Projekti “Promovimi i Llogaridhënies së Zyrtarëve të Zgjedhur” është vazhdim i punës së nisur nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) me mbështetjen e National Endowment for Democracy (NED) në vitin 2020 me qëllim për të rritur transparencën dhe llogaridhënien midis zyrtarëve të zgjedhur dhe të emëruar, përfshirë anëtarët e parlamentit, partitë politike parlamentare, qeverisjen vendore, institucionet e reja në sektorin e drejtësisë, institucionet e pavarura dhe administratën publike. Projekti synon të promovojë integritetin dhe llogaridhënien e zyrtarëve të zgjedhur ose të emëruar, dhe të forcojë standardet e transparencës në institucionet qendrore dhe vendore.
Dhjetë vjet pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit (Ligji 138/2015) dhe tetë vjet që nga fillimi i reformës në drejtësi, ky projekt jo vetëm që ka adresuar një nga dobësitë më urgjente demokratike të Shqipërisë, por gjithashtu ka evidentuar ISP-në si organizata e vetme me një bazë të dhënash gjithëpërfshirëse të dekriminalizimit, që mbulon të gjitha nivelet e qeverisjes në të gjithë vendin. Duke filluar nga viti 2018, ISP ka zhvilluar dhe menaxhon një portal online të dedikuar mbi dekriminalizimin dhe integritetin (https://dekriminalizimin.isp.com.al/ ), i cili tani është faqja kryesore në vend për lajme, raporte, sondazhe dhe rekomandime të ekspertëve.
GJETJET KRYESORE TË PROJEKTIT
Në analizën e përgjithshme të situatës politike dhe institucionale në vend, dallohet qartë se mungesa e standardeve të plota të etikës dhe llogaridhënies vazhdon të mbetet një problem themelor në jetën publike shqiptare. Megjithëse janë bërë përmirësime në drejtim të transparencës dhe raportimit publik, boshllëqet ligjore dhe zbatimi i dobët i rregullave etike e kufizojnë ndjeshëm efektivitetin e reformave. Struktura të caktuara politike tregojnë një rezistencë të dukshme ndaj mekanizmave të kontrollit dhe ndëshkimit, duke penguar krijimin e një kulture të qëndrueshme përgjegjësie institucionale.
Një tjetër problem i qëndrueshëm lidhet me zbatimin e pjesshëm të ligjit për dekriminalizimin. Edhe pse është vënë re një progres në procesin e verifikimit të kandidatëve dhe në ndjekjen e vendimeve gjyqësore, zbatimi i këtij ligji shpesh pengohet nga mungesa e vullnetit politik dhe bashkëpunimit të plotë ndërmjet institucioneve përgjegjëse. Si rezultat, dekriminalizimi shpesh mbetet një proces formal, që nuk sjell pasoja të prekshme për figurat politike me probleme të integritetit.
Në të njëjtën linjë, reforma zgjedhore ka shënuar një progres të ngadaltë dhe fragmentar. Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore funksionoi në mënyrë të ndërprerë, pa arritur të garantojë një proces të vazhdueshëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Debati publik dhe institucional mbi sistemin zgjedhor ka qenë më shumë i orientuar nga interesat partiake sesa nga nevoja reale për të përmirësuar përfaqësimin dhe integritetin e procesit zgjedhor.
Një tjetër gjetje shqetësuese është politizimi i administratës zgjedhore dhe përdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatave elektorale. Në shumë raste, është vërejtur ndikim institucional në favor të subjekteve politike dhe mungesë e mekanizmave të fortë kontrolli për të parandaluar abuzimet me burimet publike. Këto praktika dëmtojnë besimin e publikut dhe cenojnë ndjeshëm barazinë në garën zgjedhore.
Në planin institucional, mungesa e transparencës në financimin e partive politike dhe funksionimin e tyre të brendshëm përbën një tjetër problem të theksuar. Ligji aktual që rregullon partitë politike është i tejkaluar dhe nuk ofron garanci për mbikëqyrje efektive të burimeve financiare. Një numër i konsiderueshëm partish politike funksionojnë pa raportim të rregullt financiar, me struktura drejtuese joaktive ose formale, duke minuar standardet e konkurrencës dhe llogaridhënies politike.
Për më tepër, mungesa e konsensusit politik dhe përfshirjes reale në proceset reformuese vazhdon të pengojë përparimin demokratik. Shumë procese konsultimi publik zhvillohen në mënyrë formale, pa pjesëmarrje domethënëse të shoqërisë civile apo ekspertizës së pavarur. Vendimmarrja politike vijon të mbetet e centralizuar dhe e mbyllur, duke kufizuar ndjeshëm ndikimin e grupeve të interesit dhe aktorëve të tjerë institucionalë në hartimin e politikave publike.
