Sfida e Shqipërisë për të jetësuar dekriminalizimin dhe standardet e integritetit lidhet jo vetëm me një detyrim kushtetues e ligjor, por edhe me nevojën jetike për të forcuar shtetin e së drejtës dhe demokracinë funksionale, si dhe për të rritur besimin publik tek institucionet. Dekriminalizimi nisi si një proces krize dhe me synimin të jetë i përkohshëm. Shtatë vjet më vonë dekriminalizimi vijon të jetë headline në raportimet mediatike dhe ende ka zyrtarë të niveleve të larta që vijojnë të humbasin mandatet apo postet për shkak të rekordeve kriminale në të kaluarën ose për akte korruptive të tanishme. Sistemi i karrierës në politikë, por edhe në administratën publike dhe në institucionet kushtetuese apo të krijuara me ligj vijon të jetë problematik, klientelist, pa verifikime paraprake dhe meritokracie, ndërkohë që partitë politike, bartësit kryesor të karrierës politike dhe përgjegjëse publike, vijojnë të aplikojnë standarde të dyfishta ndaj dekriminalizimit dhe integritetit, kritike për Tjetrin, refuzuese të përgjegjësisë për veten.
Gjatë viteve të fundit më shumë se 21 deputetë, kryetarë bashkie, gjyqtarë të lartë apo funksionarë të tjerë të lartë kanë humbur mandatet për shkak të dekriminalizimit, për shkak të proceseve gjyqësore kundër tyre për korrupsion apo për shkak të përfshirjes në skandale të ndryshme. Disa zyrtarë të tjerë të lartë vijojnë të jenë nën hetim, ndërkohë që në rreth 10 raste politikanë e zyrtarë të lartë janë të përfshirë në listën e sanksioneve nga qeveria e SHBA-ve apo e Britanisë së Madhe, dy vende që aktualisht aplikojnë këtë masë antikorrupsion në raport me Shqipërinë. Pothuajse asnjë nga zyrtarët e larguar nga dekriminalizimi ose të përfshirë në listën e sanksioneve nuk është larguar dhe as përjashtuar nga partia e tij politike, një zhvillim i kundër me frymën e ligjit dhe deklaratat publike të partive politike.
Gjatë 2017-2024 vijon procesi i vettingut në drejtësi, një proces testimi dhe integriteti, i cili përbën testin më të thellë dhe më të rëndësishëm ndaj zyrtarëve të lartë të ndërmarrë jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet lindore që i janë bashkuar ose duan t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Referuar të dhënave zyrtare gjatë këtyre viteve janë shënuar 220 shkarkime nga detyra (gjyqtarë, prokurorë, inspektorë, ndihmës gjyqësorë, etj), janë konfirmuar në detyrë 240, në 133 raste procesi është ndërprerë për shkak të dorëheqjeve (95) dhe për arsye të tjera (38). Niveli i dytë, KPA, nga 170 vendime ka lënë në fuqi 125 vendime të KPK ose rreth 75% të totalit të rasteve të shqyrtuara. Numri i lartë i shkarkimeve, kryesisht në kriterin financiar, është tregues i thellësisë së reformës, por edhe i nivelit të korrupsionit tek sistemi i vjetër i drejtësisë, nivel, i cili në përqindje të njëjta reflektohet edhe në sektorët e tjerë shoqërorë. Një raport i KLSH për vitin 2022 tregoi se nga më shumë se 120 auditime ka evidentuar dëm ekonomik mbi 122 miliardë lekë (mbi 1 miliard euro), por vetëm në një rast KLSH ka kryer kallëzim penal në Prokurori.
