Kryetari i bashkise Lezhe Pjerin Ndreu është vënë nën hetim për shpërdorim detyre nga SPAK. Sipas gazetares Klodiana Lala, nëse Pjerin Ndreu merret i pandehur, vendoset në pikëpyetje mandati si kryetar bashkie i Lezhës.
Ndërkohë mësohet se nën hetim janë edhe zyrtarë të Bashkisë së Lezhës, që janë marrë me tenderin për ndërtimin e rrugës.
“SPAK ka çelur hetim për Pjerin Ndreu dhe po e heton për shpërdorim detyre. Vetë Ndreu ka thënë për gazetarët se është në hetim, në lidhje më ndërtimin e një rruge në qytetin e Lezhës. Ai tha se procedura që ka ndjekur për ndërtimin e rrugës ka pasur probleme. Ndreu u paraqit me avokat në SPAK, e kjo do të thotë se është nën hetim.
Nëse Ndreu do të merret i pandehur, mund të vihet në pikëpyetje edhe mandati si kryetar bashkie i Lezhës. Ai tha se është i hapur për prokurorët dhe shtoi se akuza është e motivuar politikisht. Pjerin Ndreu zgjeron listën e zyrtarëve të lartë të hetuar për korrupsion. Nën hetim janë edhe zyrtarë të Bashkisë së Lezhës, që janë marrë me tenderin për ndërtimin e rrugës”, raportoi gazetarja.
Ndreu ka qëndruar aty për më shumë se 40 minuta, ndërsa pas daljes nga SPAK është shprehur se kemi të bëjmë me një kallëzim politik.
“Vepra penale është shpërdorim detyre. Kështu që është kallëzim politik, por nuk ka të bëjë fare me efekte korrupsioni apo shkelje të barazisë në tendera, përveçse siç duket shërbimi në komunitet që kemi bërë ne në një zonë, që quhet lagja e “Xhenio”, një nga zonat më të rrezikshme në Lezhë, të cilës ne i kemi zgjidhur një problem madhor…Të jesh person nën hetim nuk do të thotë se je i akuzuar. Kjo nuk ka lidhje fare as me lënien e mandatit. Ajo që kam bërë unë është detyra në shërbim të komunitetit dhe nuk kam asnjë lloj diskutimi për këtë”, tha Ndreu. Në fund, ai u shpreh i gatshëm të paraqitet në SPAK çdo herë që do të thërritet. “Aq më tepër në rastet kur kanë të bëjnë me shërbimin në komunitet. Më kanë çdo orë të ditës dhe të natës. Kanë bërë shumë mirë që më kanë thirr. Nuk jam nga ata persona që filloj të qaj pse më thirrën”, tha Ndreu.
https://gazetadita.al/pjerin-ndreu-flet-pas-daljes-nga-spak-sjam-nga-ata-qe-filloj-e-qaj/