i Amerikës”, duke e konsideruar si rast të ngjashëm me atë të Valdrin Pjetrit dhe më shumë mundësi edhe Kajmaku mund të shkojë drejt dorëheqjes, ndonëse në një qëndrim të tre ditëve më parë ka mohuar të ketë qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme. Nëse kryeministri nga 61 kandidatë shkoi dhe “qëmtoi” këta dy kandidatë, nga 205 mijë banorë që kishte Shkodra dhe 38 mijë Vora, po me këshillat bashkiakë çfarë bëhet? Kjo është një pikëpyetje e madhe, që pavarësisht ligjit të qartë të dekriminalizimit, disa këshilltarë bashkiakë dyshohet se në formularë kanë “fshirë” të shkuarën e tyre kriminale duke mashtruar, por nuk mund të djegin dokumentet hetimore apo vendimet e gjykatave të vendeve të BE-së.
Dekriminalizimi që i nxori zbuluar
Në momentet e para kur PD paraqiti në Parlament draftin ligjor për dekriminalizimin, mazhoranca e mori me shumë sportivitet. “Le ta votojmë këtë ligj dhe të shohim se ku janë kriminelët”-kështu deklaronin shumë deputetëve dhe drejtues të PS-së, por e ardhmja solli tronditje në spektrin e majtë. Që nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit të dekriminalizimit më 7 janar të vitit 2016, janë detyruar të largohen me dorëheqje apo shkarkime 117 anëtarë të këshillave bashkiakë, drejtorë drejtorie, deputetë dhe kryetarë bashkish. Një shifër e lartë, që tregon se elementë me të shkuar të errët kriminale, kanë mundur të depërtojnë në politikë, si të zgjedhur apo përzgjedhur, në poste të rëndësishme drejtuese. Nga kjo shifër edhe më e rëndë është statistika që mbi 80 % e personave me rekorde kriminale, por që kishin veshur kostumin e zyrtarëve të lartë shtetëror, janë përfaqësues të Partisë Socialiste, pjesa tjetër të aleatëve të tyre. Padyshim një goditje e rëndë për kreun e qeverisë, që gjithsesi me rastin e Pjetrit “lau duart” me shprehjen: “Ligji është i barabartë për të gjithë dhe përgjegjësinë ta mbajnë individët dhe jo partia”.
Më shumë se gjithçka kryeministrit i dhemb “humbja e Shkodrës”. E kishte thuajse të vetmen mundësi që këtë bashki ta marrte pas 28 vitesh, jo me zgjedhje të lira, konkurruesedhe ndershme, por me votime njëpartiake, me një kandidat të vetëm. Edhe kjo nuk ndodhi, pasi i përzgjedhuri i drejtpërdrejtë i tij, i cili së fundmi mori edhe postin e rëndësishëm të koordinatorit të Partisë Socialiste të Qarkut Shkodër, rezultoi me të shkuar kriminale. Sinjalet janë dhënë prej dy javësh që edhe Bashkia Vorë mund të ketë të njëjtin fat. Pikëpyetjet ngrihen edhe në aspektin ligjor, pasi ka paqartësi të madhe sesi do të drejtohen bashkitë pas dorëheqjes së detyruar, kur opozita nuk i njeh votimet e 30 qershorit dhe presidenti ka dekretuar datën 13 tetor për zhvillimin e tyre.
Dy bashki që “bien vetë”
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi dje në rrjetet sociale duke akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe ministren Belinda Balluku se kanë pasur dijeni që kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku ka problem të theksuara me drejtësinë greke, por e kanë mbajtur të fshehur dhe nuk reagojnë. “Njëlloj si me ValdrinPjetrin, Edi Rama e di se Agim Kajmaku i Vorës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit! Hajduti Psiqik e di se i përzgjedhuri i tij për Vorën ka probleme të hapura me drejtësinë greke, dhe se ai e ka fshehur të vërtetën. Por Edi Rama, përmes Belinda Ballukut, vendosi veton dhe injoroi kërkesën e socialistëve të Vorës para 30 Qershorit që të mos kandidonte një person për të cilin e gjithë Vora e di se ka probleme të hapura me drejtësinë greke”, shkruan Basha. Sipas tij, Kajmaku duhet të largohet dhe të merret menjëherë i pandehur sepse ka shkelur Ligjin e Dekriminalizimit dhe ka fshehur të dhënat mbi të kaluarën e tij. “Ai duhet të përballet edhe me drejtësinë greke të cilës i është fshehur prej vitesh! Por sërish Edi Rama e mbron Jorgo Kajmakun nga zbatimi i Ligjit të Dekriminalizimit, me anë të prokurorisë së korruptuar dhe politizuar”-tha Basha.
Besimi politik opozitar, por fatkeqësisht edhe një pjesë e mirë publik ka rënë ndaj institucionit të prokurorisë. Nuk është shuar ende çështja e dosjes së bujshme 184, e cila u transferua me një urdhër të dyshimtë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Prokurorinë e Dibrës. Praktikisht, me transferimin e saj, kanë rënë akuzat për zyrtarët e lartë të dyshuar si të implikuar në krimin elektoral të shitblerjes së votave. Në përgjime të autorizuara dhe ligjore, të zhvilluara nga datat 9-12 shtator 2016, dilnin kryeministri Edi Rama, ish-ministrat DamianGjiknuri, Saimir Tahiri dhe deputetët PjerinNdreu, Ulsi Manja dhe XhemalQefalia që flisnin me drejtues lokal dhe shefa policie për emërime të paligjshme dhe kërcënim për largim nga puna nëse drejtorë shkollash, mësues dhe familjarë të tyre nuk votonin haptas për kandidatin e Partisë Socialiste. Dosja tashmë është degdisur në Prokurorinë e Dibrës me urdhër të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku. Gjithashtu edhe për rastin Pjetri institucioni i akuzës ende nuk është shprehur, ndonëse pati kohën e mjaftueshme për të verifikuar dokumentat që tashmë i dispononte Partia Demokratike.