Një nga tiparet kryesore të institucioneve publike, sidomos atyre të natyrës vertikale dhe të emërtimit, si dhe të institucioneve lokale, përfshirë strukturat e bashkive dhe qarqeve është ndryshimi i vazhdueshëm i drejtuesve dhe personelit. Vetëm Policia e Shtetit ndryshoi tre drejtorë të përgjithshëm në harkun kohor prej për 1 viti, ndërkohë që në dy raste shkarkimi u motivua për shkak të paaftësisë ose dështimit në përmbushjen e detyrës, shoqëruar kjo me shkarkime periodike të drejtuesve lokalë të policisë dhe strukturës së varësisë. Një rast tjetër domethënës është institucioni i kadastrës, ku p.sh, vetëm në Vlorë për një periudhë të shkurtër kohore janë ndryshuar 10 drejtorë të kadastrës, disa prej të cilëve në detyrë vetëm disa ditë ose javë. Në dy raste pati shkrirje të të gjithë zyrës së kadastrës për shkak të akuzave për korrupsion, por në tërësi numri i zyrtarëve përgjegjës që u gjykuan dhe morën dënime nga drejtësia është minimal. Lidhjet e forta politike dhe praktika e riciklimit të individëve të shkarkuar nga njëri sektor në një tjetër brenda sektorit publike pamundëson vendosjen e drejtësisë dhe ndjekjen e standardeve të larta etike në administratën publike.
Tipar tjetër i institucioneve është përpjekja e tyre për të shmangur elementët etransparencës dhe llogaridhënies. Vetëm 2 nga 61 bashki pranuan të raportojnë se kanë pasur zyrtarë të tyre të penalizuar nga dekriminalizimi ose që janë të dënuar, ndërkohë që të dhënat e grumbulluara nga burime të tjera dëshmuan se shumica e absolute e bashkive ka pasur zyrtarë të shkarkuar për korrupsion gjatë periudhës 2019-2022, si dhe ka ende zyrtarë që janë në procese hetimore. Të njëjtat tipare u shfaqën edhe në këshillat e qarqeve, në prefektura, në drejtoritë arsimore, shëndetësore, etj. Nga ana tjetër, partitë politike në tërësi refuzojnë të pranojnë përgjegjësi apo bilance të zyrtarëve të tyre, duke i konsideruar ato si raste individuale dhe si përgjegjësi personale. Vetë partitë nuk kanë jetësuar ende një mekanizëm kontrolli dhe parandalimi, ndërkohë që struktura e dekriminalizimit në Prokurori dhe KQZ janë ende larg funksionit për ta udhëhequr këtë proces.
Një element tjetër me rëndësi është keqpërdorimi që politika dhe media i bën akuzave për korrupsion dhe dekriminalizim, në funksion të politikës së ditës dhe rivaliteteve elektorale. Shumë prej raporteve denoncuese të partive politike ose disa portaleve online të dedikuara denoncimeve rezultuan se janë të pasakta, por me siguri akuzat kanë lënë gjurmë për të drejtat e vetë subjekteve të sulmuara dhe në imazhin e tyre publik. Shqipëria nuk ka ende një mekanizëm institucional që garanton respektimin e plotë të të drejtave dhe integritetit të personave, në rastet kur ata janë viktimë e sulmeve denigruese, siç edhe nuk ka ende një bazë rregullatore ligjore për mediat online, të cilat janë shumicë sot në mjedisin mediatik shqiptar.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) po zbaton projektin “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED). Pjesë e projektit është monitorimi dhe raportimi për të dhënat e dekriminalizimit dhe integritetit në 12 qarqe, duke u bazuar në institucionet e nivelit vendor. Ky është raporti i parë përmbledhës i raporteve për 12 qarqet për periudhën janar-dhjetor 2022. Të dhënat janë realizuar nga stafi monitorues dhe janë ballafaquar me të dhënat e mbledhura nga komunikimi zyrtar me institucionet, nga raportimet në media dhe nga raportimet e institucioneve ligjzbatuese në Shqipëri.
Raporti i plotë, për shkak të të dhënave sensitive, mund të tërhiqet vetëm në komunikim me ISP-në.
BILANCI I VETINGUT NË DREJTËSI – 12 QARQE 2017-2022 | |
Ndërprerje vetingu (dorëheqje) | 86 |
Shkarkim nga funksioni | 214 |
Shkarkim për shkak të pasurisë | 201 |
Shkarkim për arsye profesionale | 49 |
Shkarkim për motive integriteti | 46 |
Gjyqtarë të larguar nga vetingu | 143 |
Prokurorë të larguar nga vetingu | 86 |
Ndihmës ligjorë të larguar nga vetingu | 8 |
Inspektorë të larguar nga vetingu | 2 |