Dekriminalizimi, zyrtarët e pastër dhe standardet e transparencës dhe të llogaridhënies në kontekstin e intregritetit në përfaqësim dhe në vendimmarrje. Forum diskutimi me studentë të drejtësisë në Universitetin Marin Barleti në Tiranë. Ekspertët e ISP folën mbi gjetjet më të rëndësishme lidhur me problematikat e dekriminalizimit, si dhe foli mbi sfidat aktuale dhe pritshmëritë. Pjesëmarrës në takim, stafi akademik dhe studentë të drejtësisë dhe shkencave politike diskutuan mbi ndryshimet ligjore, vettingun, problematikat dhe raportet e dekriminalizimit me integritetin, me te drejtat e njeriut dhe me frymen kushtetuese per mireqeverisje.
Ne materialin e ndare per pjesemarresit nga ekspertet e ISP theksohej se dekriminalizimi nisi si një proces krize dhe me synimin të jetë i përkohshëm. Shtatë vjet më vonë dekriminalizimi vijon të jetë headline në raportimet mediatike dhe ende ka zyrtarë të niveleve të larta që vijojnë të humbasin mandatet apo postet për shkak të rekordeve kriminale në të kaluarën ose për akte korruptive të tanishme. Sistemi i karrierës në politikë, por edhe në administratën publike dhe në institucionet kushtetuese apo të krijuara me ligj vijon të jetë problematik, klientelist, pa verifikime paraprake dhe meritokracie, ndërkohë që partitë politike, bartësit kryesor të karrierës politike dhe përgjegjëse publike, vijojnë të aplikojnë standarde të dyfishta ndaj dekriminalizimit dhe integritetit, kritike për Tjetrin, refuzuese të përgjegjësisë për veten.
Gjatë viteve të fundit më shumë se 24 deputetë, kryetarë bashkie, gjyqtarë të lartë apo funksionarë të tjerë të lartë kanë humbur mandatet për shkak të dekriminalizimit, për shkak të proceseve gjyqësore kundër tyre për korrupsion apo për shkak të përfshirjes në skandale të ndryshme. Disa zyrtarë të tjerë të lartë vijojnë të jenë nën hetim ose në arrest me burgim për shkak të korrupsionit dhe rekordeve penale. Sic konstatojnë gjetjet e raporteve të ISP, asnjë nga zyrtarët e larguar nga dekriminalizimi ose të përfshirë në listën e sanksioneve nuk është larguar dhe as përjashtuar nga partia e tij politike, një zhvillim i kundër me frymën e ligjit dhe deklaratat publike të partive politike.
Instituti i Studimeve Politike (ISP) është duke jetësuar projektin “Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies së zyrtarëve të zgjedhur” mbështetur nga NED (National Endowment for Democracy)