Raporti i DAP: Gjetje? Problematike janë pesë rastet e lirimit për shkak të ligjit nr. 138/2015, ligji i dekriminalizimit. Më shumë se një dekadë pas miratimit të këtij ligji, fakti që në administratë vazhdojnë të konstatohen persona të cilët ndodhen në kushtet e ndalimit ligjor tregon se mekanizmi parandalues nuk funksionon në mënyrë të plotë. Vetëdeklarimi nuk mund të konsiderohet filtër i mjaftueshëm, sidomos kur verifikimi real kryhet vetëm pas emërimit, pas një denoncimi ose pas evidentimit të të dhënave të reja. Ligji duhet të shërbejë për të penguar hyrjen në administratë të personave të papërshtatshëm dhe jo vetëm për t’i larguar ata pasi kanë ushtruar detyrën.
Për këto raste duhet të bëhet publik, në formë të anonimizuar, momenti i emërimit, kohëzgjatja e qëndrimit në detyrë, mënyra se si u evidentua shkaku ndalues, koha e nevojshme për verifikim dhe përgjegjësia e strukturave që administruan procedurën. Rekomandohet që kontrolli të kryhet përpara emërimit përfundimtar, të vendosen afate të detyrueshme për verifikimin ndërinstitucional dhe të realizohen kontrolle periodike, veçanërisht për pozicionet drejtuese dhe ato që ushtrojnë autoritet publik.
Pyetja kryesore nuk është vetëm sa persona u larguan për shkak të ligjit nr. 138/2015, por si arritën të emëroheshin, sa kohë ushtruan funksione publike dhe cilat institucione mbajnë përgjegjësi që kontrolli ligjor nuk funksionoi përpara emërimit.
Fakti që 113 nëpunës civilë, ose 42.48% e të gjitha lirimeve gjatë vitit 2025, janë larguar me dorëheqje, nuk duhet paraqitur thjesht si një e dhënë statistikore apo si ushtrim normal i një të drejte individuale. Këta persona kanë aplikuar për një pozicion të caktuar, kanë kaluar procedura konkurrimi, janë përzgjedhur dhe më pas janë investuar me kohë, burime njerëzore dhe financiare nga administrata. Kur një numër kaq i lartë nëpunësish largohet vullnetarisht, veçanërisht nëse largimi ndodh pak kohë pas emërimit, ngrihen pikëpyetje mbi cilësinë e procesit të përzgjedhjes, përputhjen ndërmjet profilit të kandidatit dhe vendit të punës, kushtet e punës, pagën, mundësitë e zhvillimit profesional, klimën institucionale dhe ndërhyrjet në ushtrimin e detyrës.
Për këtë arsye, raportimi vetëm i numrit të dorëheqjeve është i pamjaftueshëm. DAP duhet të analizojë më profesionalisht dhe me transparencë problemin, mbi arsyet e deklaruara dhe sa ka kushtuar zëvendësimi i tyre. Duhet të institucionalizohen intervistat e daljes dhe të evidentohen veçanërisht rastet e dorëheqjeve brenda periudhës së provës ose gjatë viteve të para të punësimit. Ndryshe administrata rrezikon të përsërisë vazhdimisht ciklin e shpalljes së vendeve vakante, konkurrimit, trajnimit dhe largimit, pa identifikuar shkaqet reale të humbjes së personelit.
ISP po monitoron jetësimin e standardeve të integritetit dhe të dekriminalizimit, përfshirë në administratën publike me mbështetjen e National Endowment for Democracy








