Ligjërimi mbi dekriminalizimin? Të gjithë akuzojnë të gjithë për korrupsion dhe lidhje me krimin. Politikanë përgjegjës nën hetim? Politikanë “non grata”? Parti me elementë e tipare korrupsioni apo inkriminimi? Standardet e karrierës politike dhe standardet e integritetit? A kanë reflektuar partitë tona politike mbi parimet e integritetit dhe të dekriminalizimit 6 vjet pas miratimit të ligjit që e bëri Shqipërinë vendin e vetëm në kontinent me koncept të dekriminalizimit në Kushtetutë dhe ligjet organike?
Në aspektin statistikor: në total 9 deputetë humbën mandatin ose dhanë dorëheqje, 5 kryetarë bashkie humbën mandatin ose dhanë dorëheqje, mbi 190 këshilltarë lokalë dhanë dorëheqje, refuzuan deklaratën e dekriminalizimit ose humbën mandatin, 3-4 herë më shumë zyrtarë dhanë dorëheqje ose humbën pozitat në administratën civile ose publike për shkak të gjendjes në papajtueshmëri me dispozitat e ligjit.
Në aspektin e kulturës politike: ligji 138/2015 ishte ndër ligjet më me mbështetje publike, largimet nga postet të deputetëve apo zyrtarëve të lartë u mirëprit dhe media, shoqëria civile dhe qytetarët ndihmuan në shumë raste në evidentimin e dosjeve penale të zyrtarëve ose individëve të ndryshëm me poste politike e publike. Dy sondazhe të ISP më 2020 dhe 2021 provojnë mbështetjen e madhe publike për nevojën e largimit nga vendimmarrja të individëve “të fortë”.
Nga ana tjeter sondazhet e ISP tregojnë qytetarët vlerësojnë se individët me rekorde kriminale janë përgjegjësit kryesorë në shitblerjen e votës (93%) dhe në incidentet elektorale (91%). Ata mendojnë se individë të inkriminuar ka në stafet elektorale të partive (90%), në listat fituese të deputetëve (82%), në aktivitetet elektorale (79%), në shoqërimin e politikanëve në pritje/dreka (72%) dhe në komisionet e ndryshme zgjedhore (69%).
Për të debatuar në tërësi mbi ndikimet e integritetit dhe dekriminalizimit në standardet e shtetit të së drejtës, bazën ligjore në fuqi dhe problematikat e zbatimit, praktikat shqiptare dhe nderkombëtare, si dhe për të nxitur një rol më aktiv qytetar dhe të brezit të ri në nxitjen e klimës së transparencës, meritokracisë dhe llogaridhënies, Institutit i Studimeve Politike (ISP), në bashkëpunim me Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, zhvilloi një debat me pjesëmarrjen e Prof. Dorina Hoxha, pergjegjese e departamentit penal, si dhe Prof. Ervin Karamuço, pedagog dhe ekspert i njohur.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke jetësuar projektin “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy)