TIRANË, 14 nëntor/ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka urdhëruar nisjen e hetimeve nga SPAK ndaj deputetit të Partisë Demokratike dhe ish-prokurorit Arjan Ndoja.
Sipas GJKKO, Ndoja dyshohet për veprat penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “fshehjes apo mosdeklarimit të pasurisë”.
Në vendimin e marrë sot nga gjyqtari Erjon Çela është konstatuar pavlefshmëri absolute e kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, e cila synonte pushimin e çështjes dhe ka vendosur kthimin e akteve pranë SPAK-ut, si prokuroria kompetente që do të vijojë hetimet për deputetin Ndoja.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela vendosi konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për pushimin e procedimit penal.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 ditëve. /e.i/j.p/








