Kryeministri Rama promovon atë që ai e quan “Shqipëria moderne”, por fjalimet e tij mbyllen me tingujt e këngës tallava “Vetëm përpara”, kolona zanore e fushatës së tij elektorale në zgjedhjet vendore 2023. Posterat kryesorë të partive nuk kanë kandidatët për kryetarë bashkie, por liderët politikë. Ish kryeministri Berisha drejton fushatën e opozitës, por zyrtarisht emri i tij dhe forca që përfaqëson, nuk është subjekt zgjedhor dhe as pjesë e fletës së votimit. Simbolika dhe kontraste të tilla të thella midis retorikës dhe akteve konkrete përbën tiparin kryesor të këtij procesi zgjedhor. Më 14 maj Shqipëria virtuale konkurroi Shqipërinë reale, e para e krijuar nga elita drejtuese dhe e imponuar nga ekspertët e marrëdhënieve publike, e dyta e përfaqësuar nga ata mijëra qytetarë që vijojnë të tentojnë emigrimin.
Më 14 maj u votua për 61 kryetarë bashkish, por zgjedhjet nuk u dominuan nga kandidatët për kryetarë. Figurat kryesore, posterat, fjalimet dhe mitingjet u dominuan nga liderët kryesorë politikë, Rama (PS), Berisha e Meta (BF), Alibeaj (PD), etj. Zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 janë zgjedhjet e radhës, të tretat me ndarjen e re administrative: Shqipëria ka zhvilluar tetë zgjedhje vendore gjatë tranzicionit (1992, 1996, 2000, 2003, 2007, 2011, 2015 dhe 2019). Me një traditë ende të brishtë të kulturës zgjedhore, të decentralizimit dhe të integritetit në politikë, zgjedhjet e 14 majit 2023 janë test i rëndësishëm për aftësinë dhe maturinë e Shqipërisë për të organizuar dhe zhvilluar procese zgjedhore në përputhje me standardet demokratike dhe parimet kushtetuese.
Zgjedhjet e çuditshme: dy palë rivale, por njëra nuk është në fletëvotimi
Zgjedhjet vendore 2023 do të hyjnë në memorien tonë si rasti unik kur gara e ashpër politike u zhvillua midis dy kampeve kryesore politike, njëri prej të cilëve nuk ishte zyrtarisht subjekt elektoral. Nga njëra anë ishte PS në qeveri në koalicion informal me disa parti të majta politike, përfshirë PSD, dhe nga ana tjetër grupimi më i madh i opozitës, PD e drejtuar nga Berisha, e cila nuk u regjistrua në zgjedhje, si dhe një parti e tretë, LSI, e cila përfitoi nga momenti për të krijuar një koalicion opozitar me emrin “Bashkë fitojmë, BF). Zyrtarisht opozita përfaqësohej nga PD e drejtuar nga E.Alibeaj, i cili në fakt arriti të konkurrojë për kryetar bashkie vetëm në 14 bashki, por asnjë prej tyre nuk arriti të fitonte.
Situata absurde u krijua nga rivaliteti midis dy grupimeve në PD, nisur në dhjetor 2021, kur palët zhvilluan kongrese e konventa kombëtare duke përjashtuar njëri tjetrin. Grupimi Basha përjashtoi Berishën dhe mbështetësit e tij, këta të fundit përjashtuan Bashën dhe mbështetësit e tij. Çështja përfundoi në gjykatë dhe në limitet kohore të regjistrimit në zgjedhje gjykata e Apelit riktheu çështjen në pikën zero, gjë që pamundësoi marrjen e një vendimi final. Për pasojë, logo zyrtare i mbeti grupimit Alibeaj, ndërkohë që pjesa tjetër shpalli një grupim të ri, të paregjistruar në zgjedhje, i cili si rrugë të vetme mbijetese pati krijimin e një koalicioni zgjedhor me forcën politike të drejtuar nga ish Presidenti Meta.
“Të fortët” dhe ndikimi në fushatë elektorale
Një numër i konsiderueshëm kandidatësh për kryetar bashkie u zgjodhën nga partitë politike kryesisht mbi bazën e lobimit të bërë nga “të fortët” dhe “oligarkët”, ata që realisht vijojnë të jenë me ndikim të madh në fushatën elektorale së paku prej viteve 2013-2015. Kandidatët kryesorë në zonat bregdetare dhe në zonat që kanë potenciale ekonomike ishin produkte të lobimit nga Tirana. Kandidatët kryesorë nga M.Madhe dhe Shkodra, Saranda dhe Finiqi, Vlora dhe Kukësi, Lezha dhe Berati, Mirdita dhe Kolonja, etj, ishin kandidatë të emëruar nga Tirana dhe kryesisht banorë të Tiranës. Ata u deleguan për të kontrolluar territore të tjera, – një zhvillim i kundërt me konceptin e decentralizimit.
Grupet e fuqishme financiare promovuan kandidatë të veçantë, imponuan fushatat e tyre dhe në disa raste edhe rivalët e tyre, përcaktuan ecurinë e fushatës dhe në tërësi, dominuan fushatën elektorale shumë më tepër sesa kryesitë e partive, shtabet elektorale apo aktorët e tjerë që do të duhej të ishin pjesë vendimmarrëse në partitë politike.
Shteti në fushatë? Arrogancë dhe abuzim masiv
ODIHR ka dhënë alarmin që më 2017 dhe 2019 për përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë, por në zgjedhjet vendore 2023 përmsat e ndërhyrjes së shtetit në fushatë ishin shumë më të mëdha sesa në cdo fushatë tjetër elektorale. Fillimisht qeveria njoftoi rritje rrogash dhe dhënie shume financiare për të gjitha kategoritë e mëdha sociale, (doktorë, mësues, policë, punonjës të administratës, ushtarakë, infermierë, inxhinierë, etj), më pas vijuan ceremoni dhe inagurime të veprave publike në funlsion elektoral (kulmi, gjatë fushatës vendore qeveria shpalli fituesit e tre projekteve për tre stadiume të mëdha në Korcë, Durrës dhe Vlorë), si dhe masivisht administrata u detyrua të hyjë nën kontrollin e programit politik “aktiv1sti”, si dhe të marrë pjesë në aktivitete elektorale. 70% e ministrave dhe 60% e kryetarëve të bashkive u penalizuan nga KQZ për përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë elektorale, disa prej zyrtarëve shkaktuan skandale publike dhe vetë kryeministri promovoi rolin e qeverisë në fushatë, duke paralajmëruan se nuk do të bashkëpunojë me asnjë prej bashkive që fitohen nga partitë e opozitës.
Ministria e Arsimit dhe e Shëndetësisë, ajo e Energjitikës dhe Infrastrukturës, ishin në krye të ministrave që përdorën masivisht punonjësit e tyre në aktivitete elektorale, shumë më tepër sesa edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare. Zgjedhjet u dominuan nga edhe nga fenomeni i “asfaltit elektoral”, mbi 60% e kryetarëve të bashkive përfshirë ai në Tiranë, në Durrës apo në Elbasan, u denoncuan shumë herë nga media për aplikimin e asfaltit elektoral, si masë abuzimi me pushtetin dhe me synim sigurimin e votave kryesisht të zonave të braktisura të periferisë.
Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).
Pergatit A.Bala