Në fund, rezistenca politike ndaj reformave të thella institucionale mbetet një nga pengesat më serioze për forcimin e llogaridhënies dhe sundimit të ligjit. Pavarësisht presionit të shoqërisë civile dhe aktorëve ndërkombëtarë, elitat politike shpesh e përdorin diskursin e reformës si retorikë, duke shmangur zbatimin real të ndryshimeve ligjore dhe morale që kërkohen për të garantuar integritetin institucional.
REKOMANDIME KRYESORE
Kërkohet një angazhim i qartë për forcimin e etikës dhe llogaridhënies publike, përmes hartimit dhe miratimit të një Kodi të ri Etike për Zyrtarët Publikë, i cili duhet të ketë fuqi detyruese për të gjitha institucionet shtetërore. Ky kod duhet të shoqërohet me rritjen e kompetencave të institucioneve mbikëqyrëse si ILDKPKI, KLSH dhe Avokati i Popullit, në mënyrë që këto struktura të kenë mundësi reale për të ndjekur rastet e shkeljeve etike dhe konfliktit të interesit.
Në vijim, ISP thekson nevojën për zbatim të plotë të ligjit për dekriminalizimin, duke e bërë të detyrueshëm verifikimin paraprak të çdo kandidati përpara regjistrimit në zgjedhje. Ky proces duhet të shtrihet edhe mbi drejtuesit e partive politike, për të garantuar që integriteti të jetë kriter thelbësor për përfaqësimin publik. Po ashtu, kërkohet parashikimi i ndëshkimeve të qarta për subjektet që pranojnë financime të paligjshme ose që promovojnë kandidatë me rekorde penale, në mënyrë që ligji të mos mbetet një instrument formal, por një mekanizëm real përgjegjësie.
Një tjetër prioritet është reforma zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe transparente. ISP sugjeron që ligji zgjedhor të përfshijë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare si ODIHR dhe Komisioni i Venecias, duke garantuar që procesi i reformës të mos jetë selektiv. Është thelbësore që çdo ndryshim ligjor të paraprihet nga një proces konsultimi publik i detyrueshëm, me pjesëmarrjen aktive të organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertizës akademike. Po ashtu, duhet të krijohet një mekanizëm i pavarur monitorimi për përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatave, në mënyrë që të sigurohet barazia e subjekteve në garë.
Një nga shtyllat kyçe të reformës duhet të jetë depolitizimi i administratës zgjedhore. ISP propozon shqyrtimin e modeleve alternative me komisionerë profesionistë apo studentë të juridikut, për të zëvendësuar përfaqësimin aktual partiak në komisionet zgjedhore. Njëkohësisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të publikojë një Udhëzues Zyrtar të Kodit Zgjedhor, me qëllim unifikimin e praktikave dhe shmangien e interpretimeve të ndryshme ligjore.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm është riformatimi i ligjit për partitë politike. ISP propozon krijimin e një mekanizmi të pavarur pranë KQZ-së për verifikimin e ekzistencës, transparencës financiare dhe funksionimit të brendshëm të partive. Partitë duhet të detyrohen të dorëzojnë çdo vit raportet e tyre financiare dhe të deklarojnë strukturat drejtuese, ndërsa ato që nuk arrijnë të marrin mbi tre mijë vota në zgjedhje duhet të çregjistrohen automatikisht, në mënyrë që sistemi politik të pastrohet nga subjektet joaktive apo fiktive.
Një tjetër rekomandim lidhet me garantimin e së drejtës së votës për të gjithë qytetarët, përfshirë diasporën dhe personat me aftësi të kufizuara. Kjo kërkon zbatim të plotë të akteve nënligjore ekzistuese dhe shqyrtimin e mundësisë për krijimin e një zone të veçantë elektorale për emigrantët, ose përfaqësim proporcional të tyre në Kuvend.
Në lidhje me transparencën në financimin politik, ISP rekomandon që financimi publik i partive të bazohet në numrin real të votave të fituara dhe jo në rezultatet e zgjedhjeve të mëparshme. Gjithashtu, KQZ duhet të ushtrojë një monitorim të vazhdueshëm mbi burimet e financimit, shpenzimet elektorale dhe pronësinë mediatike që lidhet me subjektet politike, duke garantuar që informacioni të jetë i qasshëm për publikun dhe institucionet mbikëqyrëse.
Në fund, për të siguruar që këto rekomandime të kenë ndikim real, është e domosdoshme rritja e përgjegjësisë institucionale dhe bashkëpunimit ndërinstitucional. ISP propozon zhvillimin e platformave të përbashkëta mes Parlamentit, KQZ-së, ILDKPKI-së, Prokurorisë dhe shoqërisë civile, me qëllim monitorimin dhe raportimin e përbashkët të standardeve të integritetit publik.

Raporti i plote i projektit mund te lexohet ketu:
Promovimi dhe llogaridhënia e zyrtarëve të zgjedhur Dekriminalizimi dhe integriteti 2023-2025
Ky raport realizohet në kuadër të projektit “Promovimi i llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy). Pikëpamjet e shprehura në raport janë përgjegjësi e ISP-së








