2 Mars, 2015: Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet.
1 qershor 2015: “Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përshëndet lëvizjen e guximshme të Partisë Demokratike & partive të tjera mbi dekriminalizimin. SHBA mbështet përpjekjet në vazhdim për të pastruar politikën në #Shqipëri”, shkruhet në faqen online të ambasadës së SHBA.
8 shtator, 2015: Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e deputetit Arben Ndoka për t’u dorëhequr nga Parlamenti dhe vendimin për të lejuar arrestimin e deputetit Armando Prenga. Këto vendime përfaqësojnë përparim të mirëfilltë për Shqipërinë, drejt krijimit të një sistemi politik me drejtues të standardeve më të larta etike.
29 Dhjetor, 2016: Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret vendimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve dhe kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për t’i hequr mandatet tre politikanëve, Elvis Rroshit, Shkëlqim Selamit, dhe Dashamir Tahirit, nën ligjin e dekriminalizimit. Vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë a të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen më gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve.
5 Janar, 2018: Ambasada e SHBA mirëpret vendimin e sotëm nga KQZ për t’iu hequr mandatet Aqif Rakipit dhe Gledion Rehovicës. Ky vendim është provë pozitive se procesi i rëndësishëm i dekriminalizimit, filluar në dhjetor 2015, vazhdon në Shqipëri.
20 Shtator, 2019: Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë.