Koncepti i dekriminalizimit lidhet me integritetin e zyrtarëve të lartë, integritetin e institucioneve, besueshmërinë publike dhe cilësinë e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. Prokuroria e Përgjithshme ka një rol specifik verifikimi si dhe institucionet kanë detyrime konkrete ligjore. sa është jetësuar ky koncept gjatë vitit 2025? Një raport vjetor I Prokurorit të Përgjithshëm ofron më shumë të dhëna statistikore. zhvillim pozitiv fakti që prokurori i ka dhënë kaq shumë rëndësi e vend çështjes së dekriminalizimit në raportin vjetor. Ky ka qenë edhe një rekomandim i vazhdueshëm i ISP dhe ne e vlerësojmë Prokurorin e Përgjithshëm për reflektimin pozitiv.
Të dhënat statistikore janë të rëndësishme, por nga këndvështrimi i Institutit të Studimeve Politike (ISP), si organizatë që monitoron zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe integritetin e funksionarëve publikë, marrin rëndësi të dhënat kritike. P.sh., fakti që në vitin 2025 nuk janë pranuar 8 kërkesa për verifikimin e formularëve të vetëdeklarimit, që lidhen me 19 persona, për shkak të mungesës së kushteve dhe kritereve ligjore/procedurale, tregon një problem më të thellë në zinxhirin institucional të zbatimit të ligjit nr. 138/2015. Problemi qëndron kryesisht te mënyra se si organet kompetente përgatisin, dokumentojnë dhe ndjekin kërkesat për verifikim.
Në këtë rast, çështja më shqetësuese është se mospranimi ka ardhur pasi organet kërkuese, edhe pas njoftimit me shkrim nga Prokuroria e Përgjithshme, nuk kanë plotësuar të metat brenda afatit të caktuar. Kjo tregon se procedura e dekriminalizimit, në disa raste, nuk dështon për shkak të mungesës së ligjit, por për shkak të zbatimit të dobët administrativ të tij. Kur një organ publik nuk plotëson dokumentacionin, nuk korrigjon mangësitë ose nuk ndjek në kohë kërkesën e vet, procesi i verifikimit të thelluar mbetet i pamundur. Për pasojë, ligji humbet efektivitetin e tij parandalues.
Ky problem bëhet edhe më i ndjeshëm për shkak të profilit të personave të përfshirë. Nga 19 personat për të cilët kërkesat nuk janë pranuar, 12 i përkasin kategorisë “zyrtar i lartë”, ndërsa një pjesë lidhet me kandidatë për funksione shumë të rëndësishme kushtetuese. Në mënyrë të veçantë, kërkesa e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për 12 kandidatë për anëtarë në Gjykatën Kushtetuese ka rëndësi të posaçme, sepse çdo paqartësi ose vonesë në verifikimin e integritetit të kandidatëve për institucione kushtetuese ndikon drejtpërdrejt në besimin publik ndaj procesit të emërimit dhe ndaj vetë institucioneve të drejtësisë.
Nga pikëpamja e monitorimit nga ISP, kjo situatë evidenton një dobësi strukturore: ligji i dekriminalizimit funksionon vetëm nëse të gjitha hallkat institucionale veprojnë në mënyrë të koordinuar, të plotë dhe në afat. Nuk mjafton që subjektet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit; organi kompetent duhet ta administrojë atë saktë, ta përcjellë me dokumentacionin e nevojshëm, të reagojë ndaj kërkesave për plotësim dhe të marrë përgjegjësi për ndjekjen e procesit deri në përfundim. Në të kundërt, verifikimi i integritetit kthehet në një procedurë formale, të cenueshme nga vonesat, pasaktësitë dhe mungesa e përgjegjësisë institucionale.
Zgjidhja duhet të jetë praktike dhe institucionale. Së pari, duhet të hartohet një check-list e detyrueshme dokumentacioni për çdo organ që paraqet kërkesë për verifikim pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo listë duhet të përcaktojë qartë dokumentet, afatet, formatin e kërkesës, përgjegjësin institucional dhe pasojat e mosplotësimit të të metave. Së dyti, duhet të krijohet një mekanizëm i qartë komunikimi ndërmjet Prokurorisë së Përgjithshme dhe organeve kërkuese, me pika kontakti të dedikuara, në mënyrë që korrigjimi i të metave të mos mbetet në nivel shkresash formale.
Së treti, për rastet që lidhen me funksione të larta publike, sidomos me institucione kushtetuese, duhet të ketë një regjim më të rreptë ndjekjeje. Kur kërkesa për verifikim lidhet me kandidatë për Gjykatën Kushtetuese, organe të drejtësisë, funksione drejtuese ose pozicione të larta publike, mosplotësimi i të metave nga organi kërkues nuk duhet të kalojë pa analizë të posaçme institucionale. Në këto raste, duhet të raportohet qartë se cili organ nuk ka vepruar, çfarë të metash nuk janë plotësuar dhe çfarë ndikimi ka pasur kjo në procesin e verifikimit.
Së katërti, raportimet vjetore mbi dekriminalizimin duhet të jenë më analitike. Përveç numrit të kërkesave të pranuara, të refuzuara dhe të përfunduara, duhet të evidentohen arsyet kryesore të mospranimit, institucionet që nuk plotësojnë të metat, rastet e përsëritura dhe masat korrigjuese të marra. Kjo do ta kthente raportimin nga një pasqyrë statistikore në një instrument real llogaridhënieje.
Rekomandimi kryesor është forcimi i standardeve procedurale, unifikimi i praktikave të organeve kërkuese dhe vendosja e përgjegjësisë konkrete për mosveprimet që pengojnë verifikimin e thelluar. Vetëm kështu procesi i dekriminalizimit mund të ruajë funksionin e tij real: parandalimin e hyrjes ose qëndrimit në funksione publike të personave që bien në kushtet e ndalimit ligjor.
Raporti i vjetor i Prokurorit te Pergjithshem 2025 – pjesa per dekriminalizimin:
Dekriminalizimi, praktikat dhe problematikat 2025 – Raport i Prokurorit te Pergjithshem







