Katër vite më parë u krijua Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK). Publiku kishte pritshmëri të mëdha nga SPAK dhe reforma në drejtësi, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe korrupsionit nga zyrtarët e lartë.
Pas katër vitesh reforma nuk ka përfunduar ende dhe procesi i dhënies së drejtësisë po vijon. Në vitet 2021-2023 janë arrestuar, dënuar ose vijojnë në proces hetimi disa ministra dhe ish-ministra, deputetë dhe ish-deputetë, kryetarë bashkie dhe ish-kryetarë bashkie, drejtues të lartë ekzekutivë dhe biznesmen të njohur për lidhje të forta politike dhe ndikime informale në procese elektorale.
Pas zgjedhjeve vendore të vitit 2023 janë rritur rastet e hetimeve në nivele më të larta, përfshirë një ish zv/kryeminister. Në asnjë periudhë tjetër të tranzicionit nuk ka pasur numër më të madh zyrtarësh të lartë nën hetime ose përpara drejtësisë.
Politikanët dhe zyrtarët e lartë kanë ndikim të madh në jetën publike dhe institucionale. Ata përfaqësojnë, marrin vendime, administrojnë pushtetin dhe paratë publike, ndikojnë në zhvillimin e tregut dhe progresin e shoqërisë. Korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin mbeten dukuri të përhapura, por SPAK po ndihmon që personat përgjegjës të përballen me drejtësinë.
Shqipëria meriton të ketë politikanë dhe zyrtarë të pastër.
Kjo video është realizuar në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) dhe realizuar nga Institutit i Studimeve Politike (ISP).